Mesazhi i Francës për kapitalizmin është i thjeshtë: Përshtatu ose vdis

Postuar në 18 Mars, 2019 23:40
William Horobin/Bloomberg

Franca po lëshon një alarm për ekonomitë e përparuara të botës: kapitalizmi po i dëmton.

Presidenti Emmanuel Macron dhe ministri i tij i Financave, Bruno Le Maire, po përdorin presidencën franceze të G7-s për të argumentuar se sistemi ushqen pabarazinë, shkatërron planetin dhe është joefektiv në arritjen e qëllimeve në interesin publik. Vendi ka përjetuar tashmë disa nga pasojat e para të lëvizjes së “jelekëve të verdhë” që shpërtheu në fund të vitit të kaluar.

Atje po ecet drejt një riformatimi fiskal që përfshin taksat minimale të përgjithshme dhe taksa më të larta për gjigandët e teknologjisë si Amazon dhe Facebook. Ka një jehonë të kësaj te socialistët demokratë të vetëshpallur në SHBA dhe në zyrën e kongresistes Alexandria Ocasio-Cortez, të cilët javën e kaluar thanë se "kapitalizmi është i parevokueshëm".

"Nëse nuk shpikim një kapitalizëm të ri, zgjidhjet ekonomike absurde do të fitojnë dhe do të na çojnë drejt recesionit", tha Le Maire në një intervistë në fund të muajit të kaluar.

Shembull kyç për të është Italia, ku qeveria populiste erdhi në pushtet duke përdorur një valë zemërimi publik. Shumë shpejt ajo hodhi poshtë rregulloren mbi përgjegjësinë fiskale, i rriti yield-et e obligacioneve dhe uli besimin, duke ndihmuar për ta shtyrë ekonominë drejt rënies.

Në moshën 49-vjeçare, Le Maire është ministri më i ri i Financave në mesin e homologëve të tij në G7. Ambiciet e tij të mëdha gjithashtu përfshijnë luftimin e pabarazisë në të ardhura, fuqizimin e qeverive për të ndërhyrë në ekonomi dhe detyrimin e kompanive për përgjegjësi shoqërore, duke ndarë më shumë nga fitimet e tyre me punëtorët.

Ndërsa disa masa të pabarazisë në të ardhura kanë rënë, FMN-ja thotë se kjo reflekton rritjen në shumë ekonomi në zhvillim. Shumë prej tyre ende mendojnë se nuk po marrin një pjesë të mirë për shkak të pabarazive të pagave, përqendrimit të madh të pasurisë dhe niveleve të varfërisë në punë.

Thirrja e Le Maire-it “nën armë” është reflektim i një paniku të përhapur në demokracitë perëndimore lidhur me zemërimin e votuesve. “Pickimi” i ardhshëm mund të vijë në zgjedhjet e Parlamentit Europian në maj, kur politikanët euroskeptikë janë të vendosur për përfitojn më tej nga situata.

"Kapitalizmi funksionon kur shumë njerëz kanë shansin për të vepruar në mënyrë të arsyeshme në treg", tha Raghuram Rajan, ish-guvernator i Bankës Qendrore të Indisë, i cili ka shkruar një libër mbi "komunitetet" dhe rikonceptimin e kapitalizmit. "Ne kemi humbur 10 vjet që nga kriza financiare, duke mos u përqëndruar në këto gjëra dhe duke shpresuar se stimujt njëri pas tjetrit do të nxisin disi rritjen", thotë ai.

Në Francë, përgjigjja e qeverisë ndaj “jelekëve të verdhë” ishte për të hedhur para për problemin, por ka pasur gjithashtu një ndërgjegjësim se vetëm kaq nuk mjaftonte.

Macron, me një diferencë të ngushtë me Marine Le Pen të Bashkimit Kombëtar, nisi atë që e ka quajtur "debati i madh" kombëtar, në kuadër të të cilit, ai vetë dhe ministrant, dolën nëpër qytetet e vendit për të dëgjuar problemet e frnacezëve.

"Nuk mund ta luftosh populizmin me premtime të njëjta", thotë kryeekonomisti i Societe Generale, Michala Marcussen.

Le Maire i ka bërë llogaritë gabim edhe më parë. Para dy vitesh, si një drejtues shpresëdhënës për qendrën e djathtë, Les Republicains, ai propozoi një version të kontratave gjysmë të paguara të Gjermanisë me kohë të pjesshme të njohur si mini-vende pune, të cilat ai besonte se, më së paku, do t’u jepte njerëzve një punë dhe do të ulte papunësinë.

Tani edhe vetë ai e pranon se ky ishte një një gabim. Ai u “rrëzua” nga zgjedhjet primare presidenciale me më pak se 3 përqind të votave.

Pra, tani ai po mbron politikat që i japin rëndësi punësimit. Një projekt-ligj në parlament ka për qëllim të përmirësojë skemën e ndarjes së fitimit, të shpikur nga Charles de Gaulle, dhe gjithashtu mund të detyrojë kompanitë të publikojnë pagat mesatare për të qenë transparente në lidhje me pabarazitë.

"Nëse duam që kapitalizmi të na mbajë bashkë, puna duhet të paguhet më mirë", tha Le Maire. "Vjen një moment kur punëtorët nuk do të tolerojnë më".

Krahas ndryshimit të marrëdhënieve midis punës dhe kapitalit, Le Maire gjithashtu dëshiron një rishikim të lidhjeve midis shtetit dhe kapitalit.

Por kjo vjen me kundërefektet e veta: ai dëshiron t’u pengojë fluturimin gjigandëve të teknologjisë globale, ndërsa përmbys ligjin e konkurrencës për të lejuar krijimin e kampionëve evropianë. Pikëpamja e Le Maire-së është se ka pak zgjedhje nëse Evropa nuk dëshiron të jetë e varur nga gjigantët e SHBA-së apo kinezëve.

"Për të financuar këtë model të ri kapitalist, na mungojnë paratë, kaq e thjeshtë është“, është shprehur ai. "Është shumë mirë të thuhet se do të jemi në gjendje të ndryshojmë kinezët, por mendoj se mbi të gjitha duhet të jetë fakti se si kinezët do të na ndryshojnë ne".

TvT

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.