Sakrifikojmë pushtet, për të bërë "shtet"

Postuar në 22 Maj, 2017 09:08

Kushtetuta është marrëveshje. Kjo dihet fare mirë. Kushtetuta e Shqipërisë është marrëveshje e dyfishtë, pasi ndryshimi i saj u bë natën, jashtë salle, si pasojë e vendimmarrjes personale të dy njerëzve: Sali BErishës dhe Edi Ramës. Në vitin 2008 kur ndodhi kjo, i pari ishte kryeministër, i dyti kryetar Bashkie dhe partie.

I pari gjendej në valët e nxehta të shpërthimit të Gërdeicit, i dyti në ethet e marrjes së pushtetit në tavolinë, ethe të cilat e mjegulluan aq shumë saqë lëshoi Kushtetutën për të humbur zgjedhjet. Ky i dyti kërkoi edhe falje për ndryshimet e bëra, ndonëse në këto muaj të krizës politike, u krekos duke kërkuar nga kundërshtarët të bënin mocion. Atë mocion që e kolaudoi në vitin 2008.

Pra nëse Kushtetuta është marrëveshje, pse duhet atëherë një marrëveshje e re? Dhe nëse duhet një marrëveshje e re, pse të mos bëhet ajo me iniciativë të hapur, mes partive parlamentare? Kjo është pyetje që e ka përgjigjen vetiu, por për ata që nuk e kuptojnë mjafton një fakt: marrëveshja u arrit nga dy njerëz që mandej morën formalisht firmat e partive të tyre.

Në monologun e përjavshëm, kryeministri Edi Rama, teksa shante e mallkonte mediat dhe analistët gojëmëdhenj, i qahej qytetarëve që duhet ta kuptojnë se kjo marrëveshje është për të ardhmen e vendit.

Paketa e famshme McAllister, ishte një recetë e improvizuar me dëshirën e mirë për të na ndihmuar të kalojmë një krize te radhës. Ndërsa marrëveshja politike mes palëve është një platformë, për tu përpjekur së bashku të këpusim zinxhirin 27 vjeçar të krizave që i shpikin partitë dhe i paguan vendi, qytetari, shoqëria, ekonomia kombëtare e familjare e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi”, tha ndër të tjera ai.

E thënë kështu, duket se pakti është dëshirë dhe vullnet i kryeministrit, që kapi në befasi me mirësinë dhe vizionin e tij edhe Lulzim Bashën. Mirëpo opinioni ndjek zhvillimet politike përmes  akteve publike, të hapura, deklaratave dhe vendimeve dhe që këtej nxjerr gjykimin. Nëse kryeministri i Shqipërisë mendon se “historia e marrëveshjes kërkon një libvër më vete” dhe na fton që edhe politikën publike ta kualifikojmë te investigimi, kjo na çon në një standard transparence të denjë vetëm për këtë qeveri. Aktet publike që ndodhën para kësaj marrëveshjeje, as që i paraprinin asaj, duke shtuar dyshimin se letra mbi të cilën ka firmosur vizionari 1 me vizionarin 2, është vënë aty nga të tjerë.

Së pari PD-ja kërkonte qeveri teknike dhe garanci për zgjedhjet. Asgjë më shumë. Në finale mori një marrëveshje të zgjeruar për reformën kushtetutese, duke pranuar të jetë palë në një tryezë që institucionalizohet.

Vetëm një javë para 17 majit, kryeministri e bënte fakt hyrjen vetëm në zgjedhje – publikisht po flasim – duke folur vazhdimisht për një PD në krizë nervore. Ai mohonte madje edhe ekzistencën e një krize politike si të tillë. Shahu I famshëm që nuk të jep dy herë të njëjtën gjë u la pas, për ta ulur PD-në në tavolinë e për t’I mbushur xhepat.

Kryeministri mund të dalë përditë e të bëjë arbitrin e mediave, por kjo nuk e shpëton atë nga radioaktiviteti i gënjeshtrave dhe shtirjeve pa fund që emeton përditë. Kemi të bëjmë me një njeri që ka në karrige pushteti që në vitin 1999. Vallë, në mos korrupsioni monetar, apo ai i influencave, korrupsioni moral nuk ka marrë udhë te ky njeri për shkak të qëndrimit kaq gjatë në pushtet?

Sigurisht që era e gënjeshtrës është përherë e mbarë në këtë vend dhe pushteti është i pakonkurueshëm në ligjërimin e të vërtetave që do. Tani kemi edhe mediat sociale që mbiprodhojnë marketing të Shqipërisë së Re, por faktet janë fakte dhe kokëforte.

Marrëveshja që sot trumbetohet me të madhe – çuditërisht vetëm nga kryeministri dhe jo nga pala tjetër – nuk përbën aspak risi. Në vitin 2001 Fatos Nano dhe Sali Berisha bënë një marrëvshje të ngjashme, e cila nuk solli asgjë të re në skenën politike, pos detyrimeve reciproke që këta dy njerëz kishin ndaj njëri – tjetrit që nga ai moment. Kushtetuta u zhbë për t’i lënë vend pazarit. Dhe në atë kohë Fatos Nano doli me tezën: Socialistët sakrifikojnë pushtet për të bërë shtet. Tamtami i shtetbërjes është i vjetër në atë parti që sot këndon të njëjtën këngë, por me solist tjetër. Një këngë që rrëfen përralla trullosëse, ku I miri përherë mund të keqin, por që siç po e jetojmë, në fakt janë përralla bashkëfajësie të dikujt që është aq I pacipë, saqë i lejon vetes si varkë shpëtimi moralizimin.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.