Reformë me dy standarde

Postuar në 10 Prill, 2017 08:54

Debati i para disa ditëve, i kufizuar vetëm në shkrime në mediat online dhe nga një koment injorues i kryeministrit, mbi nenin 449 që ndalon rihapjen e çështjeve në dëm të të pandehurit kur është dhënë vendim pafajësie, ka qenë prezent edhe në radhët e ekspertëve. Në një shkrim të vetin “reporter.al” i ka marrë një prononcim autorit të nenit në fjalë, Artan Hoxha, i cili referon praktikat e disa vendeve europiane.

Mua më vjen keq për gjithë zhurmën që po bëhet, pasi nuk ka asnjë shkelje standardi. Ky rregullim garanton sigurinë ligjore dhe nuk prek asnjërën prej çështjeve të diskutuara. Nuk ndikon në kushtet e reformës në drejtësi”, tha Hoxha për BIRN.

Modeli i adoptuar nga Parlamenti shqiptar ndiqet nga vende si Italia, Franca, Belgjika, Spanja dhe Portugalia. Ndërsa shumica e vendeve të BE, të tilla si Gjermania, Austria, Suedia lejojnë rihapjen e çështjeve edhe në dëm të të pandehurit, nën procedura të qarta dhe strikte”, vijon raportimin “reporter.al”
Ekspertët e Euralius, që janë prezent përherë në kësi rastesh, deklarojnë se nuk ka praktikë të unifikuar në Europë për këtë çështje.

Euralius rekomandoi parashikimin e një dispozite të ngjashme me modelet e vendeve si Gjermania, Austria apo Suedia, të cilat lejojnë rihapjen e çështjeve penale në raste të caktuara, edhe nëse kishte pafajësi”, u përgjigj delegacioni i BE, raporton “reporter.al”.

Fusha e veprimit të dispozitës(lexoni këtu: http://www.respublica.al/2017/04/02/ndryshiminuk-rishikohen-vendimet-e-pafaj%C3%ABsis%C3%AB-meta-dhe-basha-amnistohen-p%C3%ABrjet%C3%ABsisht) është e vogël sipas ekspertit Hoxha.

Ndalimi i rishikimit është i aplikueshëm vetëm për rastet e mbyllura me një vendim të formës së prerë pafajësie për të pandehurin. Jo për vendimet e gjykatës, të cilat vendosin një sanksion dhe as u referohet çështjeve të mbyllura gjatë një faze të hetimit. Çështje të tilla mund të rihapen në çdo kohë, nëse dalin prova të reja”, shprehen përfaqësues të delegacionit të BE-së.

Ku lind dyshimi mbi këto akrobaci që bëhen në Shqipëri? Dyshimi lind në konstatimin që bëri pak kohë më parë Komisioni i Venecias, i cili konsiderohet si arbitri i standardeve. Sipas këtij komisioni, draft reforma në drejtësi që shqyrtohet aktualish në Shqipëri është e pranueshme për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që vlerësohet se ka vendin ynë. Pra një rrethanë e tillë përligj një operacion që neglizhon çështjen e të drejtave siç është rasti për vettingun. Nëse është kështu atëherë kjo frymë duhet të dominojë edhe kuadrin plotësues penal, pasi është e papranueshme në aspektin moral dhe politik që nga një anë të kemi kufizime të jashtëzakonshme për pranuar gjyqtarë që sugjerohet se do të jenë paladinë të drejtësisë së paprekur, nga ana tjetër inkuadrojmë standarde të vendeve të caktuara për procese që mezi priten në Shqipëri.

Natyrisht është e kollajtë që argumenti të gjendet e të shtihet në punë, por kjo vetëm sa provon anomalinë e kësaj reforme, miratuar si një çështje e mbyllur kur vjen puna te teskti i saj dhe si një interes i gjerë publik kur shtrohet diskutimi për të fituar kapital politik. Siç e dimë: djalli fshihet në detaje dhe aty duhet kujdesi. Pa harruar këtu se vendimet e drejtësisë së dhëna deri më tani mund të vihen në dyshim sa kohë që ky sistem është vënë nën gjykim si i pabesueshëm dhe i korruptuar. Por kjo është qartazi retorikë në një reformë që është çështje kuadri.

Comments

Submitted by Ilir MBORJA (not verified) on

Në seancën plenare të 30 marsit Parlamenti Shqiptar votoi dhe bëri ligj një propozim që i hapi rrugë një amnistie nga e cila përfitojnë politikanët dhe njerëzit e drejtësisë. Sipas nenit 449 të Kodit të Procedurës Penale parashikohet që dosjet e personave, të cilët kanë blerë pafajësinë tek gjykatat dhe prokuroritë e korruptuara, nuk mund të rihapen kurrë më. Pas kësaj, për këdo politikan që është dënuar apo shpallur i pafajshëm, nuk lejohet rishikimi i vendimit të pafajësisë dhe as rishikimi i vendimit të dënimit kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit. Pikërisht këtë parashikojnë ndryshimet në nenin e miratuar nga Parlamenti në datën 30 mars. Përfaqësuesit e Euraliusit deklarojnë se ata kanë rekomanduar parashikimin e një dispozite të ngjashme me modelet e vendeve si Gjermania, Austria apo Suedia, të cilat lejojnë rihapjen e çështjeve penale në raste të caktuara, edhe nëse kishte pafajësi. Por juristi Artan Hoxha, hartues i këtij neni, ka vepruar ndryshe(?!) .
Nuk jam shumë i sigurt nëse ia vlen që, emrat e 11 deputetëve që e paraqitën këtë nen në Komisionin e Ligjeve, të përmenden apo jo. A ishin në dijeni të këtij ndryshimi të pamoralshëm ata? Gjithsesi ato janë: Vasilika Hysi, Dashamir Peza, Pandeli Majko, Ulsi Manja, Vexhi Muçmataj, Luan Rama, Silva Çaka, Anila Agalliu, Edmond Leka, Tahir Muhedini dhe Adelina Rista.
Më poshtë do të mundohem të shpjegoj mëdyshjen time për t’i përmendur emrat e këtyre 11 deputetëve.
Në 4 maj të vitit që shkoi, Donald Lu, në krah të ambasadores Romana Vlahutin, duke paraqitur Projektin e Reformës në Drejtësi, artikuloi në shqip, me një theks të saktë logjik, gjuhën zyrtare të Amerikës dhe të Europës për këtë çështje. Një qëndrim i qartë, i prerë dhe në dukje kërcënues për politikanët si asnjëherë tjetër. Të gjitha këto në shqip dhe pa asnjë nuancë diplomatike që mund t’i errësonte frazat. Më shqip nuk bëhej. Por, zoti Lu u duk pak i çuditshëm dhe jo fort i besueshëm kur tha: “Jam krenar të them se e mbështes atë, edhe pse nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara.” Më pas, duke e mbyllur, ai shtoi se besonte apriori në: “integritetin, njohurinë dhe paanshmërinë politike të dy ekspertëve ndërkombëtarë... Dr. Smibert dhe Dr. DeVille janë ndër njerëzit më të mençur në profesionin e tyre në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara”
Por duke iu drejtuar anëtarëve të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi më 4 maj, ambasadori Donald Lu, në më shumë se një herë, në fjalën e tij na u referua drejtpërsëdrejti ne shqiptarëve (votuesve) kur tha:“...që t’i shërbejë më mirë popullit shqiptar... ju dhe unë e dimë se populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra, e kërkojnë këtë reformë” ose: “...do të përballeni me zemërimin e publikut shqiptar vitin e ardhshëm në zgjedhjet parlamentare...”
Bukur! Kur i besonte ambasadori Lu apriori projektit, s’kishte pse të tregoheshim mosbesues ne shqiptarët. Por aty brenda, ca shqiptarë, vunë re se dikush kishte vënë dorë tek neni 25 dhe kishte shtuar një pikë tjetër?! Pikën 135, që përjashtonte nga hetimi, dmth i amnistonte të gjithë ish ministrat e para tre vjetëve?!.
***
Më pas neni 25 nuk u pa gjëkundi... U zhduk dhe askush nuk i doli për zot autorësisë së tij?! Për shkak të anonimatit të këtij neni, meqenëse zoti ambasador mbetej i vetmi i identifikuar kur na e paraqiti, megjithëse “pa e lexuar”, mendova se ishte e udhës se, zoti Donald Lu, më parë se të flasë për shqiptarët e varfër apo të pasur, është dashur të dijë diçka më shumë se gjuha shqipe. Për t’u kuptuar më mirë gjatë komunikimit me ne, veç njohjes së mirë të leksikut dhe gramatikës së gjuhës, besoja se ishte e domosdoshme edhe njohja e moralit të shqiptarëve. Sidomos kur flitej për ligje. Për këtë theksoja se, mentaliteti shqiptar dëshmon se morali i ligjeve të pashkruara është ku e ku më i fortë se çdo kushtetutë e shkruar. Për t’u bindur, mjafton t’i hedhësh një sy kulturës së krijimtarisë gojore të shqiptarëve. Edhe për rastin e Reformës në Drejtësi, besoja se ia vlente t’i drejtoheshim folklorit dhe të kuptonim më mirë shqipen e njëri tjetrit. Dmth, që edhe ambasadori Donald Lu të kuptonte diçka më shumë nga shqipja jonë e shqiptarëve të varfër e të pasur, që është shumë më e fisshme se ajo e politikanëve tanë. Pse jo, edhe më e ndershme, sesa gjuha që përdori ai më 4 maj, kur na paraqiti Projekt Reformën e Drejtësisë...
E gjithë reforma ka në thelb luftën ndaj korrupsionit, që më shqip do të thotë vjedhje. Në fjalorin që ka përdorur zoti Lu për të mësuar shqipen, për personin që e kryen atë ka disa sinonime. Përveç emrit vjedhës, më të përdorurat janë: hajdut, grabitës dhe kusar. Në fakt fjala hajdut dallohet dukshëm nga fjala grabitës për arsye se ndërsa për të parin veprimi i përvetësimit të gjësë së tjetrit është i fshehtë, për të dytin, grabitësin, ai bëhet hapur, forcërisht. Hajduti i fsheh ose mundohet t’i zhdukë gjurmët e veprimit të tij. Ndërsa i grabituri e ka parë me sytë e tij se kush ia ka rrëmbyer forcërisht pronën. Por më interesant del shpjegimi i emrit kusar. Për këtë na vjen në ndihmë folklori. Ai na dëshmon se përcaktori KUSAR është dëgjuar për së pari në zonat e Labërisë. Prej shekujsh që nuk mbahen mend, barkat me piratë që niseshin nga ishulli i Korsikës, pasi ankoroheshin në brigjet e Himarës apo gjirin e Vlorës, zbarkonin dhe plaçkitnin banorët e atyre anëve. Prej këtej kemi edhe foljen BASTIS që tregon se piratët ishin nga Bastia e Korsikës... Që të mos zgjatem, dua të them se kusarinë dhe bastisjen nuk i kemi shpikur ne shqiptarët, por na i kanë importuar dhunshëm të huajt. Emërtimet e fenomeneve dëshmojnë se ato i kemi peshqesh nga Perëndimi.
Folklori na dëshmon se, në veprimet e atij që në këngët popullore cilësohet KUSAR, ka më shumë gjëra të afërta me ato të piratëve prej Korsike, se sa me veprimet e fshehta të një hajdudi. Edhe kusari është i dhunshëm, ashtu si pirati i Korsikës. Kusari në folklorin lab është po aq i kapardisur sa ai pirati i Korsikës para shumë shekujve. Ashtu guximtarë si dikur piratët bastë të Korsikës, trima të çartur e brutalë kanë mbetur gjer më sot të gjithë banorët e trevave të Labërisë. Interesant është fakti se si ka evoluar perceptimi i shoqërisë në lidhje me fenomenin e kusarisë.Ashtu si pirateria, edhe kusaria përfillej gjithmonë si guxim, si forcë. Ajo përdorej si test provimi që duhej të kalonte burri për t’u martuar. Kusaria ishte vetëm një test, ku burri, nëpërmjet sakrificës dhe gatishmërinë për ta kryer atë, veç zotësisë, duhet të dëshmonte dashurisë për nusen e ardhshme. Këtë tregojnë edhe vargjet e këngës, ku kandidati për dhëndër është një bej. Dhe ai, nuk është një bej dosido, por bej kasabaje, dmth “shqiptar i pasur”.Atij, sigurisht, që nuk i mungojnë as paratë dhe as pasuria, por ligji i pashkruar e do që edhe ai të provojë sakrificën e tij të kusarisë para syzezës: “Moj sy e vetulla llaja!/ Të flet beu nga kasabaja/ Syzezë e vetulla pish’!/ Haram të qoftë ai mish!/ Ai mish që të solla prëmë/ E vodha natën pa hënë/ Qentë lehnin unë po zërë...”
Në Kushtetutën tonë, në Kodin Penal, precizohen qartë juridikisht dallimet midis hajdutit dhe grabitësit. Ndërsa aty nuk përmendet gjëkundi fjala kusar, në folkor ndodh e kundërta. Në këngët popullore nuk gjen asnjë rast të përdorimit të cilësorit grabitës për burrat, por vetëm kusar. Cilësorin autokton grabitqar, shqiptarët e përdorin vetëm për kafshët. Psh: “kafshë grabitqare, shpend grabitqar”. Kjo tregon se në popull, ai kurrë nuk e fitoi statusin njerëzor të vesit të importuar nga piratët e Korsikës. Shekujt, ashtu siç e transformuan fjalën nga korsikan në kusar, e përshtatën këtë të fundit edhe me ndryshimet e natyrshme që sillte civilizimi. Në Shqipërinë e para 100 vjetëve,kusaria mori formën e një loje. Gjer në fund të shekullit që lamë pas, gjejmë gjurmë të sportivitetit që i dhanë kusarisë shqiptarët. Si në një lojë të rrezikshme kusari mund të linte edhe kokën gjatë aktit të tij nëse diktohej nga i zoti i bagëtisë që i ishte vënë syri të rrëmbehej. Dhe plumbi që mund të binte mbi kusarin, në asnjë rast nuk ndizte hasmëri të mëtejshme mes fiseve. Morali shqiptar, që për hiç gjë na çonte në gjakmarrje me njëri tjetrin, kusarët i amnistonte plotësisht. Këtu fillonte dhe mbaronte loja. Nëse kusari ia kishte dalë ta rrëmbente bagëtinë pa u diktuar në atë çast nga i zoti, më pas ajo quhej “ligjërisht” e tij. Madje, ishte radha e kusarit që të nesërmen, pasi ia kishte dhuruar mishin të dashurës, të shkonte dhe t’ia hidhte te këmbët të zotit lëkurën e bagëtisë së rrëmbyer. Ky xhest donte t’i thoshte atij: “Je njeri kot. I paaftë. Të kam dhjerë qentë!..” Kënaqësia e kusarit në këtë moment kapardisjeje para të dashurës, si edhe poshtërimi publik që i bëhej të zotit, vlenin shumë më tepër se mishi i vjedhur. Ajo shfaqet hapur si një sakrificë që dëshmon burrërinë e djalit përballë të dashurës së tij. Ndryshe ngapiratët e Korsikës, kusarët shqiptarë shpallen si piratë zemrash. Edhe Hënën prandaj e duan, se jo vetëm i kujton të dashurën “Moj e bukura si Hënë!”, por edhe se u ndriçon shtigjet kur nisen natën për kusari. “Doli Hëna për kusarë”, nis një këngë popullore, dmth, sa për t’u ndriçuar udhën atyre dhe për asgjë tjetër. Pikërisht, për këtë nuancë romantike, kusaria në folklorin tonë dhe sidomos në lirikat labe nuk fshihet fare.
Shembujt e mësipërm nga folklori i solla për të ndarë bindjen time me ambasadorin Lu se: “populli shqiptar, të pasur e të varfër, të rinj e të moshuar, qytetarë të fshatit e qytetit, burra e gra,..” të cilëve ai iu referua, në shqip kuptojnë më shumë seç mund t’ia marrë mendja ndokujt. Kushtetuta e pashkruar, që këndohet në folklorin e shqiptarëve, dëshmon se ke të bësh me njerëz që prej shekujsh e njohin shumë mirë institucionin e amnistisë. Duke e kthyer në lodër bastisjen e piratëve, e amnistuan me sportivitet krimin e atyre që vinin përtej detit. Prandaj shqipja e ambasadorit Donald Lu do të ishte shumë me e ndershme psh, po të na drejtohej kështu: “Shqiptarë! Ky projekt kërkon 94 vota që të votohet në Kuvend. Është faji juaj që më 2013-n nuk mundët të votonit dot për të çuar atje 94 njerëz të pastër. Kështu është kur votimet i merrni me sportivitet. Nuk kishte rrugë tjetër. Për të arritur tek ky numur, duhet të amnistohen të gjithë kusarët e qeverive të mëparshme. Prandaj në Projektin e fundit të Reformës në Drejtësi u shtua neni 25. U bë për të amnistuar kusarët. Kështu e menduam.”
Kjo do të ishte një gjuhë e ndershme me shqiptarët. Shumica e shqiptarëve të varfër, mbetën të tillë, jo se nuk dinin të ngrinin dy gishtat lart në formë “V”-je dhe të grabitnin “rezultatin e lirisë” që ofronte anglisht më ‘91-shin në Tiranë Sekretari i SHBA-ve, James Baker. Shumë fisnikë, nga ata që sot kanë mbetur të varfër apo morën udhët e emigracionit, thirrjen e Perëndimit se: “Freedom works” - “Liria jep rezultat”, nuk mund ta përkthenin si banditët e Berishës: “Liri për të grabitur”. Shqiptarët fisnikë, siç e kam ilustruar me shembuj nga folklori më lart, vesin e “grabitjes” ia kanë rezervuar vetëm kafshëve. Me pak fjalë, pasuria shpirtërore që quhet folklor, dëshmoi se morali i shumicës shqiptare është më i fortë edhe se ligji i xhunglës shqiptare që ndërtoi Berisha. Koha do të tregojë se ai do të mbetet përsëri më i fortë se çdo ligj e reformë që do të votohet nga kusarët tanë...
***
Bash për këtë, kisha bindjen se, hilja amerikane me nenin amnistues 25 në Reformën në Drejtësi, nuk kishte pse të na servirej në shqip nga ambasadori i Amerikës Donaln Lu. Ai mund të na e kishte kursyer shqipen tonë të ndershme në këtë rast. Shqiptarët janë të varfër por jo aq budallenj sa ta besonin atë kur tha që në fillim se “nuk e kam manipuluar përmbajtjen e tij dhe as nuk më kanë dhënë ndonjë kopje përpara:” Edhe tonin “kërcënues” në thirrjen që i bëri në fund politikanëve: “Ndaj lërini lojrat politike!..” , në një shqipe të ndershme do të ishte: “ Kusarë! Jeni të amnistuar! Ndaj lërini nazet dhe votojeni shpejt!..”
Por siç e dimë, “25-a” u zhduk dhe nuk u pa më gjëkundi, as ajo, as autori i saj… Ambasadori Donald Lu, në mesnatën midis 21 dhe 22 korrikut të vitit të shkuar, i vuri në rresht të 140. deputetë e kusarë bashkë, të votojnë Reformën në Drejtësi. Mrekullia amerikane funksionoi duke u përputhur me moralin e shprehur në fjalorin e shqipes së kulluar…
Gjithçka që i parashtroja më sipër zotit Lu, veç vlerave të folklorit lab, rezultoi e tepërt, por… Por shfaqja e nenit 449 dhe aprovimi i tij në seancën plenare të 30 marsit, të bën t’i kthehesh përsëri kulturës së moralit që shprehet në folklorin tonë. Këtë herë, hartuesit e këtij neni të pamoralshëm, nuk janë fshehur. Ata janë formuluesi Artan Hoxha dhe 11 anëtarët e komisionit parlamentar të përmendur në fillim të këtyre radhëve. (emrat e tyre do të mbahen mend gjatë)… Janë dhe të gjithë deputetët e PS-së dhe LSI-së që e votuan në seancën e turpshme të 30 marsit. Meqenëse, ndryshe nga ambasadori amerikan që, kur na e paraqiti atëherë nenin amnistues 25, “nuk e kishte lexuar”, këtë radhë 449-s, patën guximin t’i dalin për zot, edhe hartuesit, edhe votuesit. Prandaj këtë radhë po i drejtohem drejtpërdrejtë kryetarit të grupit parlamentar të PS-së. Për fat, zoti Gramoz Ruçi, është nga Labëria dhe kam bindjen, se jo vetëm do të ma mirëkuptojë pyetjen time të sinqertë, por do të ngrihet në lartësinë e përgjegjësisë që i është ngarkuar dhe do ta thyejë heshtjen e tij në këto ditë të vështira që krijojnë politikanët e inkriminuar.
Zoti Gramoz! Ju lutem ma thoni labçe!
Çfarë është neni 449? Mos do të ishte më e ndershme të na thuhej se “Për të sjellë Berishën e Lulin (si edhe ndonjë tjetër) nga Çadra në Parlament, për të krijuar numrat e domosdoshëm në votimin e Vettingut, më 30 mars amnistuam kusarët. Meqenëse shqiptarët nuk i sollëm dot në Parlament aq burra e gra të ndershëm sa duhej për ta votuar deri në fund Reformën në Drejtësi, ne bëmë këtë tjetrën. Shpikëm nenin 449. Vepruam si ai kusari i kapardisur, që, për ta poshtëruar të zotin, lëkurën e bagëtisë së vjedhur, ia hedh të nesërmen para syve...” Mos vallë, këngën labe “Doli hëna për kusarë”, pas 30 marsit, duhet ta këndojmë “Doli katërqind e dyzet e nënta për kusarë”?..

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.