E quajnë demokraci/Në 2.8 milionë banorë, vetëm NJË e di kush do bëhet President

Postuar në 02 Qershor, 2022 09:51

Sali Berisha u shpall non grata nga ShBA më 19 maj të vitit të shkuar. Pak javë më vonë ambasadorja e ShBA u kujtoi shqiptarëve barin, nëse rendin pas tij. 

Muajt ikën, Berisha mori partinë, Lulzim Basha humbi pa nam e pa nishan, bari nuk duket asgjëkundi.

Të ndalojmë në dy pika: Lulzim Basha e largoi Berishën me vendim personal të amplifikuar me forcën e ShBA, në kundërvajtje të hapur me parimet e sistemit. Humbi. Për të na ilustruar se çfarë i ndodh forcës në duart e gabuara.

Sali Berisha fitoi me votë, na pëlqen apo nuk na pëlqen. Po luan luftë nervash me Alibeajn, që nuk e di as vetë se çfarë është. Por nuk po e ngrin, të paktën deri më tani. 

Të gjithë këtë që ndodhi e quajnë shprehje të autoritarizmit, bajraktarizmit të Berishës. Problemi është se këto tipare lënë në hije gangsterizmin e palës tjetër dhe një lloj kulture klike që dominon atë.

Të shohim procesin e tanishëm të zgjedhjes së Presidentit. Precedenti më i mirë që mbahet për këtë çështje është konsensusi dypalësh dhe Berisha ka qenë protagonist i tij. Janë përfolur emra, janë qarkulluar kandidatura, është kaluar në votim.

Sot ndodh krejt e kundërta. Në 2.8 milionë rezidentë që ka Shqipëria, vetëm një njeri, ja e shumta dy, e dinë se kush do të jetë presidenti. Nuk e di as vetë ai që do jetë, sepse do t’i thuhet në momentin e duhur. Ata që janë deputetë në PS, nuk e dinë se ku do jenë vetë, hiq disa raste të atyre që e dhunojnë kryeministrin dhe perceptimin e tij. Dhe askush nuk flet. Përkundrazi, më media mbrojnë me zell këtë strategji të mençur të një njeriu, të qetë se Rama nuk do të gabojë, ose ca më keq, të bindur se presidenti do jetë një muzhaq, aldonë, spiropal i radhës.

Nuk flet as ambasadorja Kim, kuzhinierja e tensionit politik dhe autorja e promemories së barit, e cila fliste për zgjedhjen e një kryetari partie, por jo të presidentit. Mirë bën, pse të ndërhyjë në punët tona zonja, e cila vetëm një nder i bën këtij vendi: të ikë!

Çfarë është më e dhmibshme nuk është kjo. Është një lloj bindjeje që reflekton z. Rama se me ndërhyrjet e veta jep zgjidhjen, rivendos ekuilibrin, pa dashur të kuptojë denatyrmin që i ka bërë vetë politikës me batakun e metodave kaq banale.

E quajnë demokraci, vizion, vendimmarrje këtë. Me një logjikë dhe moral që ta jep vetëm grazhdi ku kullot inteligjenca e një vendi të tërë që mesa duket ka vendosur të injorojë edhe atë pak liri që kishte.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

"Sali Berisha fitoi me vote na pelqen apo nuk na pelqen"
Ty po te shkojne jarge nga kenaqesia cfare e thua ate sna pelqen kot. Prit te dale vendimi i gjykates, nderkohe bli nje peshqir se do te duhet te fshish jarget pas vendimit

Submitted by GJi GAND (not verified) on

Sovrani (2.8 milion banore ) zgjedhin K****, i cili vendos te tjeret.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.