Një spektakël politik që nuk i shton asgjë dinjitetit

Postuar në 29 Korrik, 2017 22:34

Ka sot dy lajme që në thelb flasin për të njëjtin shqetësim: zbatimin e të drejtave bazë në shtete të Ballkanit. Lajmi i parë ishte një reagim i Presidentit grek, Prokopis Pavlopoulos i cili gjatë një fjalë të mbajtur në Kongresin e Këshillit Botëror të Epirotëve të Diasporës në Prevezë, ndër të tjera tha:

Ato që po shohim kohët e fundit, e themi me të vërtetë me dëshpërim këtë, nuk janë shenja të mira. Ato që po ndodhin, sidomos shembjet e shtëpive, janë totalisht të paligjshme. Prona është e drejtë themelore që mbrohet nga e drejta kombëtare e çdo vendi dhe ajo ndërkombëtare. Kur shohim pra këto fenomene themi se ekziston një shkelje e të drejtave themelore, pra shkelje e shtetit të së drejtës. Nëse Shqipëria dëshiron të bëhet anëtare e BE-së, shembja e ndërtesave që u përkasin minoritarëve grekë nuk favorizon aspak perspektivën europiane të saj”, ka përfunduar fjalimin presidenti i Greqisë”.

Këtu mund të veçojmë tri aspekte: së pari se shqetësimi(qoftë ky edhe i i instrumentalizuar) i shtetit grek për shtëpitë e prishura të në Dhërmi, merr angazhimin e drejtuesve më të lartë. Edhe kur është fjala për njerëz të thjeshtë.

Së dyti, se presidenti grek, e lidh ekzistencën e një shteti të së drejtës me standardin europian, që do të thotë se një vend europian detyrimisht ka një sistem drejtësie të mirë. Në mënyrë implicite presidenti po refuzon edhe njëherë çdo pretendim të palës shqiptare për çështje pronësie, meqenëse Greqia është anëtare e BE-së.

Së treti, po bëhet e qartë se në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, Greqia do të vendosë kushtëzime jo të vogla.

Këtyre tre aspekteve i do shtuar edhe një tjetër, që ka të bëjë me situatën e faktit të kryer të minoritetit grek në zonën e Himarës, që trajtohet kështu vetiu si një realitet dinamik, ndonëse shteti shqiptar nuk njeh një pakicë të tillë në Bregdet. Këto janë çështje që duhen adresuar seriozisht, jo nga Facebook.

Lajmi i dytë është reagimi në nivel shtetëror i Tiranës zyrtare për arrestimin e Ballist Morinës në Kroaci. Këtu mund të ketë dhe arsye politike që kanë të bëjnë me procese mes Serbisë dhe Shqipërisë, por në çdo rast nëse do të përdorim standardin e përgjithshëm dhe të gjithëpranuar, reagimi i Shqipërisë është pa vlerë dhe aq, përderisa Kroacia është një vend anëtar i BE-së. Pra duhet besuar te drejtësia kroate, po aq sa tek ajo franceze në rastin e Haradinajt. Por problemi nuk është ky. Problemi më serioz është ai se këtu ka angazhim jo për një shtetas shqiptar, por për protagonistin e një ngjarjeje ndaj së cilës shteti shqiptar zyrtarisht nuk ka asnjë përgjegjësi. Nëse Morina është i kërkuar, atëherë procedura është unike si për të gjithë qytetarët shqiptarë. Për këtë arsye, eksitimi shtetëror dhe mediatik për këtë rast, në fakt është lustra e fundit e një spektakli të cilin politika po e kapitalizon në funksion të përgjigjes ndaj një emocioni të cilin nuk dëshiron ta lëndojë. Por sa ka të bëjë kjo me një shtet serioz? Një shtet i përgjigjet detyrimeve pa nevojën e zhurmës dhe bujës, pasi në këtë rast kemi asgjë më shumë sesa politikë bulevardi, nga e cila nuk del asgjë veç disa përfitimeve verore.

Shumëkush mund të çajë damarët duke kërkuar tradhëti dhe tradhëtarë, por në fakt, ata që e bëjnë këtë do të duhet që një ditë të bukur të hapin pasaportën dhe të lexojnë se ajo shkruan e zezë mbi të bardhë se është pronës e shtetit shqiptar. Dhe këtë pronë duhet ta mbrojë po ky shtet. Jo me fanfarat e tanishme, pasi siç thamë Kroacia është vend anëtar i BE-së, mik me Shqipërinë dhe po t’i besojmë kryeministrit ne miqtë i lëmë edhe të na përgjojnë pas dere. Pa merak fare. Por me vepra, pa lejuar që kontrollin dhe vlerësimin e tyre ta bëjnë policë të huaj. Këtu nis dhe bitis serioziteti i këtij palaço shteti që po i merr frymën njerëzve në këtë vend dhe po nxit keqkuptime. Më vjen ndërmend një rast i rrëfyer nga një miku im, ndodhur para dy vjetëshë në Kakavijë. Policia greke po kthente shqiptarët pa arsye në ditët e acarimit të marrëdhënieve. Madje policët grekë vendosnin edhe një kryq në fletët e pasaportës. Duke përfituar nga sjellja dhe nga humori i momentit personi arrin ta marrë pasaportën pa asnjë gërvishtje të tillë dhe në kthim, në doganën shqiptare, polici shqiptar e pyet:

-Dale pak, ta vuri kryqin?

-Jo, i thotë – thjesht ma ktheu.

-Hallall, shpëtove mirë.

Sa raste mund të numërohen të tilla? Këtu kuptohet se sa vetëm jemi në këtë botë dhe sa peshon mbi dinjitetin e të gjithëve ne një karakatinë si kjo që quhet shteti shqiptar. Dhe nuk ka sesi mandej ai që dëgjon dhe dëshmon këto gjëra, të mos e kthejë kujtesën pas, para viteve ’90 kur gjëra të tilla nuk bënte vaki të ndodhnin. Kjo krekosje shtetarësh dhe ulërimë në mes të një Shqipërie që ka kaq probleme, është as më shumë e as më pak vetëdenigrimi për hir të një spektakli të politikës. Asgjë më shumë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.