Rreshtorja e Tiranës

Postuar në 30 Qershor, 2021 23:15

Sot ka qenë në Tiranë një zyrtar amerikan me emrin Philip T. Reeker i cili mban detyrën e Ndihmës Sekretarit të Shtetit në Detyrë për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Një njoftim për këtë vizitë ka dhënë ambasada amerikane në Shqipëri në të cilin thuhet:

Ambasadori Philip T. Reeker vizitoi sot Tiranën. Gjatë vizitës, ai u takua me Kryeministrin Rama, Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, disa prej anëtarëve të verifikuar plotësisht të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, si dhe udhëheqës të tjerë. Përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë.

Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara. Ai përgëzoi udhëheqësit e Shqipërisë për suksesin e tyre në mikpritjen e Stërvitjes Defender Europe 21, e cila theksoi rolin strategjik të Shqipërisë në rajon.

Ai mirëpriti rolin e Shqipërisë në rajon dhe në arenën globale, ndërsa Shqipëria merr vendin në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ndihmës Sekretari në Detyrë përsëriti mbështetjen e fortë të Shteteve të Bashkuara për reformat në sistemin e drejtësisë dhe në luftën kundër krimit të organizuar, duke nënvizuar se si përparimi në këto çështje do të nxisë demokracinë, mbrojtjen dhe biznesin në Shqipëri dhe do të vijojë rrugën e Shqipërisë drejt pranimit në Bashkimin Europian

Në faqen online të qeverisë shqiptare nuk ka ndonjë të dhënë për këtë vizitë.

Nëse vërejmë tekstin e shpërndarë nga selia diplomatike e SHBA, aty thuhet se Reeker “vizitoi Tiranën”, pra jo Shqipërinë, duke krijuar kështu kushtet e mjaftueshme për pyetjen: Kush e ftoi z. Reeker për këtë vizitë?

Ai ka qenë në Shqipëri, është pritur nga kryeministri Edi Rama, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, si dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë që kanë kaluar vettingun. Si ta klasifikosh në aspektin protokollar një vizitë të tillë? Një zyrtar i nivelit të dytë në SHBA, që vjen në një mision apo vizitë pune, takon përfaqësues politikë të nivelit të lartë pa sqaruar se cili është qëllimi i vizitës dhe kush e ka ftuar.

Tjerrja mediatike e pushtetit nuk ka ditur të japë më shumë për fantazinë e përgjithshme sesa faktin se z. Reeker nuk takoi Presidentin e Republikës, Ilir Meta, që përflitet se është vënë në rreth të kuq për t’u eliminuar njësoj si ish-kryeministri Sali Berisha.

Nëse na lejohet atëherë ta lexojmë drejt këtë që ka ndodhur është fakti se z. Reeker ka ardhur në Tiranë të informohet nga afër për ecurinë e reformës në drejtësi të cilën e financon SHBA, ndoshta për të parë dhe ndonjë dosje në funksion të hapave të mëtejshëm politikë që do të ndërmerren kundër individëve të caktuar. Sado konfidenciale të jetë përmbajtja e një vizite të tillë ajo me vetë formatin e realizimit na kujton se kush urdhëron këtu, për atë që ka ndodhur dhe do të ndodhë dhe sesi ai që quhet se fiton zgjedhjet, apo edhe ai që i humbet, nuk janë asgjë më shumë sesa dy ushtarë që dinë të kapardisen vetëm ndaj qytetarëve të pambrojtur të këtij vendi dhe asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.