Hipokrizia e përgjithshme ndaj një dhune të rreme

Postuar në 11 Maj, 2019 21:58
Skerdilajd Zaimi

 

Në vend se të diskutohet perspektiva e opozitës në këtë përballje ku është futur dhe me këtë rast e vendit mbarë, një pjesë e madhe e diskutimit medatik përqendrohet te aktet e dhunës që shoqërojnë protestën e saj.  Meraku i madh se po hidhen ca shishe molotov, se po nxihet me pak tym dera e kryeministrisë, apo se u dëgjuan ca kapsolla, vijnë si një vajtim fisnikësh dhe të përkorësh në një shoqëri që ditë përditë ka si lajm kryesor vrasjen, drogën, dhunën, akuzën, përbaltjen, vjedhjen, në televizor, jashtë tij, në kryeqytet dhe në periferi, në emigracion, në Europë e në botë.

Dhuna e gjithanshme është pjesë e pandarë e përditmërisë politike dhe sociale në Shqipëri. Por ja pra se kur dhuna shpaloset në spektaklin e saj në protestë, si koregorafi organike e së cilës është, një pjesë e shqiptarëve, padyshim ata më qytetarët, dalin e kërkojnë uljen e gjakrave. Dhunë të mos ketë, xhama të mos thyhen, pa se vidhen tendera, se ministrat janë më milionerë se dje, kjo nuk hyn te dhuna. Nuk hyn as te dhunimi i së ardhmes së gjithësecilit. Jo, ajo është pjesë e repertorit psikologjik të shqiptarit që vjedhjen e ka tipar kombëtar.

Dikush mund të dalë e të thotë, po pse me Berishën do bëhemi? Mos u bëni me Berishën, por në një vend ku nuk ka gjykata, ku kryeministri bërtet përditë burg, e kur vjedhjet miliona eurosh kalojnë si baltë ndaj qeverisë, pse jo, edhe Berisha është i legjitimuar të marrë hurin në dorë e të bëjë para se mos fiton ndonjë gjë.

Huri na ka ngleur të gjithëve. Jo vetëm kundër qeverisë, por edhe kundër njëri-tjetrit, kundër hipokrizisë vrastare që është esenca e marrëdhënieve tona dhe e diskursit publik. Shikoni sesi një grup njerëzish, të ashtuquajtur intelektualë, i kanë kthyer kurrizin të gjitha kauzave, sesi disa mender aktorë pasi kërcënuan se do merrnin hunjtë për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar, heshtën, ulën kokën, e kush e di se çfarë tjetër. Huri na ka mbetur të gjithëve për të ndarë shapin nga sheqeri dhe për të kuptuar më në fund se edhe të pranosh recetën e pushtetit të “shumicës së ndershme dhe të heshtur” është të dhunosh veten deri në një pikë moskthimi.

Ka folur sot Edi Rama. Qeverisë nuk keni se çfarë t’i bëni, ka thënë. Patjetër. Qeverinë nuk e luan asgjë, sepse ajo buron nga Populli. Opozita dhe ata që janë kundër qeverisë duhet të jenë gandistë përballë banditëve, sepse kështu e ka sistemi, apo se kështu thonë ambasadat. Sot është kujtuar edhe Gramoz Ruçi – në Facebook u pa – të flasë e t’I kujtojë burgun kreut të PD-së. Mesa duket ato flakë i kanë prishur rehatinë socialistëve të cilët tani duhet të mendojnë për pazarin e radhës.

Asnjë prej këtyre nuk është kaq trim sa hiqet. Por asnjë nuk e ka në fakt frikë këtë dhunë që sot vendoset në prozhektorin e paqedashësve të PS-së. Sepse ajo është dhunë performative e një opozite që po kërkon rrugëdalje, por që dëme bën. Dhuna e vërtetë, ajo që buron me të vërtetë nga zemërimi nuk ka dalë ende në rrugë. Për atë edhe mund të kishte kuptim apeli për qetësi, pasi për këtë teatër bulevardi nuk ka nevojë të aktrohet roli i të shqetësuarit. Ndaj teksa numërohen kapsollat dhe protestat e dhunshme, na duhet të presim e të shohim sesi zemërimit po i hiqet detonatori për ta shndërruar atë në apati finale të një shoqërie që nuk po di më ku të trokasë për të gjetur shpëtim.

Është dyfish hipokrit pra ky alarmi për dhunën e protestave të cilat janë një mjet mbijetese politike për Lulzim Bashën, por jo një grusht mbi qeverinë, e cila ende nuk i ka hapur llogaritë me ata që e vuajnë Shqipërinë si burg të mënyrës sesi ajo vendos dhe drejton.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.