Tjetër variant rezistent ndaj vaksinës, virusi Mu shfaqet në Kolumbi

Postuar në 01 Shtator, 2021 09:42

Një variant i ri i Covid-19 po ndiqet me kujdes nga OBSH-ja. I njohur si "Mu", varianti u identifikua për herë të parë në Kolumbi në janar 2021.

Mu njihet edhe me emrin shkencor B.1.621 dhe sipas OBSH-së, ka mutacione që tregojnë rrezik të rezistencës ndaj vaksinave.

Ka një shqetësim të përbotshëm mbi shfaqjen e mutacioneve të reja të virusit pasi normat e infeksionit po rriten përsëri në nivel global, ndërkohë që varianti Delta vijon të përhapet me shpejtësi sidomos te të pavaksinuarit dhe në rajonet ku masat kundër virusit janë lehtësuar.

Të gjithë viruset, përfshirë SARS-CoV-2 që shkakton Covid-19, ndryshojnë me kalimin e kohës dhe shumica e mutacioneve kanë pak ose aspak efekt në vetitë e virusit.

Por disa mutacione mund të ndikojnë në vetitë e një virusi dhe në përhapjen e lehtë të tij, ashpërsinë e sëmundjes që shkakton dhe rezistencën e tij ndaj vaksinave, ilaçeve dhe kundërmasave të tjera.

OBSH aktualisht ka të identifikuara katër variante shqetësuese të Covid-19, përfshirë Alpha, i cili është i pranishëm në 193 vende, dhe Delta, i pranishëm në 170 vende.

Pesë variante, përfshirë edhe variantin Mu, janë nën monitorim.

Pasi u zbulua në Kolumbi, Mu është raportuar që atëherë në vende të tjera të Amerikës së Jugut dhe në Evropë.

OBSH tha se prevalenca e tij në rang botëror ka rënë nën 0.1 përqind në mesin e rasteve të reja. Megjithatë, në Kolumbi është në 39 përqind.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.