As Thaçi, as Vuçiçi, e ndan "Letra e Çurçillit"

Postuar në 02 Janar, 2019 16:31

Mediat serbe po flasin së fundmi për zgjedhje të reja nisur nga vala e protatestave që kanë nisur kundër presidentit aktual, Aleksandër Vuçiç. Opozitarizmi ndaj Vuçiç ka një karakteristikë të vetën: ai nuk udhëhiqet detyrimisht nga kredoja filoperëndimore, as edhe e asocion veten me Perëndimin.

Në një prononcim të vetin, ish-ministri i Jashtëm Vuk Jeremiç, një prej organizatorëve të protestës ka deklaruar ndër të tjera se:

Rusia mbështet Serbinë, por jo autoritetet në pushtet

Rusia luan në Serbi rolin që në Shqipëria po Kosovë e kanë SHBA-të dhe ambasadori i saj. Loja e vockël e ballkanasve vërtitet dhe përfaqëson një luftë më të madhe interesash të fuqive të tjera që po përballen në Ballkanin Perëndimor më ashpër se më çdo moment tjetër në dekadat e fundit. Madje më ashpër edhe sesa gjatë vitit 1999. Kjo ka disa arsye dhe një ndër to është se diçka ka ndodhur në Perëndim, ndërkohë që diçka ka ndryshuar edhe në Rusi. Kjo e fundit nuk është aq e dobët sa dy deklada më parë, kurse Perëndimi është më i çorganizuar dhe më i dobët. Po kështu aktorë të fuqishëm në Perëndim kanë hequr dorë nga qëndrimet parimore që përputhin politikën e jashtme me parimet e shpallura. P.sh në Ballkanin Perëndimor po kërkohen zgjidhje pragmatiste dhe praktike, të cilat edhe për disa kohë faktorizojnë njerëz si presidenti kosovar Hashim Thaçi, apo kryeministri shqiptar Edi Rama.

Mirëpo dështimi i dialogut Kosovë-Serbi nën formatin europian ka sjellë disa implikime të tjera. Në një deklaratë të para disa ditëve, ministri i Jashtëm serbe, Ivica Daçiç, u kundërpërgjigj ndaj kërkesës kosovare për përfshirje në dialog të SHBA-së duke bërë të qartë se çdo ndryshim në format i jep të drejtë Serbisë të kërkojë përfshirjen në dialog të Rusisë dhe Kinës. Ky qëndrim ka rëndësi të trrefishtë: së pari ai apelon për kahjen e rreshtimit të Beogradit në dialog, duke e parë SHBA-në si fuqi kundërshtare të interesave serbe, së dyti ai invokon autoritetin e Rusisë përkrah autoriteteve serbe duke I dhënë përgjigje spekullimeve të tipit Jeremiç dhe së treti, aty shtohet edhe Kina në pozitë të barabartë me Rusinë.

Kjo e fundit është një aleate e vjetër dhe tradicionale e Serbisë, e cila së fundmi ka një problem jot ë vogël legjitimiteti me aneksimin e Krimesë. Për këtë arsye Kremlini ka interes të vetin të jetë pjesë e një eksperimentimi të tillë ku disa fuqi diskutojnë në klub të mbyllur çështje të rëndësishme si kufijtë. Presidenti rus, Vladimir Putin ka hequr disa herë paralele mes Kosovës dhe Krimesë, ndonëse jo përherë në konvergjencë me interesin serb.

Kina është “surpriza” e kësaj diplomacie. Një vend që është në rritje dhe me rivalitet të hapur me SHBA-në, një vend që ka problemin delikat të Tajvanit dhe që së fundmi përballet me një luftë tregëtare me Amerikën, ftohet në tryezën e diskutimit për një çështje që është gjeografikisht dhe strategjikisht europiane.

Është e qartë se qoftë SHBA-ja me palën kosovare nga jëra anë, qoftë Serbia me Kinën dhe Rusinë nga ana tjetër, po dërgojnë në periferi Europën e zënë si përherë me dobësitë e veta themelore dhe e pavullnetshme që të heqë dorë nga disa parime që në të vërtetë janë garancia e vetme e mbetur se ajo nuk do t’i rikthehet profilit të vetë dikurshëm.

Është e vështirë të imagjinohet që këto tri fuqi të diskutojnë qetësisht për Kosovën, e cila shërben si epruveta e asaj që Rusia dhe Kina do të thonë nesër për Krimenë dhe Tajvanin. Kina ka madje arsye shumë serioze të jetë pranë Serbisë në këtë përballje edhe pse mbështetja e saj nuk ka qenë asnjëherë e pakushtëzuar dhe ideologjike, as në Vietnam, as në Kore.

Në një shkrim të gjatë në revistën e njohur “The Diplomat”, dy akademikët, Philipe Le Corre dhe Vuk Vuksanoviç, përshkruajnë kompleksitetin e marrëdhënieve serbo-kineze dhe sidomos penetrimin ekonomik të Kinës. Investime në infrastrukturë, hua të shumta, por edhe mbështetje e plotë për çështjen e Kosovës. Pekini zyrtar nuk lëviz nga politika e vet që rrjedh nga Rezoluta 1244, garanci e klauzolave të rendit ndërkombëtar që si ajo si Rusia nuk duan ende ta shpërfillin, sa kohë që nuk kanë ende forcën për të imponuar lojën e tyre. Serbia nuk ka lënë mangut respektin ndaj miqve kinezë duke pranuar p.sh zbatimin e kontratave të ndryshme me kushte të pazakonta si përdorimi i materialeve kineze dhe drejtimi i punimeve nga menaxherë kinezë. Në shkrimin e tyre autorët vënë në dukje se Serbia ka lëshuar veten në ndikimin rus dhe kines për shak të pasigurisë që ofron anëtarësimi hipotetik në Bashkimin Europian. Por duket se depërtimi kinez dhe ai rus asodiohet me sentimentin antiperëndimor të një pjese të shoqërisë serbe. Autorët referojnë një sondazh të vitit 2017 që e vendos Kinën në vendin e dytë pas Gjermanisë si “investitorë të besueshëm”, para SHBA, Rusisë dhe BE-së si të tërë.

Ka një shqetësim të qartë të BE-së – përfshirë Berlinin – se Kina do të përdorë Ballkanin si një pikë hyrjeje në tregun europian dhe do të përpiqet të promovojë modelin e vet politik në vende me qeverisje të dobët si kundërvënie ndaj modelit europian të demokracisë liberale. Por teksa BE-ja po përballet me ndarje përherë e më të mëdha për një numër çështjesh, duket jorealiste që të parashikosh hyrjen  e Ballkanit në Union, duke ja lënë kështu Kinës dhe të tjerëve të zënë atë që duket deri diku si hapësirë boshe

mbyllet shkrimi.

Është mesazhi I njëjtë me atë që vjen nga zyrtarë të lartë Perëndimorë: në Ballkan po hedhin rrënjë influencat malinje.

Por pse duhen quajtur të tilla investimet e ardhura në Ballkan, ndërkohë që BE-ja vetëm ligjëron për ndikimet negative ndërkohë që ka përgjegjësinë e madhe se ka mbështetur liderë autoritarë dhe të korruptuar në emër të stabilitetit? Pse vihet në pikëpyetje stabiliteti i Maqedonisë p.sh nëse do të qeveriste Gruevski që doli parti e shumicës dhe jo kur qeveris Zaev që është marionetë e tjetërkujt?

Këto janë pyetje që nuk kanë marrë përgjigje, ndërkohë që për Shqipërinë ku kaq shumë flitet për këto ndikime, nuk ngrihet asnjë shqetësim i këtillë.

Rrokada të tilla në fakt kompromentojnë vetë qasjen europiane duke e bërë demokracinë të duket një shfaqje cirku me regji qendrore, ku aktorët hyjnë e dalin sipas një radhe. Është ajo që perceptohet me deklaratat e ambasadorëve të BE-së dhe SHBA-së në Tiranë që shiten si urdhër dhe politikë e jashtme e qendrave kryesore. Burokratizimi i politikës së jashtme dhe reduktimi i saj në një sasi fjalish kanë lejuar këtë situatë. Nëse e shohim nga perspektiva shqiptare ne edhe sot nuk e dimë p.sh se çfarë mendon BE-ja dhe SHBA për ndarjen e Kosovës, kush qëndron realisht pas Hashim Thaçit, çfarë roli ka Edi Rama në propozimin e shkëmbimit të territorit? Ku dallon kjo heshtje nga politika kineze dhe ajo ruse?

Gjithë ky lëmsh provon atë që u pa më së miri edhe në Luftën e Ftohtë; përdorimi i politikanëve lokalë në përmbushjen e disa synimeve pa zbuluar panoramën më të gjerë. Zoti Thaçi mund të shesë çdo marrëveshje si arritjen e vet, ndërkohë që edhe Vuçiç mund të flasë me zemër në dorë për Serbinë që nuk e lëshon Kosovën. Në fakt të gjithë këta e kanë lëshuar detyrën e tyre për të bërë konen e më të mëdhenjve në një proces që nisi si paqe europiane dhe luftë e të drejtave dhe po përfundon si Pazar i zakonshëm i shekullit të 20-të, e që na kujton në terma të miniaturës letrën e famshme të Çurçillit për Stalinin me përqindjen e influencës në Ballkan dhe në Europën Qendrore. Si zakonisht Shqipëria nuk përmendet fare…

s.zaimi

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.