Diçka mbetet e pasqaruar nga përfaqësuesi i Rusisë në Tiranë

Postuar në 04 Shkurt, 2022 22:28

Ambasadori i Federatës Ruse në Tiranë, Mihail Afanasiev ka dalë sot në një konferencë për shtyp gjatë së cilës ka sqaruar disa momente të tensioneve të fundit mes Rusisë dhe Perëndimit në Ukrainë. Konferenca vjen pak ditë pasi ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov dërgoi një letër për disa vende përmes së cilës Kremlini kërkon nga të gjitha këto vende qëndrim të qartë dhe sqarim mbi atë sesi ato e kuptojnë detyrimin që rrjedh nga Karta e Stambollit për të mos forcuar sigurinë e tyre në kurriz të sigurisë së shteteve të tjera.

Mbi pyetjen se çfarë ka bërë Shqipëria në kundërshtim me parimin e Pandashërisë së Sigurisë, ambasadori tha:

Logjika është shumë e thjeshtë.  Rusia ka dalë me një propozim për të hartuar dhe propozuar një marrëveshje për sigurinë e ndërsjellë, së pari mes SHBA dhe Rusisë dhe së dyti mes NATO-s dhe Rusisë. Ashtu si çdo vend anëtar i NATO-s, që do ta marrë pjesë në këto diskutime, është shumë e rëndësishme që edhe Shqipëria të kuptojë qartë atë për çfarë bëhet fjalë.

N.q.s. shumica e vendeve anëtarë të NATO-s do ta përkrahin këtë qëndrim dhe të zhvillojë diskutime të sinqerta me Rusinë për këto koncepte, ne do ta mirëpresim. N.q.s. përgjigjja do të jetë negative, unë nuk mund të komentoj një pasojë të mundshme dhe këtu nuk bëhet fjalë për ndonjë sanksion për disa anëtarë të NATO-s por do të bëhet fjalë për një përgjigje të përgjithshme ndaj gjithë bllokut

Siç mund të shihet ambasadori ka dhënë një përgjigje që nuk sqaron asgjë, për vetë faktin se ai nuk ka tagër të flasë mbi këto gjëra. Ose nuk është i autorizuar. Kjo sepse letra e  Lavrov, vërtet  u drejtohet edhe vendeve anëtare të NATO-s, por ajo formalisht titullon si adresë “Ministrat e Jashtëm/Sekretarëve të SHBA dhe Kanadasë dhe disa vendeve europiane”. Pra përgjigja e z. Afanasieve e ngushton kuadrin në fjalë tek Aleanca e Atlantikut të Veriut, që nuk përcaktohet si adresë zyrtare për letrën, pasi përndryshe ajo duhej drejtur për z. Stoltenberg.

Po kështu në mbylljen e saj Kremlini është kujdesur të vendosë këtë paragraf:

Ne po presim për përgjigjen tuaj të shpejtë. Nuk do të duhet të marrë shumë kohë, për sa kohë që çështja është të sqarohet se mbi cilat baza Presidenti/Kryeministri Juaj firmosi detyrimet në fjalë. Ne po ashtu presim që përgjigja e kësaj letre të jepet në nivel kombëtar përfaqësimim, përderisa detyrimet e sipërpërmendura janë marrë nga secili prej shteteve tona individualisht dhe jo brenda apo në emër të ndonjë blloku

Pra në rastin konkret Rusia po do të ketë një dokument të firmosur nga shteti shqiptar për të kuptuar sesi vendi ynë e interpreton parimin e Pandashmërisë së Sigurisë dhe sesi ky parim p.sh ndiqet nga Shqipëria në kuadër të NATO-s dhe p.sh aksioneve të saj për dislokim trupash në rajone të cilat Rusia i konsideron se prekin sigurinë e saj. Ambasadori na tha se do të ketë një përgjigje ndaj Bllokut, pra jo individuale, diçka që nuk korrespondon me tekstin e letrës. 

Letra nuk është një kërkesë me natyrë strikt juridike, por ajo kujton për disa vende marrëdhëniet e veçanta me Rusinë, e cila këtu duket edhe se po paralajmëron braktisjen eventuale të një parimi që frenon krizat e rendit ndërkombëtar në respektimin e sovranitetit të vendeve dhe më tej në konsiderimin e sigurisë si një mjedis përgjegjësi të përbashkët.

Në këtë kuptim komenti mbi detyrimet e ndërmarra përcakton legjitimitetin e veprimeve të vendit tonë nesër duke sinjalizuar përcaktimin qartazi në dy pozicione të kundërta me një vend si Rusia që ka ndërmarrë një hap që ilustron shqetësimin e saj mbi këtë që po ndodh. Rusia ka qenë shumë e qartë në raport me Bullgarinë dhe Rumaninë, apo edhe Poloninë në këtë drejtim, ndërkohë që mesazhi në fjalë sugjeron se diçka po vihet në lëvizje e ku Shqipëria është bërë pjesë, apo do të detyrohet të bëhet pjesë, si përherë qorrazi.

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.