"Të panjohurat” e faktorizimit të një të dobëti të politikës

Postuar në 26 Mars, 2017 21:06

Disa ditë pas vizitës së kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në ShBA, disa segmente të koalicionit qeverisës kanë vënë në veprim një “skenar” të vockël që synon eklipsimin e plotë të saj. Televizioni kombëtar, Top-Channel, raportonte sot për një prononcim të një prej zëdhënësve  të ambasadës amerikane në Tiranë që të shprehej: 

Jo. Qeveria e Shteteve te Bashkuara mbështet zgjedhje të lira dhe të ndershme, dekriminalizimin dhe luftën kundër narkotikëve, por këto çështje nuk duhet të përdoren si shfajësime për të bojkotuar Parlamentin, për të bllokuar zgjedhjet, apo për të vonuar zbatimin e reformës së gjyqësorit. Nxisim dialogun midis qeverisë dhe opozitës për t’i zgjidhur këto”. 

Kjo pas pyetjes për sqarimin e pretendimeve të z. Basha se ai ka mbështetjen e administratës Trump për qëndrimin në çadër. Çështja është pa rëndësi të vërtetë, sa kohë që protesta e opozitës, nëse do të ishte e frymëzuar me të vërtetë nga nevoja për korrigjimin e situatës dhe rrëzimin e krimit nga pushteti. Por duket se çadra po mishërohet si axhendë e ngushtë politike që synon të përfitojë nga pakënaqësia në rritje ndaj qeverisë. Në këtë kontekst, çadra ka likujduar deri më tani një shpresë për “opozitën ndryshe”, përderisa prej aty janë artikuluar kërcënime më shumë sesa ide apo projekte, por ajo ajo ka nxjerrë në sipërfaqe edhe një qeveri që nuk njeh respekt për asgjë, përpos forcës dhe në fund ka vënë në provë Bashën. 

Dy pikat e para janë aspekte dinamike, ndryshore të përballjes që kërkon kohën e vet. Aspekti i tretë është disi më statik. Basha shkoi dhe erdhi në ShBA pa arritur ndonjë gjë përveçse një interviste të gjatë te Zëri i Amerikës. Nuk u pa asnjë takim me rëndësi, as ndonjë mesazh i qenësishëm. Është kjo arsyeja që i lejon sot qeverisë të luajë me “gjetje” si ky prononcimi i zëdhënësit të ambasadës, duke vendosur në skenë si qendrore një mesazh të Donald Lu, në vend të mesazheve të një vizite që synonte shumë. Formalisht dështimi është personal i z. Basha, që po krijon përshtypjen me këto dështime, çuditërisht pa kosto për të, se në kërkesat e PD-së, diçka duhet të ndryshojë. Disa hamendësime thonë se ky rol i rri komod kreut të opozitës që ka shansin të zhbëjë axhendën maksimaliste të imponuar nga Berisha. 

Oferta e sotme e kryeministrit që përjashtonte vetëm zgjedhjet teknike është një hap taktik që kërkon të blejë zgjidhjen e krizës pa ndërmjetësimin ndërkombëtar dhe pa diskutuar çështje që lidhen me qeverinë. Ajo do të diskutohet si variant në PD, e cila po sheh të ngushtohet perimetri i protestës, ndërkohë që po merr oferta nga qeveria. Por këto janë oferta që i ndihmojnë më shumë Bashës dhe shërbejnë si garanci për karrierën e tij, por jo protestës dhe asaj që quhet çadra e lirisë e asaj që ajo pretendon se përfaqëson. Ngjajnë surprizuese këto “paradokse”, pothuajse po aq sa interesi i papritur i LSI-së për pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. Është hera e dytë që Basha faktorizohet pa bërë asgjë. Hera e parë ishte në kohën e takimit tresh me Ramën dhe Metën. Hera e dytë po ndodh dhe sërish kur të gjithë lexojnë vetëm dobësi te ky politikan. Këto janë aksidente të lumtura, siç i quante Bob Ross, ose dhurata të pakuptueshme nga kryeministri që edhe ai shfaqet si hermetik dhe parimor, por që në fakt diçka nuk thotë pas kësaj lëkundjeje. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.