Rusi-Ukrainë/ Në skenën e negociatave hyn Gerhard Schröder

Postuar në 11 Mars, 2022 09:28

Ish-kancelari gjerman, Gerhard Schröder, është mediatori i radhësnë Moskë. Ai ka udhëtuar drejt kryeqyteti rus për të takuar presidentin Vladimir Putin në përpjekje për të ndërmjetësuar fundin e luftës në Ukrainë.

Siç bën të ditur Politico.eu, ata janë takuar të enjten në mbrëmje, por detaje mbi atë çfarë është arritur nuk ka ende.

Vetë Schröder është kritikuar ashpër brenda dhe jashtë vendit për lidhjet e ngushta me Moskën dhe refuzimin për t’i shkëputur edhe pasi Rusia hyri ushtarakisht në Ukrainë. Ai vijon të mbajë ende poste të larta në gjigantët e energjisë Rosneft dhe Gazprom, të lidhur me Kremlinin.

Socialdemokrati Schröder ka shërbyer si kancelar gjerman nga 1998 deri në 2005. Që atëherë, ai ka pasur një karrierë fitimprurëse biznesi falë detyrave që lidhen me energjinë ruse.

Vizita e Shroderit në Moskë pasoi bisedimet në Stamboll me një politikan ukrainas, i cili është anëtar i delegacionit të Kievit për bisedimet e paqes me Rusinë.

Në Ukrainë, Schröder  shihet si njeriu i duhur për ndërmjetësim. Javën e kaluar, ambasadori i Ukrainës në Gjermani, Andrij Melnyk, e përmendi një mundësi të tillë.

Që kur Rusia nisi pushtimin e saj më 24 shkurt, negociatorët ukrainas dhe rusë kanë mbajtur tre raunde bisedimesh në Bjellorusi, por këto diskutime kanë dhënë pak.

Udhëtimi i Schröder-it drejt Moskës vjen pas një tjetër udhëtimi të së njëjtës natyrë që ai ka pasur në Stamboll të hënën. Schröder u takua në Pallatin Dolmabahçe të Stambollit me një delegacion ukrainas, të kryesuar nga Rustem Umerov, një deputet ukrainas i cili mori pjesë në bisedimet e fundit të armëpushimit me Moskën në Bjellorusi.

Umerov i tha Schröder-it se presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy do të donte që kancelari t’i përdorte marrëdhëniet e tij me Putinin për të negociuar të paktën një armëpushim.

Një diplomat i lartë ukrainas konfirmoi se takimi i Umerov me Schröder ishte koordinuar me zyrën e Zelenskyy-t.

Schröder tha se nuk ishte i sigurt nëse Putini do ta priste në Moskë, por ai do të përpiqej. Ukrainasit i dhanë Schröder-it udhëzime për disa pika kyçe për të cilat do të ishin të gatshëm të negocionin, duke përfshirë aspiratat e Ukrainës në NATO, statusin e Krimesë dhe të ardhmen e rajonit të Donbasit që Rusia e njohu si të pavarur vetëm disa ditë përpara se të ndërmerrte aksionin ushtarak.

Takimi zgjati pothuajse dy orë dhe rrugës për në aeroport, Schröder kontaktoi një person të afërt me Putinin në Moskë, për t’i shpjeguar se çfarë kishte ndodhur në Stamboll. Dhjetë minuta më vonë, Schröder mori dritën jeshile për një takim me Putinin, por iu tha të priste në Stamboll deri të mërkurën kur një aeroplan rus do të mbërrinte për ta marrë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.