Unë bindem, ndaj "jam" ministër

Postuar në 05 Korrik, 2020 23:45

Askush nuk mund të njollosë historinë e UÇK-së dhe të popullit shqiptar. Kjo është një thuajse bindje e përgjithshme në mesin tonë, pasojë e pakorrigjueshme e historiografisë dhe pedagogjisë nacionaliste të Enver Hoxhës që nuk toleronte asnjë kritikë, asnjë mëdyshje dhe asnjë rishikim. Ministri në detyrë për Punët me Jashtë në Shqipëri, i diplomuar për filozofi e që aq shumë na u shit si mendje e hapur dhe e re në një mjedis të mykur si ai i Tiranës, e ka shumë të natyrshme t’i bashkohet këtij kori të unitetit.

Fare thjesht: Kur vjen puna te pastëria dhe drejtësia e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk duhet të reagojmë si shumë parti, as si dy shtete, por si një komb! Historia e UÇK-së dhe e popullit shqiptar nuk mund të njolloset asnjëherë e nga askush! Ndaj, secili prej nesh, i bindur në pafajësinë e themeluesve të UÇK-së dhe vlerave të patjetërsueshme të saj, duhet të shprehë mbështetjen e pakursyer për dy çlirimtarët, Hashim Thaçi e Kadri Veseli

ka shkruar Cakaj në Facebook.

Nga buron ky lloj absolutizmi? Nga dija e paanë e z. Cakaj? Nëse ajo do të ishte e tillë, zotëria do të kishte tjetër qasje. Por si një nëpunës i denjë i pallatit të plaçkitjes ai nuk heziton të suvatojë murin e Facebook me parullën e njohur: Grusht bashkuar…! E megjithatë nuk duhet shumë për ta hedhur poshtë këtë apel për tejkalim plani. Sepse asnjë shoqëri nuk është përherë në anën e duhur të historisë, e cila meqë ra fjala është edhe e vështirë të njihet realisht, sa kohë që nuk është e sigurtë nëse historia duhet konsideruar shkencë pozitive apo jo.

Së dyti, historinë e shqiptarëve e njollosin vetë shqiptarët, si çdo histori e gjatë e popujve.

Pjesa më problematike e këtij statusi që përfaqëson asgjë më shumë sesa mjerimin e z. Cakaj dhe ndjenjën e tij të detyrës prej ushtari, është “bindja në pafajësinë e themeluesve të UÇK-së”. Ne jemi të bindur në drejtësinë e rebelimit të tyre, në të drejtën e patjetërsueshme për të kundërshtuar një regjim pushtimi dhe në luftën për të fituar barazinë si qytetarë në një rajon ku shqiptarët nuk kanë pse të kompleksohen prej askujt për asgjë, por është pak e nxituar të deklarosh se iks person është padiskutim i pafajshëm, të paktën në raport me atë që akuzohet. Është e pamundur të shndërrosh në diskutim politik një akuzë penale dhe nëse këtë e bëri partia e Gent Cakajt me Saimir Tahirin, nuk mundet ta bëjë edhe një gjykatë ndërkombëtare. Ne duhet të shpresojmë që Thaçi dhe Veseli të dalin të pafajshëm, të besojmë se janë të tillë, por nuk është shumë e mençur dhe e kujdesshme që lufta të unifikohet me emrin e tyre. Sepse lufta është më e gjerë sesa kontributi i dy njerëzve, e nëse fatkeqësisht konfirmohet, edhe se krimet e tyre të mundshme.

Apele si ky i z. Cakaj, një imitim i frymës së kryeministrit Rama mëtojnë ta shndërrojnë një lexim politik të historisë në frymë solidarizimi, por ne si shoqëri jemi prova e gjallë se gënjeshtra nuk e mban një vend të bashkuar, por e përçan atë. E shndërron historinë e përbashkët nga një emërues i përbashkët në një ushtrim lirie mbi premisa të perspektivave të ndryshme që fitojnë terren pikërisht se narrativa është e pavërtetë. Dhe me të pavërtetën nuk mund të mësohesh kaq lehtë, nuk mundet ta tundësh si flamur pa u tallur. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.