Bashkia vendos: Skulpturë në hyrje të Tiranës me fotografinë e këpucëve të grisura

Postuar në 01 Shkurt, 2021 03:10

Këpucët e grisura të Edi Ramës do të monumentalizohen si objekt skulpturor në rrugën e Elbasanit. Projekti është miratuar me shpejtësi nga Bashkia e Tiranës, kryetari i së cilës, Erion Veliaj është edhe drejtues i fushatës elektorale të PS-së në kryeqytet dhe ai parashikon një planvendosjen e simbolit të këpucëve, imituar nga fotoja e z. Rama, me shollën e shqyer dhe këmbët e zgjatura prej tyre veshur me tirqe me trëndafil, përballë një çezme.

Burime pranë bashkisë i thanë redaksisë së “Të Kripura” se në projektin fillestar realizuar me urgjencë parashikohej një shatërvan, por ka qenë simbolika e këpucëve ajo që ka përcaktuar çezmën.

Objekti do të jetë i ngritur në nivel dhe ai jep idenë e një njeriu që çlodhet pranë një burimi pas një rruge të gjatë dhe pozicioni i shollës është përballë Tiranës. Gjithnjë për të simbolizuar se pas punëve të mëdha anembanë Shqipërisë, njeriu në krye të qeverisë vjen të çlodhet e mbledhë veten në kryeqytet. Objekti nuk do të ketë bust, ai përfundon te vithjet që janë të puthitura me tokën, pranë të cilave do të jetë një imitacion i një torbe dhe një bastuni.

Ideja bashkon në vetvete punën e palodhur të kryeministrit, kapur aq bukur në fotot e këpucëve, si mesazh i duhur në kohën e sotme, ku Puna po rivlerësohet kaq shumë, me traditën e vjetër të kurbetit si puna e vetme me fitim. Çezma nga ana tjetër është simboli më domethënës i pushimit, jetës dhe komunitetit. Një takim pra me kohën, historinë dhe tashmen.

Materiali i përdorur është vendosur të jetë qeramika, balta e pjekur që na udhëzon emocionalisht drejt botëkuptimeve kaq shqiptare dhe që lidhen aq fort me vendin, tokën. Më fort madje edhe se opinga.

Shaptilografisti 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.