Kordon sanitar ndaj partive që protesta të mbetet interes i qytetarëve

Postuar në 10 Dhjetor, 2018 18:38

Kryeministri ka deklaruar sot gatishmërinë për të zgjidhur një sërë kërkesash të studentëve protestues. Sidomos sa i përket tarifave. E megjithatë përfaqësues të këtyre të fundit vijojnë të këmbëngulin të paktën në dy pika: arsim falas dhe dyfishim i buxhetit për arsimin.

Le të zëmë për një moment se me këtë kërkesë do të bihet dakord nga të gjithë na parim. Për cilën arsye këto kërkesa të cilat kërkojnë diskutim të gjerë dhe specializuar vihen në mënyrë ultimative? Këtë duhet ta thonë vetë studentët që nesër thuhet se do të jenë më shumë në Tiranë për të protestuar.

Nga ana tjetër protesta në mënyrën sesi dha përgjigje sot kreu i qeverisë, është ezauruar në një pjesë të shkaqeve për të cilat nisi. Jo të gjitha. Ndaj këtu vijmë tek aspekti tjetër që është kryesori: nevoja për shndërrimin e protestës në një lëvizje politike apo në një organizim që duhet të faktorizohet si alternativë politike.

Sot që flasim protesta përballet me kurthin e dy partive opozitare dhe asaj në pushtet, dy të parat sepse duan të përfitojnë nga momentumi i saj, e treta sepse po pret që dy të parat të bëjnë gabimin në fjalë. Është e nevojshme që për të shmangur këtë proces studentët të kërkojën pedagogë apo qytetarë të spikatur që t’i përfaqësojnë, që të bashkohen me ta, që të ndahet kashta nga egjra.

Kjo nuk do të thotë që PD dhe LSI nuk duhet të protestojnë me studentët e tyre. Aspak. As me fermerët dhe qytetarët që kanë nisur të zënë kryqëzimet. Por ndarja duhet për të sqaruar mirë se ku fillon protesta e studentëve dhe ku vazhdon zanati i partive. Që nesër të gjithë të dimë se ku po e çojmë votën.

PD dhe LSI hyjnë në këtë lojë me barazimin në xhep. Me votë ato nuk vijnë dot në pushtet, fundja këtë e kanë pranuar edhe vetë. Mendje për të bërë opozitë reale nuk kanë dhe nuk duan. Ndaj pazari i tyre është të kapin ç’të kapin dhe në qeveri është dikush që nuk e ka për gjë të japë përherë shumëçka vetëm e vetëm bytha e tij të jetë rehat.

Një gjë duhet vënë në dukje: edhe kësaj radhe organizimi për protestë duket se është nxitur nga një organizatë e së majtës e cila nga mediat pranë PD-së po sulmohet rregullisht. Është për të ardhur keq, por edhe për të qeshur sesi pas 28 vjetësh janë po përfaqësues të së majtës që nisin protestën. Mos ndoshta “e djathta” e tipit kooperativist nuk ia del të shkundë kallot cerebrale të tranzicionit për të aktualizuar kërkesa reale? Apo thjesht është kapur peng nga ata që sot kanë marrë rolin e policit të trafikut në Facebook duke shkruajtur orë e çast: ja protesta aty, ja studentët atje, ja Kavaja e ja Lezha. U ka mbetur vetëm jeleku i policit rrugor për të përmbushur ëndrrën sezonale të atij që e bën Shqipërinë si gjthë Europa.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.