12 miljet e Kotzias

Postuar në 30 Janar, 2018 20:06

 Ka një përpjekje për të presuar në maksimum qeverinë për negociatatat e Korçës me Greqinë. Përveç faktit se ato janë mbajtur të fshehta, është deklarimi i fundit i ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, ajo që ka provokuar më shumë debate në Tiranë. Mesa duket Kotzias është njohës i mirë i teknikës mediatike dhe ia ka dalë të kushtëzojë me fjalët e veta raportin e së vërtetës për këto çështje mes qeverisë së Tiranës dhe qytetarëve shqiptarë. Pra nëse sot Kotzias tha se Shqipëria ka njohur shtrirjen 12 milje detare të ujërave territoriale të Greqisë, politika dhe media në Tiranë e kanë konsideruar atë si të vërtetë dhe mbi këtë ndërtohet edhe instrumentalizimi se Greqisë i është falur deti.

Është po ajo lojë që z. Rama luajti me marrëveshjen e 2009-ës, ndonëse sot ka si alibi të fortë vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e rrëzoi atë dokument. Në reagimin e vet, Ministria e Jashtme e Shqipërië sqaron se për marrëveshjen e detit me Greqinë ajo do t’i përmbahet “parimeve të Konventës për të Drejtën e Detit ku të dy shtetet janë palë, praktikës ndërkombëtare, vendimmarrjes së Gjykatës Kushtetuese dhe legjislacionit të brendshëm”.

Çka do të thotë se ajo nuk e përgënjeshtron Kotzias kur deklaron se 12 miljet e Greqisë janë njohur prej Shqipërisë.

Por çfarë do të thotë kjo në fakt?

Duke iu referuar të drejtës ndërkombëtare dhe Konventës, çdo shtet ka të drejtë që të shpallë 12 milje detare ujëra territoriale. Këtë e ka bërë Shqipëria me dekada të tëra dhe këtë po bën me këtë rast edhe Greqia, e cila deri më sot shpallte 6 milje detare. Në vitin 2016, Ministria e Jashtme e Greqisë, publikonte një material përmbledhës mbi këtë të drejtë të një shteti për të shpallur ujërat territoriale hapësirën maksimale prej 12 miljesh, duke iu referuar qëndrimeve të Turqisë, sipas të cilës, një akt i tillë nga Greqia, do të përbënte një casus belli për luftë.

Në sqarimin e vet Ministria e Jashtme e Greqisë, sqaronte se referuar Konventës dhe të drejtës ndërkombëtare…“Greqia ka të drejtë të shtrijë ujërat territorial në 12 milje detare”.

E drejta për të shtrirë ujërat territoriale deri në 12 milje detare është një e drejtë sovrane që mund të ushtrohet në mënyrë të njëanshme dhe nuk është pra subjekt i ndonjë kufizimi apo përjashtimi dhe nuk mund të kundërshtohet nga palë të treta. Shumica dërrmuese e shteteve bregdetare me përjashtime të pakta, kanë përcaktuar gjerësinë e ujërave territoriale në 12 milje detare. Turqia vetë ka shtrirë ujërat territoriale në 12 milje në Detin e Zi dhe në Mesdhe që nga viti 1964

vijon sqarimi.

Po kështu Greqia ka shpallur të drejtën për këtë gjë që në momentin e ratifikimit të Konventës në vitin 1995 që u konsiderua nga Turqia si shkak për luftë. Kjo rezolutë turke është përfshirë si kriter kushtëzues për anëtarësimin e saj në BE.

Kështu thotë Athina zyrtare që në rastin e diskutimeve me Shqipërinë ka njoftuar këtë të fundit për zgjerimin e ujërave territoriale në bazë të së drejtës ndërkombëtare. Nëse shohim reagimin e ministrisë sonë, kjo gjë i është njohur Greqisë, njësoj sikundër 12 miljet tona janë njohur gjerësisht.

Çfarë është humbur atëherë në këtë rast?

Për këtë pyetje nuk ka një përgjigje sa kohë nuk ka një teskt të përgatitur nga ekspertët, ndërkohë që 12 miljet janë gjerësi maksimale dhe jo gjerësi mesatare apo e vazhdueshme e ujërave territorialë. Përpara politikës do të duhet që ndonjë ekspert të fliste për implikimin e mundshëm të këtij akti me marrëveshjen për kufirin e cila do të testohet më shumë në kriteret që do të përdoren si vija që do të merret për bazë në matje. Aty ka qenë edhe pretendimi kryesor në vitin 2009.

Sa për rastin e tanishëm, e qartë është vetëm një gjë: Kotzias di të luajë humorin politik në Tiranë për të kompleksuar palën shqiptare në takimin e radhës me një presion dhe mosbesim në rritje nga opinionin publik shqiptar.

Comments

Submitted by timur (not verified) on

"Kotzias di te luaje humorin politik ne Tirane per te kompleksuar palen shqiptare...".
E theksuar kjo dy here:njehere ne fillim e pastaj ne fund te shkimit.
Gjithe pjesa tjeter e shkrimit rreket te argumentoje kete justifikim...
Nuk besoj qe autor i ketij shkrimi te jete Lorenc Vangjeli,edhe pse duket sikur pikerisht ai e ka shkruar,sepse eshte tipike e stilit te tij per te justifikuar cdo pisllek qe ben qeveria socialiste e Edi Rames.
Nga gjithe ckam lexuar keto ore,ky eshte edhe justifikimi me i forte qe i behet Rames,Bushatit dhe qeverise se tyre.Kam kerkuar ndonje reagim nga mbeshtetesit me te flakte te tij,por edhe nga "patriotet" e medhenj te detit ,qe per gjithe keto vite kane bere analiza pafund per "tradhetine" e Berishes,por hic,asgje.Heshtje dhe vetem heshtje.
Mos kemi te bejme,valle,me ndonje kompleksim te gazetareve te nderuar te ResPublica?!
Une them qe po.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.