Një luftë që nuk zgjidhet me humbjen e askujt

Postuar në 28 Maj, 2022 10:16

Kancelari gjerman Olaf Scholz ka akuzuar së fundmi Kremlinin se po përdor krizën ushqimore të provokuar nga kriza ukrainase për të mobilizuar një sentiment antiperëndimor në botë. 

Putin ka gjetur një fjalëzim dhe ai po flet vazhdimisht për “perëndimin global”. Me këtë ai nënkupton se armiqtë kundër të cilit ai do të bashkojë të tjerët

citohet Scholz. 

Qëndrimi gjerman vjen si pjesë e një lloj rizgjimi të detyruar të Berlinit pas akuzave se me flirtin ekonomik me Rusinë ka favorizuar atë që po ndodh aktualisht. Mjafton të kujtojmë këtu faktin se konflikti nisi pas largimit të Merkel nga detyra për t’i dhënë asaj, mikes së të gjithëve një mbyllje me nder si dhuratë. 

Çështja këtu është se Gjermania dhe Franca, dy vende që nuk dinë dhe as kanë vizionin të bashkojnë Europën, realizimin final të së cilës nuk po dinë ta çojnë në fund, nuk kanë kredencialet e një lidershipit në këtë nivel. Tallja që Sergey Lavrov bëri me Borrell muaj më parë gjatë një vizite në Moskë, ilustron se çfarë është në realitet, në aspektin e forcës Europa. 

E dyta, Rusia prodhoi një krizë në Europë, e cila u interpretua automatikisht si afirmim i ambicieve më të gjera imperiale të saj, por ishin sanksionet e vëna ato që e globalizuan atë me efektet që gjeneruan. 

E treta, problemi më afatgjatë këtu është narrativa mbi këtë që po ndodh. Në Perëndim ka shumë zëra që thonë se luftën e provokoi Perëndimi i cili sot i përmbahet tezës se ajo erdhi nga Rusia, ndërkohë që kjo e fundit ka artikuluar parimin e pandashmërisë së sistemit të sigurisë.

 Thënë kjo dhe duke dënuar padyshim agresionin, arritja e paqes kërkon moderim dhe mirëkuptimin e shqetësimeve të palës tjetër. Forca të jep status, por nuk të jep drejtësinë me vete. Nëse lufta sot është një akt i papranueshëm që duhet ndaluat menjëherë, është e qartë se është Historia dominon Europën Lindore dhe Qendrore dhe kjo Histori ushqen narrativat. 

Nëse Rusisë do t’i lihet të pranojë humbjen dhe poshtërimin si narrativë të detyruar, është e qartë se e nesërmja e Europës ofron vetëm një luftë të re. Komentet e Putin dhe Lavrov se Perëndimi po kërkon të fshijë Rusinë nga harta janë mesazhi se Kremlini po përpunon opinionin për një gjendje të vazhdueshme lufte që përtej çdo rezultati do ta kthejë përmbys bota që njohim. 

P.sh kreu i pritshëm ushtarak i NATO-s në Europë, Christopher Cavoli ka deklaruar në Senatin amerikan se pasiguria e rrugëve të furnizimit të ushqimit rrezikon të krijojë kushte per grupe ekstrashtetërore që të marrin kontrollin e tyre në disa vende. Sipas tij, një eventualitet i tillë do të kërkonte ndërhyrjen ushtarake amerikane, një problem ky kolosal përderisa në shekullin e tregtisë së lirë ushqimi sigurohet me ushtri.

Tingëllon cinike pyetja: a ja vlen kaq Ukraina, por ata që planifikojnë këtë pyetje padyshim që e kanë në kokë që ditën e parë të konfliktit. 

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.