Pandemia, fundi i privilegjit tatimor të miliarderëve

Postuar në 01 Shkurt, 2022 18:33

Thomas Piketty është një nga ekonomistët më të famshëm në botë. Librat e tij me peshë mbi pabarazinë dhe pasojat e saj të rrezikshme për kapitalizmin global janë vlerësuar gjerësisht nga yje të tjerë si Paul Krugman dhe Robert Solow. "Kapitali në shekullin XXI”  është shitur në miliona kopje dhe mund të gjendet në raftet e librave të kujtdo që dëshiron të konsiderohet i aftë në debatin modern të ekonomisë politike.

Në "Kapitali dhe Ideologjia", një botim akoma më ambicioz, profesori 50-vjeçar i ekonomisë në Shkollën për Studime të Avancuara në Shkenca Sociale (EHESS) në Paris përpiqet të shkëpusë rrjetin kompleks të proceseve dhe institucioneve ideale politike që kanë justifikuar dhe përjetësuar nivele të pabarazisë ekstreme në Perëndim, veçanërisht gjatë 40 viteve të fundit. Zgjidhja e tij, për të parandaluar triumfin e "populizmit ksenofobik", është një "socializëm pjesëmarrës" i bazuar në taksimin progresiv të të ardhurave dhe taksimin e lartë të pasurisë së trashëguar.

Në një intervistë me “Kathimerini”, Piketty thotë se është "e çuditshme" që shumë njerëz teorikisht në favor të barazisë së mundësive nuk janë të gatshëm të diskutojnë mënyra specifike se si ajo mund të arrihet. Ai nuk bindet nga dallimi mes pasurisë së akumuluar gjoja në mënyrë të merituar të super të pasurve në Perëndim dhe mënyrës së pasurimit të oligarkëve në regjime jo të lira dhe pretendon se, as të parët dhe as të dytët nuk paguajnë taksa. Megjithatë, ai beson se nevoja për të shlyer borxhin e krijuar gjatë pandemisë do të sjellë fundin e privilegjeve tatimore të miliarderëve.

Në hyrjen e “Kapital dhe Ideologji” ju theksoni se progresi nuk është linear dhe se është gabim të mendosh se konkurenca mes kombeve dhe lojtarëve ekonomikë është e mjaftueshme për të ccuar në harmoninë sociale. Nuk është e nevojshme, apo jo? A mundet që rritja eksplozive dhe progresi social I dy shekujve të fundit të ishte e mundur pa kapitalizmin global të bazuar mbi paprekshmërinë e pronës private dhe motivit të fitimit?

Ajo çfarë them në “Kapital dhe Ideologji” dhe në një format më të shkurtër në “Një histori e shkurtër e Barazisë” është se ne kemi vëzhguar një marshim të gjatë një barazie në rritje që nga fundi i shekullit të XVIII dhe se ky marshim drejt barazisë ka luajtur një rol kyç në ngritjen e prosperitetit modern dhe në procesin e krijimit të pasurisë. Pa akses të barabartë në arsim dhe në të drejta sociale, ekonomike dhe politike në rritje, nuk mund të ketë rritje të qëndrueshme ekonomike.

Marshimi drejt barazisë nisi me heqjen e privilegjeve aristokrate në 1789 dhe revoltën e skllevërve në Saint-Domingue në 1791. Të dyja këto shënuan fillimin e fundit të shoqërive të të privilegjuarve nga njëra anë dhe të shoqërive skllave dhe koloniale nga ana tjetër. Marshimi drejt barazisë vazhdoi në shekullin XIX me heqjen e skllavërisë dhe ngritjen e lëvizjes punëtore, dhe në shekullin e XX me zhvillimin e sigurimeve shoqërore, arsimit masiv dhe taksave progresive.

Në praktikë, Revolucioni Industrial përfshiu edhe shumë dhunë: skllavërinë dhe shpronësimet koloniale, luftërat botërore midis fuqive perandorake evropiane etj. Por është e sigurt që kjo dhunë nuk ishte një përbërës i domosdoshëm për zhvillim: është e lehtë të imagjinohet një trajektore tjetër, me më pak dhunë, më shumë barazi dhe më shumë prosperitet. Në fund të fundit, ishte logjika e barazisë dhe e të drejtave të barabarta ajo që kishte rëndësi në planin afatgjatë, dhe kjo është rruga që duhet të ndjekim në të ardhmen.

A nuk duhet që prindërit të kenë të drejtë t'ua kalojnë pasurinë fëmijëve të tyre? A nuk duhet të ketë peshë të konsiderueshme kjo e drejtë kundrejt pasojave pozitive egalitare të taksave konfiskuese të trashëgimisë?

Gjithmonë ka një tension mes dëshirës së prindërve për ta kaluar pasurinë e tyre te fëmijët dhe për t'u dhënë atyre një edukim më të mirë dhe logjikës së të drejtave dhe mundësive të barabarta mes fëmijëve. Unë mbështes progresin në drejtim të të drejtave dhe mundësive të barabarta, por sigurisht e pranoj se kjo nuk nënkupton barazi të plotë.

Për shembull, unë propozoj një rishpërndarje të trashëgimisë, me një trashëgimi minimale për të gjithë në moshën 25 vjeç, e barabartë me 60% të pasurisë mesatare (që do të ishte rreth 120 000 euro në Francë tani), e paguar nga tatimi progresiv i trashëgimive dhe pronarëve të pasurive të mëdha. Të rinjtë që tani marrin trashëgimi zero ose diçka më shumë (rreth gjysma e popullsisë) tani do të marrin 120 000 euro, ndërsa të rinjtë që marrin aktualisht 1 milion euro do të merrnin "vetëm" 600 000 euro (pas taksave të paguara për të financuar trashëgiminë minimale për të gjitha). Siç mund ta shihni, ne jemi ende shumë larg mundësive të barabarta.

Për mendimin tim, ne mund dhe duhet të shkojmë edhe më tej. Disa do të argumentonin se ne duhet të vendosim kufizime se si duhet të përdoren paratë. Pse jo – por vetëm me kusht që këto kufizime të vlejnë edhe për të pasurit. Ajo që më duket paksa e çuditshme është se shumë njerëz pretendojnë se janë në favor të mundësive të barabarta në nivel teorik, por më pas kundërshtojnë fuqishëm çdo diskutim për propozime konkrete që shkojnë në këtë drejtim. Kjo nuk është shumë konsistente.

Për sa i përket teorisë së shpërndarjes së drejtë, si e justifikoni pabarazinë? A është i mjaftueshëm Parimi i Diferencës Rawlsian-e (pabarazitë justifikohen nëse përfitojnë "më pak të avantazhuarit ekonomikisht")? Apo nuk është mjaftueshëm radikal?

Jam dakord me Parimin e Diferencës Rawlsian, përsa kohë e marrim vërtet seriozisht, për shembull për rishpërndarjen e trashëgimisë.

Përtej faktit që ju e shihni botën e ideve si më autonome, sa i afërt është koncepti juaj me atë të Marksit? Filozofia juaj politike, a nuk është njëkohësisht edhe një ideologji?

Në librin tim, unë përpiqem ta përdor "ideologjinë" në një kuptim pozitiv - d.m.th. si një grup i qëndrueshëm idesh mbi atë se si duhet të organizohen marrëdhëniet sociale, politike dhe ekonomike në një shoqëri ideale. Sigurisht që përpiqem të sjell shumë të dhëna historike dhe prova sasiore në diskutim, në mënyrë që të gjithë të mund të mësojmë nga përvoja historike dhe të përsosim grupin tonë të besimeve dhe ideologjive. Por dëshmitë historike kurrë nuk do të na lënë të biem dakord për institucionet që përcaktojnë shoqërinë ideale. Konfliktet dhe mosmarrëveshjet ideologjike do të vazhdojnë.

Ju e kritikoni tendencën perëndimore për të justifikuar pasurinë e miliarderëve si të merituar dhe produkt inovacioni, në krahasim me pasurinë "ekstraktuese" të oligarkëve në shoqëritë jo të lira. Por sado të tepruara apo të padrejta janë pasuritë e grumbulluara nga Jeff Bezos apo Elon Musk, a nuk është dallimi thelbësisht i saktë?

Jo, mendoj se dallimi është shumë më i paqartë se sa mendohet zakonisht. Njësoj si oligarkët rusë, Bezos dhe Musk nuk paguajnë taksa. Siç tregoi ProPublica në vitin 2021, miliarderët amerikanë nuk paguajnë pothuajse asnjë taksë federale mbi të ardhurat. Zgjidhja e vetme për t'i bërë ata të paguajnë një nivel të mirë taksash është një taksë progresive e pasurisë. Do të arrijmë te kjo në një moment të caktuar.

A do të ketë sukses pandemia aty ku dështoi kriza financiare globale, në zhvendosjen e ideologjisë dominuese në Perëndim drejt një barazie më kuptimplote të mundësive dhe një rishpërndarjeje më të madhe?

Unë mendoj se shlyerja e borxhit Covid do të çojë në përfundimin e privilegjeve tatimore të miliarderëve, ashtu si kriza fiskale [e viteve 1780] çoi në fundin e privilegjeve aristokratike gjatë Revolucionit Francez.

Sa e rëndësishme është marrëveshja e OECD-së për taksimin minimal global të biznesit? Dhe sa optimist jeni që nismat e fundit të BE-së në këtë fushë do të jenë të suksesshme në kufizimin e evazionit nga individët e pasur dhe korporatat e mëdha?

Norma minimale e tatimit prej 15% është shumë e vogël. Është më pak se sa paguajnë bizneset e vogla dhe të mesme në Francë apo Greqi – dhe këto kompani të vogla dhe të mesme nuk mund të krijojnë lehtësisht një filial në një parajsë fiskale, ndryshe nga korporatat e mëdha. Kufizimi tjetër kryesor i marrëveshjes së OECD-së është se vendet në jugun e globit nuk do të marrin ndonjë pjesë domethënëse të të ardhurave të reja tatimore që do të mblidhen.

Ju e keni kritikuar presidentin Macron për një qasje të djathtë ndaj politikës ekonomike. A nuk kanë kontribuar politikat e tij në një dinamizëm të ri në ekonominë franceze dhe një rimëkëmbje më të fortë në Francë sesa në ekonomitë e homologëve të saj evropianë?

Jo, ky nuk është rasti. Papunësia në Francë arriti kulmin në 2012-13 pas vendimeve të sens të Europës të marra në atë kohë dhe filloi të bjerë në 2014-15. Tani jemi kthyer në rreth 7% të papunësisë – pikërisht në nivelin që ishim në prag të krizës financiare të vitit 2008. Ndërkohë, papunësia arriti kulmin mbi 10% për shkak të mënyrës së gabuar si u menaxhua kriza. U deshën më shumë se 10 vjet për t'u rikuperuar nga këto gabime, kështu që nuk ka absolutisht asgjë që të na bëjë krenarë për kthimin në atë nivel para krizës. Në çdo rast, nëse shikoni të dhënat, do të shihni se ka një rënie të vazhdueshme të papunësisë që nga viti 2015, pa asnjë përshpejtim të trendit të asnjë lloji që nga viti 2017.

Çfarë po ndodh me të majtën në Francë?

Macron mori ca nga elektorati dhe zyrtarët e zgjedhur nga qendra e majtë dhe i çoi në qendrën e djathtë – dhe në fakt gjithnjë e më larg në të djathtë. Në shumë mënyra, Macron aplikoi platformën ekonomike të së djathtës: heqjen e taksës së pasurisë, liberalizimin e tregut të punës etj. Si pasojë, partia kryesore e krahut të djathtë [Les Republicains] është fokusuar gjithnjë e më shumë në çështjet e migracionit dhe kundërretorikës islame për të konkurruar me ekstremin e djathtë. Kështu, i gjithë peizazhi politik është zhvendosur djathtas. Por kjo nuk do të zgjidhë problemet sociale, ekonomike dhe mjedisore që ne duhet të zgjidhim. Kam besim se e majta do të rikthehet, ashtu siç bëri në Spanjë apo Gjermani.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.