Stafeta plaçkitëse e Rilindjes. Veliaj: “Filozofia e Metës na udhëheq në Bashki”. Meta flet për transformim të thellë

Postuar në 27 Gusht, 2016 18:23

E nisën si Aleanca për Shqipërinë Europiane, shpallën një program që u quajt “Rilindje”, qeverisën me akuza për vrasje, vjedhje, mes skandaleve CEZ-DIA dhe sot flasin për transformim rrënjësor. Me çfarë termi ta përshkruash dashurinë e re të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj, i cili papritur ka zbardhur se në drejtimin e punëve ka aplikuar filozofinë e Ilir Metës.

“Unë besoj që ne Bashkinë e Tiranës, ndoshta jemi një nga vendet që ka aplikuar më shumë atë filozofi të Kryetarit të Kuvendit, Kryetarit të LSI-së, mikut tonë Ilir Metës që ka shumë më shumë gjëra, jo vetëm ne si të majtë, por ne si shqiptarë, ne si të rinj, që na bashkojnë më shumë se sa gjërat që na ndajnë”, – theksoi Veliaj në Akademinë Politike të LRI-së në Jalë.

Ky ishte Veliaj që dikur na kujtonte gishtat e trashë të Ilir Metës, kapur në video me Dritan Priftin. E duket se dashuria e këtij sorolllopi politik është po aq e fortë sa ndarja dhe intriga që e bëri këtë vit trimin e Skraparit të fliste për burg. Ja se çfarë ka thënë vetë Meta, njeriu që ishte në shënjestër këtë vit që po lëmë pas.

“Ne kemi nevojë për një transformim të thellë, për një progres të ri shoqëror që vjen përmes një solidariteti të ri, i cili në radhë të parë duhet të spikasë te të rinjtë dhe për të rinjtë në emër të së ardhmes së tyre dhe të gjithë vendit. Nuk mund të ketë ndryshime cilësore dhe shoqërore në një vend nga fëmijët e elitave të vetëkënaqura, të zhytura në arrogancë në egoizëm dhe individualizëm. Nuk mund të ketë shpresë një vend, në rast se nuk vihet në lëvizje ëndrra dhe aspirata e fëmijëve të familjeve më të thjeshta, për një ndryshim shoqëror, për një progres të ri shoqëror”, – u shpreh Meta.

Le të spekullojmë pakëz nga këto deklarata dashurie: me siguri që kemi një marrëveshje në negociim, ndërkohë që nuk është çudi, që Ilir Meta, ky politikan të cilit i zbulohet edhe fakti se ndjek një filozofi, të na dalë nesër president konsensual.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.