Shqipëria, një mrekulli. E thotë në anglisht ish-këshilltari i ish-kryeministrit britanik, i përkthyer shqip

Postuar në 31 Korrik, 2017 14:00

Sot paradite syve të lexuesve të mediave online u është ngjitur në sy një përkthim I një shkrimi të Alastair Campbell, ish-këshilltar i kryeministrit Tony Blair. Fjalë të sheqerosura për Shqipërinë, drejtuar britanikëve që duhet të heqin dorë nga paragjykimet për vendin tonë dhe të vijnë e të pushojnë këtu. Fjalët përfshijnë mrekullinë e brigjeve shqiptare që sipas shkencës morfologjikisht, gjeologjikisht dhe për numër ditësh me diell, janë thuajse identikë me ato të Malit të Zi, Kroacisë dhe Greqisë. Gjithësesi fjalët e mira nuk bëjnë keq, mes të cilave Campbell bën si bën dhe I shet disa në emër të mahnitjes që ka patur nga Erjon Veliaj. Të cilin e krahason me një tjetër aktor buzagaz të politikës, kryeministrin me qeshje prej playboy të Kanadasë.

Lexoni se çfarë hollësish di Campbell që dikur merrej me hallet e planetit:

Gjatë takimit tim të parë me Edi Ramën, ai ishte i shoqëruar nga këshilltarët e tij, Endri Fuga dhe Erion Veliaj, i cili për nga pamja dhe energjia që ka, ngjason shumë me kryeministrin kanadez Justin Trudeau. Ai është tashmë kryebashkiak i Tiranës dhe nën drejtimin e Veliajt, qendra e qytetit ka pësuar një transformim mahnitës, me një shesh gjigand për këmbësorë, në zemër të tij. Gjithashtu, për të gjithë ju shtëpiaket që po tundoheni nga ky shkrim, por që nuk arrini ta konceptoni jetën pa dyshekun e jogës me vete, ju informoj se Veliaj organizon kurse yoga falas pranë parkut të madh të liqenit dhe pjesëmarrja është e jashtëzakonshme, me pjesëmarrjen e qindra njerëzve”.

Përditë dalim nga liqeni dhe nuk shohim kurse jogash, por nëse këto i kanë shpëtur syve, qindrat e njerëzve që na u mbledhkan aty do kishin rënë në sy.

Vijon Campbell më poshtë befasues për informacionin që di për Bashkinë e Tiranës, të cilën po e ndihmon me shërbimet e veta:

Ndërkohë, unë kam nisur punën të bind vrapuesin legjendar Brendan Foster, që të asistojë në organizimin e një maratone të madhe të Tiranës, si edhe njerëz nga bota e çiklizmit për të organizuar një ‘Tour d’Albanie’, i cili garanton etapa malore mahnitëse”, shprehet Campbell. Si bëhet kjo punë? Si po përpiqet Campbell që të bindë vrapuesin legjendar? Duke qeshur, duke iu lutur, apo duke e ftuar për një drekë falas në Dhërmi?

Është e qartë se pas këtij lobimi për Erjon Veliajn qëndrojnë ato mjete që kanë qenë përherë. Fundja nuk është ndonjë shërbim i ndërlikuar: një shkrim me fjalë të mira që karakteri i kohës sonë i lejon kollaj sa kohë që shpërblehen me zhvillimin dhe suksesin e vendeve si Shqipëria, për të cilat këshilltari mendon gjerë e gjatë. Të kujtojmë këtu se bashkëshortja e Tony Blair ka marrë qindra mijëra euro nga qeveria shqiptare e Edi Ramës, ndërkohë që zyra e saj e avokatisë dhe veprimet e bashkëshortit janë në qendër të kritikave. Aq i bën Edi Ramës dhe Erjon Veliajt. Blair ka nam të mirë në Shqipëri dhe shqiptarët do e kuptojnë vonë atë që thonë në Angli. Qindra mijëra euro janë jo pak lekë dhe me to vijnë disa detyrime, ose edhe thjesht miqësia dhe dashamirësia. Kush është ai që po t’i japin qindra mijëra euro nuk e duron bamirësin e vet edhe në qoftë I bveszdisur në kulm? Sa për shqiptarët, ata kanë mundësi të hapin gojën nga habia dhe mrekullimi nga bukuritë e vendit të tyre, të cilat po i marrin vesh nga përkthimi shqip, i një shkrimi anglisht, të ish-këshilltarit të ish-kryeministrit të Britanisë së Madhe. Urraaaa!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.