Teoria klinike e referendumit në vend të zgjedhjeve

Postuar në 21 Maj, 2019 18:28

Socialistët po shkojnë drejt 30 qershorit me vetëdijen se po konsumojnë një akt kushtetues në respekt të sistemit dhe demokracisë pjesëmarrëse. Çka sipas tyre do të thotë se ai që refuzon të futet në zgjedhje është i vetëpërjashtuar nga sistemi. Meqënese në 30 qershor nuk do ketë garë socialistët janë aq të aftë sa ta krijojnë atë, në mos ta shpikin për t’i dhënë legjtimitet procesit.

Kush më mirë se Erion Veliaj do jepte nje recetë për të legjitimuar një proces fallco! Ai që sfidon, shiun, breshërin, dioksidin e karbonit, rivalitetin, sistemin në tërësi ka dalë me teorinë e tij të zgjedhjeve pa opozitën, por kujdes, jo pa kundërshtarë. Kundërshtari është vetëvetja, bilanci, vesi, vetkënaqësia etj. Zoti Veliaj e interpreton 30 qershorin si referendum lokal. Ja se çfarë thotë:

“Në 30 qershor e kemi garën me veten. Pra, kemi garë që së pari, të japim llogari çfarë punësh bëmë, dhe në datë 30 qershor t’ju kërkojmë njerëzve se duam t’i vazhdojmë këto shkolla, këto kopshte, këto çerdhe, duam të vazhdojmë me ujësjellësin, duam ta zgjerojmë Bovillën, duam të vazhdojmë të mbjellim pemë, duam të vazhdojmë që Bregu i Lumit të jetë një zonë e mirë”- tha Veliaj gjatë fillimit të punimeve për një shkolllë në krah të Ulsi Manjës.

Nuk ka asgjë për t’u habitur. Është i njëjti personazh që i qëndron besnik gjendjes klinike që po kalon qëkurse ka hyrë në vallen e politikës publiçitare, konsistent në dublimin që i bën vetes si hero pozitiv që dominon mbi të keqen përtej tij.

Sugjeron të quhen referendum zgjedhjet, njeriu që ka refuzuar opisionin e referendumit kur bëhej fjalë për Teatrin Kombëtar apo Sheshin Skenderbej ku ai personalisht ka bërë lobistin që këto dy projekte të mbeteshin në dorën e klientëve të bashkisë pa pyetur nëse për këtë duhet të shpreheshin qytetarët. Tani propozon që emrin e tij të mos e shohim si kandidat ,por si fenomen social për të cilin populli duhet të flasë, ashtu siç i kërkohet të flasë. Pazarin e votës Erioni e bën hapur, ndërsa shpërndarjen e parave publike e diskuton me klientët e tij pa nevojën e referendumeve.

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me 100% te votave ne keshill bashkiak, qofte dhe per nje muaj, do tjetersohet trecereku i Tiranes. Pastaj hajde rimerri prape ato prona se do te perplasin koken gjykatat e arbitrazhet. Cheers!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.