Mëngjarashi

Postuar në 12 Janar, 2020 00:52
Federico Tulli

 

Në vitin 2000, Jorge Mario Bergoglio, asokohe kryepeshkop i Buenos Aires, u bashkua me korin e hierarkëve të Kishës, të cilët u shprehën publikisht të penduar për mbështetjen e dhënë në vitet 1976-1983 nga Konferenca e Ipeshkvive Argjentinase juntës qytetare-ushtarake përgjegjëse për të paktën 30 mijë njerëz të zhdukur dhe mijëra krime të tjera kundër njerëzimit si vrasje, rrëmbime, tortura dhe grabitje foshnjash. A ishte ky gjest, ndoshta pak i vonuar, një mënyrë për t’u çliruar, që institucioni gjeti për të kërkuar falje për priftërinjtë që kishin "mëkatuar" duke dhënë logjistikë dhe material, si dhe mbështetje shpirtërore, për ekzekutuesit e brezit të zhdukur? Apo ishte një pranim i fajit? Është fakt se gjatë regjimit, kreu i atëhershëm i jezuitëve argjentinas, si shumica e klerikëve kolegë të tij, kurrë nuk ishte pozicionuar publikisht kundër dhunës së shtetit të kryer ndaj kujtdo që thjesht dyshohej se ishte një "armik". Gjë që, sidoqoftë, në Kilin fqinj, për shembull, e bëri kardinali i Santiagos, Raúl Silva Henríquez, i cili nga 11 shtatori 1973 e më tej asnjëherë nuk ndaloi së treguari me gisht politikat shtypëse të diktatorit fashist Augusto Pinochet dhe atyre që e mbështesnin. Qartësisht ndryshe nga heshtja e mbajtur gjatë diktaturës ishte qëndrimi i Bergoglios ndaj institucioneve demokratike. Në vitin 2010, kur ishte në krye të Konferencës së Peshkopëve Argjentinas, ai u ngrit pa hezituar kundër Parlamentit që kishte futur në sistem martesën homoseksuale. Duke e cilësuar ligjin "zili e djallit",  i cili "do të shkatërrojë planin e Zotit".

Me të njëjtën mjeshtëri, i sapoemëruar në krye të Kishës Argjentinase, ai ishte “përplasur” në vitin 2005 me ministrin e Shëndetësisë të qeverisë “Kirchner”, Ginés González García, i cili kishte propozuar dekriminalizimin e abortit. Refuzimi i të drejtës për ndërprerje vullnetare të shtatzënisë për Bergoglio-n është një pozicion nga i cili ai nuk lëviz. Liria për të zgjedhur, për të vendosur vetë dhe seksualiteti i gruas nuk kanë vend në filozofinë e tij. Në vazhdën e misogjinisë së paraardhësve të tij, edhe si papë, ai e fut gruan në një rreth të mbyllur, duke i hequr identitetin. Gruaja është e tillë vetëm nëse e virgjër dhe nënë. "Roli i grave në Kishë nuk është vetëm amësia, nëna e familjes, por është edhe më e fortë: është pikërisht ikona e Virgjëreshës, ajo që ndihmon Kishën të rritet", thotë ai në rolin e papës ndërsa kthehet nga udhëtimi pastoral në Brazil, më 28 korrik 2013. "Zoti e krijoi gruan në mënyrë që të gjithë të kishim një nënë", përsërit në Santa Marta, më 9 shkurt 2017. "Kur dëgjoj të thonë se tre fëmijë janë shumë, trishtohem, sepse tre fëmijë për një çift janë minimumi i nevojshëm për të mbajtur stabël popullatën”, qe shprehur ai gjatë udhëtimit me avion ndërsa kthehej nga Filipinet më 19 janar 2015. Nëna po, por në mënyrë të moderuar, në mënyrë që ai të mos shqetësohet. Sidoqoftë, ai nuk qe trishtuar aspak kur, dhjetë vjet më parë, kreu i kapelanëve ushtarakë argjentinas*, Imzot Antonio Baseotto, deklaroi se González García, ministri pro abortit, do ta kishte merituar një gur të lidhur rreth qafës para se të hidhej në det. Zgjedhja e këtij imazhi, huazuar nga Ungjilli i Lukës (17, 1-2), i cili të rikujton fluturimet e vdekjes dhe tragjedinë që shënoi fatin e mijëra bashkëkombasve të tij dhe jetën e familjeve të tyre, duhet t’i ketë bërë përshtypje të thellë Jorge Mario Bergoglio-s. Kjo në anën pozitive. Pavarësisht nga incidenti diplomatik i provokuar nga Baseotto me qeverinë argjentinase, dhe për çdo gjë që në nivel emocional mund të evokojë një frazë të tillë ndaj familjarëve të të zhdukurve, papa e përvetësoi tetë vjet më vonë, më 11 nëntor 2013. Gjatë një predikimi në Vatikan, ai përmendi gurin në qafë dhe fundin në det për "të krishterët dhe priftërinjtë e korruptuar" nga ryshfeti. Ky sulm ngjalli admirim të thellë te të gjithë njerëzit e ligjit dhe medias në Itali. Pak rëndësi ka se mijëra bashkatdhetarë tanët (italianë) janë ndër viktimat e fluturimeve famëkeqe drejt vdekjes në det.

Aborti, gratë, të drejtat e njeriut. Ato që janë thënë deri më tani do të ishin të mjaftueshme për të mos i parë kurrë në të njëjtën fjali fjalët "Papa Françesku" dhe "E majta" ose "Revolucioni". Aq më tepër në një moment historik kulturor, siç është ai aktual, në të cilin gratë janë pa ndalur në qendër të një ofensive të dhunshme. Vrasjet, rrahjet, përndjekjet, përdhunimet e panumërta janë të zakonshme. Refuzimi dhe anulimi i identitetit të femrës shpesh çon në një përpjekje për shtrëngim dhe asgjësim fizik që kundërshton si procesin e emancipimit, pra njohjen e barazisë juridike dhe çlirimit, pra pranimin e një subjektivizimi tjetër të gruas. Emancipimi dhe çlirimi janë procese shumë delikate, ende në zhvillim e sipër. Në mënyrë që ato të realizohen, nevojiten ndryshime thelbësore në nivel kulturor dhe shoqëror, të cilat vetëm e majta si e tillë mund t’i ndërmarrë. Duke refuzuar para së gjithash përkrahësit e mentalitetit patriarkal dhe fetar që e duan të gozhduar në rolin e gruas dhe nënës. Midis këtyre, Papa Bergoglio është maja e diamantit. Për të qenë të sigurt që nuk do të lëmë pas asnjë dyshim, le të kujtojmë një tjetër episod. Kreu i Kishës, i cili më 2 shkurt 2014 nga ballkoni i sheshit “Shën Pjetër” paralajmëroi audiencën duke deklaruar:

"Jeta duhet të mbrohet që në barkun amësor deri në fundin e saj", është i njëjti prift që militoi në Guardia de Hierro, sektori rinor i peronistëve të djathtë. Guardia de Hierro më 1976, më i përgjakshmi nga shtatë vitet e diktaturës, i propozoi nderimin me “Honoris causa” për admiralin Massera. Titulli iu dha më pas gjenocidit të kazermave Esma në Buenos Aires, më 25 nëntor 1977, nga Universiteti i Salvador (Usal), pjesë e administratës së të cilit ishte edhe papa i ardhshëm. Dhe përsëri, kur bie fjala te kapelanët e ushtrisë, duhet kujtuar historia e Imzot Christian Federico von Wernich, ish-kapiteni i policisë i Buenos Aires me nofkën "prifti i djallit". Ai vuan dënimin me burgim të përjetshëm që nga tetori i vitit 2007, sepse gjykata federale e La Plata e ka shpallur fajtor për krime kundër njerëzimit, për pjesëmarrje në 6 vrasje, 31 raste torturash dhe 42 rrëmbime. Para familjeve të viktimave, të mbijetuarve dhe gjyqtarëve, ai gjithmonë e ka deklaruar veten krejt të pafajshëm, në kuptimin që ai kurrë nuk kishte bërë asgjë të gabuar. Duke komentuar vendimin, që thekson "dhimbjen e shkaktuar nga pjesëmarrja e një prifti në krime shumë të rënda", kardinal Bergoglio e kufizoi veten duke folur për nevojën për "pajtim", duke theksuar më tej se Argjentina duhej të largohej "si nga mosndëshkimi, edhe nga urrejtja dhe mëria”.

Është sikur të thuash, "harroje të kaluarën". Një privilegj që vlen për një torturues vrasës sadist, dhe që ende zbatohet sot pasi Von Wernich as nuk është penduar dhe as shkarkuar nga kleri, por jo për një grua që, nëse vendos të ndërpresë një shtatëzani, ushtron një të drejtë, mbron shëndetin e saj psikofizik dhe nuk vret askënd (sepse fetusi është fetus dhe kush nuk ka lindur, nuk mundet as të vdesë). "Çlirim nga mëkati i abortit vetëm nëse ka pendim", përsëriti Papa Françesku në nëntor 2016 në prag të jubileut të jashtëzakonshëm. Me këtë CV interesante në xhep, aspak të panjohur dhe me të vërtetë të vështirë për t’u llogaritur në "të majtën" dhe në panteonin e laicitetit, më 13 mars 2013 Jorge Mario Bergoglio, i cili sapo ishte emëruar Papë, u shfaq në ballkonin e famshëm dhe tha "mirëmbrëma". Menjëherë ngjalli entuziazëm dhe fiton besim të pakushtëzuar. Lista e lajkave servile parlamentare dhe jashtë parlamentare në të majtë është shumë e gjatë. Mjafton këtu të kujtosh fjalimin e fundit para sindikalistëve të CISL, gjatë së cilit Papa Françesku anatemoi "pensionet e arta" si "një ofendim për punën". Të gjithë biem dakord që disa shuma mujore janë të pahijshme, por askush nuk ka ngritur vetullën për t’i treguar Beroglios se shteti italian i jep këto pensione në bazë të ligjeve italiane. Çfarë lidhjeje ka ai me të? Aq më pak - nga e djathta në të majtë, duke kaluar nëpër sindikata - ka qenë dikush që ka guxuar të kujtojë se shteti italian gjithmonë paguan pensione “të parfumosura”, për shembull, për kapelanë ushtarakë që u përgjigjen urdhrave të hierarkisë së Vatikanit. Përkundrazi.

Përballë një heshtjeje të rëndë (të turpshme) mbi ndërhyrjen e një kreu shteti të huaj në çështjet italiane, gradualisht është rritur një dallgë adhuruesish (po aq e sikletshme) të medias dhe opinionistëve për "ndjeshmërinë" e papës ndaj punëtorëve të paguar. Ky është reagimi pasi jezuiti argjentinas shqiptoi "mirëmbrëma-n" fatale katër vjet më parë. Një reagim që nuk merr parasysh asnjëherë moszbatueshmërinë e një vizioni laik - domethënë, që nis nga respektimi i të drejtave të patjetërsueshme të njeriut dhe nga mendimi se ne të gjithë jemi qenie njerëzore që në lindje - në një organizatë si ajo e Kishës Katolike, e cila për nga natyra dhe kultura e saj i kundërshton pikërisht këto parime. Është me të vërtetë e nevojshme t’u kujtojmë tifozëve progresistë të Papa Françeskut se ai, përveç që është kreu i një feje monoteiste që beson në mëkatin origjinal dhe në ekzistencën e djallit, është një monark absolut të cilit i binden dhe që ka fuqi legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore në bazë të një zgjedhjeje të bërë nga një kastë prej rreth 200 personash, të gjithë burra? Çfarë ka të majtë në këtë? Dhe laike? Rastësisht ka diçka laike dhe të majtë nga e cila duhet të frymëzohemi, në linjën e zakonshme të politikës së markës jezuite, e cila konsiston në qortimin e shfrytëzuesve dhe në të njëjtën kohë në predikimin e butësisë kundrejt tyre, të përmbledhur në mënyrë të shkëlqyer nga Papa Françesku në fjalimin e mbajtur në 4 shkurt 2017 gjatë një takimi me lëvizjen e Focolar-ëve? Në botën ideale të Papa Françeskut të pasurit mbeten të pasur dhe të varfërit mbeten të varfër.

"Të varfërit duhet të mos i lëmë vetëm". Asgjë nuk është thënë ose bërë gjë për t'i nxjerrë ata nga varfëria. A është kjo ideja e re e barazisë së të majtës? Bergoglio e ka thënë qartë, thjesht lexoni këtë fjali. “Jo"-ja për një ekonomi që vret, të bëhet "po" për një ekonomi që jep jetë, sepse ajo ndan, përfshin të varfërit, përdor fitimet për të krijuar bashkësi". Ajo "ekonomi që përfshin të varfërit" është aty për të thënë se realiteti shoqëror i këtyre njerëzve është i pandryshueshëm për Papën. Ne jemi larg nga një ekonomi që prodhon të ardhura dhe rishpërndan pasurinë në mënyrë të drejtë duke hequr "pengesat e një rendi ekonomik dhe shoqëror, të cilat, duke kufizuar në mënyrë efektive lirinë dhe barazinë e qytetarëve, parandalojnë zhvillimin e plotë të qenies njerëzore". Kështu është shkruar në paragrafin e dytë të nenit 3 të Kushtetutës tone laike. Për t’i ridhënë vrull të majtës, a nuk janë këto fjalë më të dobishme se ato jezuitit Papa Françesku? Pyetje e panevojshme.

Më në fund, le të kthehemi te aktualiteti i rreptë dhe mënyra me të cilën Papa po zhvillon betejën e tij të pretenduar kundër pedofilisë në radhët e klerit. Çfarë ka laike dhe njerëzore në të cilësuarit krim kundër moralit, domethënë një ofendim ndaj Zotit, përdhunimin e një djali tre vjeçar nga një i rritur në të pesëdhjetat? Dhe sërish, lidhur me tejkalimin e pabarazive, a është ndoshta laike dhe e majtë fraza e shqiptuar nga Papa Bergoglio më 8 janar 2014? "Një fëmijë i pagëzuar nuk është njësoj me një fëmijë të papagëzuar", tha ai në audiencën e përgjithshme në Santa Marta. Këto fjalë mund të refuzohen në mënyra të ndryshme, mjafton të citosh një për të gjithë: një fëmijë i pagëzuar nuk është njësoj si një foshnjë hebre. Në thelb është ideja jo saktësisht laike dhe e majtë sipas të cilës identiteti njerëzor jepet nga pagëzimi. Nëse nuk ka pagëzim, nuk ekziston as identiteti dhe barazia midis qenieve njerëzore. Pretendimi që Bertinotti, Pisapia, Renzi, Fassina e shumë të tjerë kanë për ta treguar atë si udhërrëfyesin moral të shoqërisë sonë, përplaset me këtë vizion të natyrës njerëzore që i dallon katolikët nga ata që nuk janë të tillë. Është një vizion i lindur nga një kulturë që ka përshkuar deri më tani historinë e mijëvjeçarit pak ndërtues të institucionit që përfaqëson Papa Françesku, i shenjuar nga intoleranca ndaj feve të tjera monoteiste, nga dhuna e padëgjuar ndaj grave dhe heretikëve dhe nga abuzimi psikologjik dhe fizik mbi të miturit që i janë besuar për t’u kujdesur për ta.

Meqë jemi te pedofilia, pa qenë e nevojshme të shkohet shumë larg në kohë, ja një nga pasazhet më domethënëse të akt-akuzës së ashpër të Kombeve të Bashkuara kundër Selisë së Shenjtë për ambiguitetin e saj në mënyrën si e administroi pedofilinë e klerit, e përpunuar në 2014 nën Konventën e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e fëmijës: "Komisioni është thellësisht i shqetësuar sepse Selia e Shenjtë nuk e ka njohur shkallën e krimeve të kryera, as nuk ka marrë masat e nevojshme për të trajtuar rastet e abuzimit seksual dhe për të mbrojtur fëmijët, dhe sepse ka miratuar politika dhe rregullore që kanë favorizuar vijimin e abuzimeve dhe mosndëshkimin e përgjegjësve".

Konventa në të cilën aderon Selia e Shenjtë, parashikon si klauzolë të pashmangshme për firmëtarët detyrimin për të miratuar çdo masë të mundshme për të mbrojtur të drejtat themelore të të miturve dhe për t’i mbajtur larg çdo situate risku ndërsa rriten. Sipas Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijëve, thelbi i Konventës është shkelur vazhdimisht dhe qartë nga Vatikani, siç mund të shihet nga raporti i publikuar në 5 shkurt 2014 në fund të një hetimi të gjerë, të nisur në korrik 2013. Pa i përmendur, OKB-ja, pra, ka drejtuar gishtin nga tre krerët e fundit të Kishës: Françesku I, Benedikti XVI dhe Gjon Pali II. Referimi i mangësive rregullatore nuk është i rastësishëm dhe është ende i vlefshëm. Po, për shkak se shtrëngimi shumë i vlerësuar i normave penale, i zbatuar nga Françesku, për çfarë mund të shërbejë vërtet nëse për "mëkatarët" dënimi konsiston në atë që duhet të thonë me shumë “Ave Maria” në një manastir? Për sa kohë që në Vatikan dhuna ndaj fëmijëve do të vazhdojë të konsiderohet mëkat dhe jo krim, d.m.th., një krim ndaj njeriut, "toleranca zero" ndaj pedofilisë kishtare që shpesh kemi dëgjuar të përmendet së pari nga Benedikti XVI dhe më pas nga Bergoglio, do të jetë njoftimi i një fundi në vetvete. I aftë vetëm për të bindur një pjesë të opinionit publik se diçka vërtet po ndryshon pas dekadash bashkëpunimi me mijëra pedofilë dhe një seri angazhimesh të pambajtura.

Ky është çelësi për të kuptuar pse Papa Françesku fillimisht vendosi t'i besojë priftit George Pell drejtimin e super-ministrisë së Ekonomisë, duke mbyllur veshët para paralajmërimeve të marra kudo, dhe pastaj ta linte të ikte kur ai ishte bërë i pambrojtshëm para opinionit publik. Mbi të gjitha mendimet e një pape është gjithnjë mbrojtja e institucionit. Qëllimi kryesor është të ruhet imazhi dhe emri i mirë. Gjithmonë. Njerëzit nuk kanë rëndësi. "Vatikani i pari", mund të themi duke parafrazuar Trump. Së pari është Kisha, atëherë, nëse mbetet kohë dhe hapësirë, mund të kujdesen për njerëzit (nëse janë të pagëzuar). Por edhe këtu ka hierarki. Mendimi kryesor i Papës nuk janë viktimat e priftërinjve pedofilë që kanë pritur drejtësi për 40 vjet në Australi, por prifti i përfolur, të cilit ai i dha shpresën se do të shkojë dhe të mbrohet në atdhe. Me qëllimin për ta mbajtur këtë hije të errët larg Selisë së Shenjtë. Dhe nëse jeni akoma të hutuar, mos harroni se ai e bëri sërish. Me dorëzimin e çelësave të Kongregatës për Doktrinën e Fesë (CDF), organizmi i Selisë së Shenjtë, ku janë përqendruar gjykimet më të rënda për pedofilinë, tek arqipeshkvi jezuit Luis Francisco Ladaria Ferrer. Dhe çfarë janë arritjet e këtij kleriku? Në vitin 2012, kur ishte sekretar i CDF, ai vendosi firmën e tij së bashku me prefektin e atëhershëm Levada në vendimin e dënimit të një prifti pedofil, për të cilin kërkoi të mos bëhej publik lajmi. Dhe çfarë ndodhi me këtë zotëri? Pasi iu dha falja për pendesë, me veladonin veshur vendosi të bëhej trajner i një ekipi rinor futbolli. Pavarësisht nga dënimi, shumë familje ia besuan fëmijët e tyre. Në vitin 2015 ai u arrestua, këtë herë nga policia italiane. Ai dyshohet se ka përdhunuar të paktën dhjetë prej fëmijëve. E megjithatë, Jorge Mario Bergoglio është një revolucionar, u lan këmbët të burgosurve dhe thotë "mirëmbrëma”.

Shënim: Titulli origjinal është: Un tipo sinistro. Sinistro ka dy kuptime, i majtë, por edhe djallëzor, kërcënues, që parathotë të keqen. Për këtë arsye vendosëm një titull - kompromis: Mëngjarashi, nisur nga paragjykimi tradicional për mëngjarashët, i përhapur edhe në ambientin kristian, por edhe fakti se ruan kuptimin fillestar të pretendimit për të qenë një Papë i majtë. Ndaj kërkojmë që ky titull të mos merret si fyerje nga ata që janë aktivë me dorën e majtë. 

*Prifti i caktuar në shërbimin fetar në organe ose institucione të caktuara, në rastin konkret në ushtri

Burimi: Left.it

Përkthimi për ResPublica: Gazmira Sokoli

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Katolicizmi eshte nje nga religjionet me te perhapura ne Bote. Si i tille ka shenjuar historine e njerezimit te pakten qysh nga shizma e madhe. Me kollaj se sa te merresh me cfare thote Papa sot, apo cfare ka bere Papa kur ka qene ne moshe me te re dhe ne funksione te tjera brenda Kishes Katolike te Argjentines, nese ke qellim te stigmatizosh Katolicizmin mund te permendesh Inkuizicionin, diegien ne turra drush njerezish te pafajshem etj. etj. qe detraktoret e katolicizmit i kane perdorur me kohe. Le te permendim qe rastet e bashkepunimit te klerikeve te feve te ndryshme me rregjime me shume apo me pak humane gjate historise jane te pafundme, po keshtu edhe mosdemaskimi i rregjimeve jo humane nga kleriket eshte dicka qe ndeshet jo rralle ne histori. Po meqe jemi ketu perse nuk flasim edhe per persekutimet qe kane pesuar kleriket e religjioneve te ndryshme gjate historise, pikerisht per shkak te religjionit te cilit i perkisnin??? Ne shqiptaret e dime me mire se shume te tjere kete pune.

Le te vime tek ceshtja e abortit. Kjo ceshtje mund te shqyrtohet edhe jashte qendrimit qe mban Kisha Katolike per kete problem. Ka edhe levizje te tjera te quajtura "Pro jetes" pa natyre religjoze dhe qe jane kunder abortit. Te thuash qe fetusi eshte fetus dhe te vazhdosh "diçka qe nuk ka lindur, nuk mund te vdese" eshte thjesht semantike e dobet. Shkenca eshte ende e pavendosur se kur egzaktesisht eshte momenti qe fetusi mund te konsiderohet NJERI i GJALLE. A ka fetusi zemer? Kur fillon e rref ajo? A ka fetusi tru? A mund te thote kush me siguri se ne cfare momenti te shtatezanise truri i fetusit eshte i afte te vetedijesohet, qofte edhe ne shkallen me te ulet. Dua te them se te mbash qendrim pro jetes nuk eshte as reaksionare, as anti njerezore (perkundrazi), as kunder te drejtave te njeriut (mami na qenka njeri, kurse fetusi nuk ka te drejte meqe eshte i pafuqishem te vendose per fatin e vet, kurse mami, per nje mije arsye te paarsyeshme mund te marre vendimin te vrase nje qenie te pambrojtur). Mami nqs nuk do femije le te kete me shume kujdes kur ben ate punen qe dihet nga te gjithe se mund ta leje shtatzene, apo jo?

Pedofilia?? Totalisht e ndeshkueshme nga cdo lloj morali, ligji ose edhe instinkti njerezor. Prifterinjte qe e kane ushtruar duhen gjykuar dhe ndeshkuar njelloj si mesuesit, si traineret e sporteve, apo te gjitha kategorite e profesioneve te tjera qe per natyre jane ne marredhenie me te mitur. Te ndeshkosh prifterinjte pedofile eshte plotesisht e drejte dhe e padiskutueshme, te perdoresh pedofiline e ketyre prifterinjve si argument kunder Katolicizmit eshte nje perpjekje per te diskredituar Katolicizmin, njelloj sikur te perdoresh pedofiline e mesuesve per te diskredituar shkollen ne pergjithesi, ose pedofiline e trainereve te sporteve per te diskredituar sportet dhe te kufizosh pjesmarrjen e femijeve ne sporte. Statistikat tregojne qe numri i mesuesve qe angazhohen ne marredhenie seksuale ose qe ngacmojne seksualisht nxenesit e tyre eshte shume me i madh se numri i klerikeve qe kryejne pedofili. Jo i paket eshte edhe numri i trainereve qe e bejne nje gje te tille.

SI perfundim i ketij komenti te shkurter dua te them se religjionet ne pergjithesi jane trashegimi kulturore e njerezimit. Si te tille, nqs pranojme te drejten per te besuar si te drejte themelore te njeriut atehere edhe kritika e besimeve dhe atyre qe i perfaqesojne ato nuk duhet bere me keqdashje te hapur me qellim diskreditimi, por me dashamiresi dhe duke u perpjekur te mos lendohen ndjenjat e besimtareve, perderisa shoqerisht u eshte njohur e drejta per te besuar si e drejte themelore. E keqja nuk qendron tek religjioni si i tille, e keqja qendron tek njerezit qe duan te abuzojne me religjionin, ta perdorin ate per te dominuar te tjeret ose per perfitime te qarta vetjake. Kjo megjithate duhet luftuar brenda vete religjionit. Ateistet, komunistet ose gjithfarelloj "iluministesh" bejne mire te ndjekin normat e tyre morale dhe te mos u japin shume mend atyre qe nuk kane nevoje per ment e tyre. I vetmi perjashtim eshte rasti kur grupe te caktuara njerezish e perdorin religjionin si ideologji politike dhe justifikim per veprimet e tyre terroriste, por ne kete rast jane institucionet shteterore dhe organet ligj-imponuese qe duhet te kryejne detyren e tyre.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.