Zhvillim së bashku me natyrën! Në vëmendje ndërtimi i HEC-eve

Postuar në 31 Korrik, 2016 15:07
Aleko Miho

Zonat e mbrojtura (ZM) shpallen si të tilla për integritetin e tyre, pra për gjendjen e paprekur të tyre, krahasuar me zona të tjera të vendit, për biodiversitetin e lartë, për habitatet e rralla dhe shumë të ndjeshme nga ndërhyrjet jo miqësore të njeriut. Për këtë, shpallja dhe menaxhimi si duhet i ZM-ve përbën një detyrim Kushtetues, përmbushje e kërkesave të shumë akteve ligjore dhe nënligjore që garantojnë mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit, në përputhje kjo me shumë Konventa dhe Standarde ndërkombëtare.



Qëndrimi ndaj ZM-ve nuk duket se ka qenë miqësor në gjithë këto vite tranzicioni, ashtu si për mbarë territorin e pa mbrojtur të vendit. Me këtë shkrim shpresoj të ngacmoj sadopak ndërgjegjen e vendimmamrrjes, dhe gjithë shoqërisë shqiptare për të ndihmuar në një qëndrim ndryshe ndaj natyrës, biodiversitetit, dhe ndaj Zonave të Mbrojtura në veçanti.



 

Njeriu është i detyruar të zhvillojë veten bashkë me natyrën



Kur përmenden ZM-të, shpesh dëgjohet që ato të vlerësohen më shumë nga interesat e çastit dhe jo për atë që janë shpallur në të vërtetë. Në shumë ZM nuk kanë munguar prerjet e drurëve; nuk janë kursyer për këtë as pyjet dikur të virgjër të Lurës, Dajtit, Qafështamës, Drenovës, Valbonës, Shebenikut; vështirë të thuash sot se Lura, Drenova, dhe ndonjë tjetër zonë, kanë realisht vlerat e një ZM-je! Në shumë ZM nuk është ndërprerë ndonjëherë kullotja e tepruar dhe grumbullimi i bimëve mjekësore; në ndonjë tjetër ZM, përveç këtyre merret lëndë ndërtimi në mënyrë të paskrupullt; mbetet tronditës urbanizimi pa kontroll edhe brenda vetë ZM-ve, sidomos atyre bregdetare. Ky qëndrim shpërfillës ndaj natyrës përforcohet sot me lejimin për ndërtim HEC-esh në degët lumore të paprekura brenda ZM-ve, në kundërshtim jo vetëm me aktet ligjore në vend, por dhe me standardet dhe detyrimet ndërkombëtare për zonat e mbrojtura. Këtu nuk duhet harruar edhe vetë sjellja e vizitorëve brenda ZM-ve, të cilët nuk duket se kanë shumë parasysh se përse ato ruhen me roje, me postobllok në hyrje etj. Mjafton të pëmend këtu ndotjen që shumë vizitorë të papërgjegjshëm bëjnë gjatë fundjavës brenda PK të Dajtit, por dhe në zona të tjera të mbrojtura, si burimet e Bistricës, Drilonit etj., të cilat janë simbol për vlerat natyrore dhe biologjike.



Sot mbizotëron mendimi sektorial se ZM-të janë me rëndësi për tërheqjen e numrit të vizitorëve, shtimin e të ardhurave, për zhvillimin e turizmit etj. etj. Në të vërtetetë, zonat e mbrojtura si të tilla duhet të qëndrojnë larg shfrytëzimit nga njeriu për qëllime të ngushta përfitimi, qoftë për përdorimin e drurit, të bimëve aromatiko-mjekësore, të kullotjes, për ndërtime apo për turizëm masiv. Ato duhet të mbrohen rreptë nga zjarret, dhe nga shumë ndërhyrje që bien ndesh me integritetin e tyre. Parqet Kombëtare nuk janë në të vërtetë ‘Parqe Turistike’! Është e vërtetë se aty ku natyra është e mbrojtur, e paprekur dhe me intergitet të lartë, ajo bëhet më tërheqëse për njeriun. Sa më e virgjër të jetë një zonë aq më shumë ofron ajo interes për një natyralist, për një dashamirës të natyrës, aq më e madhe është fuqia çlodhëse e saj. Por përfitimet nga një zonë e mbrojtur nuk duhen parë vetëm këtu, por tek detyrimi që ne kemi për të zhvilluar veten tonë bashkë me natyrën, për të bashkëjetuar në rrugën tonë me botën e gjallë, me florën, me faunën, për të sotmen dhe për të ardhmen. Kjo është e paçmuar, jo e lehtë të vlerësohet nga ana ekonomike!



Edhe ndikimi tek lumenjtë nuk duket i pakët dhe miqësor në vite, jo vetëm në përgjithësi, por edhe brenda vetë ZM-ve. Përveç ndotjes nga erozioni i shpatit nga prerjet, mbikullotjet dhe djegiet e pyjeve, lumenjtë shqiptarë i nënshtrohen përditë ndotjes nga shkarkimet urbane të papërpunuara, por dhe shkarkimet industriale, apo dhe bujqësore, si dhe nga grabitja e inerteve në shtratin lumor, dhe së fundi edhe nga ndërtimi i HEC-eve. Të gjitha këto kanë ulur cilësinë e jetës, kanë shëmtuar dhe ulur vlerat turistike; por ndër të tjera, kanë ulur integritetin e ekosistemeve (virgjërinë), kanë varfëruar dukshëm biodiversitetin në gjithë aspektet e tij, varfërimin llojor të florës dhe faunës së egër. Unë apo gjithë të tjerët që mendojnë si unë nuk jemi kundër shfrytëzimit të lumenjve edhe për hidroenergjetikë. Por ajo që nuk shkon dhe nxit shqetësimin tonë dhe atë ndërkombëtar është këmbëngulja për të ndërtuar në zona lumore me shkallë shumë të lartë ruajtje. Nga rreth 3100 km rrjedhje lumore që ka Shqipëria, rreth 2200 km (mbi 70%) kanë integritet të lartë (http://balkanrivers.net). Ndërkohë në gjithë lumenjtë e vendit janë dhënë me koncesion nga viti 2007 e deri sot rreth 530 HEC-e (në ndërtim apo në pritje për t’u ndërtuar); mbi 80 prej tyre prekin zona lumore të virgjëra, madje edhe brenda ZM-ve ose ekologjikisht pranë tyre; këtu përmendim HEC-et në Valbonë, Lurë, Theth etj.



Sot dihet mirë se digat, kanalet, betonimi dhe tunelimi i ujërave të këtyre lumenjve janë pa pasoja natyrore dhe biologjike. Nga këto ndërhyrje integriteti i ekosistemeve lumore me siguri varfërohet! Mendimi i përparuar ka kohë që ka formuar bindjen se lumenjtë natyrorë me rrjedhje të lirë janë ekosisteme që sigurojnë një gamë të gjerë shërbimesh (http://ëëë.hydrosustainability.org), nga pastrimi natyror i ujërave, furinizimi i ujërave nëntokësorë si për ujë të pijshëm dhe për bujqësi, zbutjen e përmbytjeve, ruajtjen e biodiversitetit natyror, dhe si mundësi e veçantë për shlodhje dhe për zhvillimin e turizmit. Kjo frymë ndryshe është pranuar edhe nga politika e BE-së, p.sh. strategjia e BE-së për të ndaluar humbjen e biodiversitetit deri në 2020, nisma EU COM për Infrastukturën e Gjelbër etj. Për këtë është ndërhyrë edhe në kërkesat për vlerësimin e ndikimit në mjedis, ku shërbimet e ekosistemit pranohen sot gjerësisht si mjete të dobishme për shqyrtimin tërësor në zgjidhjen e sfidave të shumta ekologjike dhe socio-ekonomike. Për fat të keq, kjo lloj fryme ende nuk ka arritur në Shqipëri. Ekspertiza shqiptare për vlerësimin e ndikimit në mjedis lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit vazhdon të mbetet shumë e përgjithshme, mjaft sipërfaqësore dhe jo profesionale, madje në shumë raste dhe e dyshimtë. Kjo jo vetëm për pa aftësinë e ekspertëve, për shkollimin e cunguar të tyre, por edhe për mungesë të njohurive përkatëse për secilën zonë të thellë malore që parashikohet t’i nënshtrohet ndërhyrjes nga njeriu, ... dhe ndoshta edhe në mënyrë të verbër nga interesa të çastit.



Përmbushja e standardeve mjedisore ka rëndësi kushtetuese dhe më gjerë



Nuk duhet harruar se mbrojtja e natyrës dhe e biodiversitetit nuk është dëshirë vetëm e disa ekspertëve apo dashamirësve të mjedisit. Në Nenin 59 të Kushtetutës sanksionohet se Shteti Shqiptar duhet të synojë ‘për shfrytëzimin racional të pyjeve, ujërave, kullotave dhe pasurive të tjera natyrore mbi bazën e parimit të zhvillimit të qëndrueshëm’ (Pika dh). Në zbatim të këtyre kërkesave themelore për mbrojtjen e natyrës, janë ligji ‘Për Mbrojtjen e Mjedisit’ (Nr.10431/2011), i cili merr përsipër të ‘ruajë, mbrojë dhe përmirësojë natyrën dhe biodiversitetin; të përdorë në mënyrë të matur dhe racionale natyrën dhe pasuritë e saj’ (Neni 3). Po aty ky ligj zotohet të ‘ruajë, të mbrojë dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë mjedisore me pjesëmarrje publike’, në përputhje kjo edhe me nenin 56 të Kushtetutës, po aq të rëndësishëm për qëndrimin ndaj mjedisit. Në mbështetje të këtyre detyrimeve Kushtetuese janë edhe disa ligje të tjera: ‘Për Zonat e Mbrojtura’, ‘Për Mbrojtjen e Bodiversitetit’, ‘Për Lejet e Mjedisit’, ‘Për Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis’, ‘Për Menaxhimin e Integruar të Burimeve Ujore’, ‘Për Vlerësimin Strategjik Mjedisor’ etj. Sipas Ligjit ‘Për Zonat e Mbrojtura’, Shteti duhet ‘të sigurojë mbrojtje të veçantë të përbërësve të rëndësishëm të rezervave natyrore, të biodiversitetit dhe të natyrës në tërësi, nëpërmjet krijimit të ZM-ve (ruajtje e drejtpërdrejtë në vend – in situ)’.



Shqipëria është palë në shumë organizma ndërkombëtare, shumë konventa, përfshirë dhe ato që interesohen për çështjet mjedisore. Vendi ynë bashkëpunon ngushtë me BE-në, ku përmbushja e standardeve mjedisore ka shumë rëndësi. Këtu synon edhe shqetësimi i shprehur posaçërisht për HEC-et në dy Rezolutat e Parlamentit Europian (Prill, 2015 dhe Prill, 2016), të cilat këshillojnë Qeverinë ‘të kontrollojë zhvillimin e  HEC-eve në zonat e ndjeshme mjedisore, si në lumin Vjosë, ashtu dhe në ZM-të, për të ruajtur integritetin e parqeve kombëtare ekzistuese (Pika 23); kjo do të lejonte zbatimin e standardeve të BE-së të dhëna në Direktivat e Shpendëve dhe Habitateve, si dhe në Direktivën Kuadër të Ujit (ËFD)’. Rezoluta nxit, gjithashtu, Qeverinë tonë ‘të rritë transparencën përmes pjesëmarrjes publike dhe përmes konsultimeve për gjithë projektet e planifikuara’. Për fat të keq, sot nuk duket dëshira në vend për të dëgjuar këshillat që vijnë nga Europa për mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit. Madje së fundi, në kundërshtim me këshillat e PE për Vjosën për ta mbrojtur nga digat, Qeveria lejoi ndërtimin e një dige të dytë në Poçem, përveç rreth 20 HEC-eve të vegjël në ndërtim e sipër në degët malore, më të paprekura të Vjosës (Lengaricë, Bënçë, Kardhiq etj.).



Vlen të theksohet se pellgu i Vjosës – me gjendjen e tij të ndikimit të pakët antropogjen - shihet si një strehë natyrore në shkallë të gjerë dhe si një laborator më rëndësi për mbarë Europën. Për shkak të rrjedhjes lumore të pandërprerë, të transportit të sedimenteve dhe morfodinamikës lumore, si dhe të biodiversitetit të tij të veçantë, Vjosa përbën një sistem ndërkombëtar model, të veçantë për dinamikën e ndërlikuar morfologjike dhe biologjike të korridorëve lumorë; kjo mund të vlejë për studime që ndihmojnë në bashkë kalibrimin e vlerësimit të ndërhyrjeve në lumenj, dhe si lumë krahasues ndërkombëtar për kërkime mbi ndryshimet e klimës. Aq sa ne njohim deri sot pellgun e Vjosës, rreth 150 lloje bimore dhe shtazore bëjnë pjesë në shtojcat e llojeve të mbrojtura nga Konventa e Bernës, e cila synon në ruajtjen e botës së gjallë europiane dhe habitateve të tyre, kryesisht atyre shtegtare.



Kjo është arsyeja pse Bashkimi Europian e sheh me shqetësim zhvillimin energjetik në shkallë të gjerë në Ballkan, përfshirë dhe Shqipërinë. Këtu mbështetet edhe nisma e mjedisorëve vendas dhe të huaj mbi ruajtjen e Zemrën Blu të Europës (si i quajnë ata lumenjtë e virgjër të Ballkanit) nga tsunami i HEC-eve. Për këtë i kërkohet me forcë sot Shtetit të anullojë koncesionet që janë lejuar në mënyrë të verbër të ndërtojnë HEC-e brenda Zonave të Mbrojtura të vendit, si dhe të bëhet palë me përpjekjet për të ruajtur nga digat zonat e tjera me vlera natyrore të rralla, si lumi Vjosë dhe degët e tij. Vetëm në këtë mënyrë, mund të përmbushen kërkesat që rrjedhin nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar, si dhe Rezolutat e fundit të BE-së.



Biodiversiteti është baza e Jetës dhe e mbijetesës së vetë Njeriut



Nuk duhet harruar se larmia e botës së gjallë, ose si thuhet rëndom sot biodiversiteti, janë themelore për Jetën në Tokë dhe për vetë mbijetesën e njeriut. Këtu përfshihen gjithë speciet biologjike me gjithë përmbajtjen gjenike të tyre, si dhe ekosistemet e ndryshme ku ato jetojnë. Këto së bashku janë prodhim i evolucionit mbi tre miliardë vjet, dhe përmbushin funksionin normal të sistemeve natyrore, të vetë Jetës në Tokë. Zhdukja e ndonjërit prej këtyre përbërësve është me pasoja të rënda, dhe kthehet mbrapsht me kosto të rëndë, shpesh të pa riparueshme. Shpesh harrojmë se drejtpërsëdrejti ose tërthorazi njeriu merr nga pasuritë biologjike lëndë të rëndësishme për të (mbi)jetuar, duke filluar nga oksigjeni që thithim përditë, e deri te shumë lëndë të para për industrinë, për prodhimin e bukës dhe ushqimeve, të fibrave tekstile, lëndëve djegëse, lëndëve kimike, mjekësore etj. Por pasuritë biologjike janë garanci edhe për mbrojtjen ndaj ndryshimeve mjedisore, për zbutjen e klimës, ndaj përmbytjeve, për mjedise çlodhëse, për jetën krijuese, si dhe për studime shkencore.



Këto janë arsyet se përse mjedisi dhe shfrytëzimi i pasurive natyrore dhe biologjike merr sot rëndësi jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë komunitetin ndërkombëtar. Njeriu me zhvillimin e tij po kërcënon sot kudo seriozisht natyrën dhe biodiversitetin, përfshirë këtu shumë lloje të rëndësishme. Mjafton të përmendim se në 60 vitet e fundit të zhvillimit të saj Shqipëria ka humbur rreth 1 milionë ha pyje. Kjo pa dyshim ka shkaktuar varfërim llojesh, si bimore dhe shtazore; për këtë, Lista e Kuqe ligjërisht e mbrojtur (2013) ka shkuar deri në 400 lloje bimore dhe 575 lloje shtazore; nga bimët mund të përmendim sherbelën, çajin e malit, rigonin e bardhë etj., dhe nga bota shtazore shumë peshq (p.sh. troftat), shumë shpendë ujorë dhe shumë gjitarë. Jo më kot, Shqipëria klasifikohet sot si vend me erozion të lartë, si atë të shpatit dhe në bregdet, dhe për humbje të theksuar të tokës, dallohet për ashpërsimin e klimës dhe për shpeshtim përmbytjesh. Ky është në të vërtetë ndëshkimi që na vjen nga Nëna Natyrë për sjelljen tonë! Janë këto arsye që detyruan Shtetin të shpallë dhe të përpiqet të verë në zbatim dy Moratoriume në sinergji me njëri-tjetrin, për Pyjet dhe për Gjuetinë. Edhe pse me mjaft vonesë, mund të thuhet se zbatimi i tyre nuk është pa kosto për shoqërinë e sotme shqiptare!



ZM-të janë hapësira ku Jeta duhet të lihet e lirë dhe e pashqetësuar



Nevoja për mbrojtjen e natyrës dhe të biodiversitetit sot në botë është kaq e mprehtë sa duhet bërë pavarësisht nga vështirësitë ekonomike dhe nga nevojat e çastit. Për këtë arsye madhore, njeriu i qytetëruar sot më shumë se kurrë është i detyruar të lerë hapësira të caktuara që jeta të zhvillohet e lirë, e pa shqetësuar nga çdo lloj ndikimi nga veprimtaritë e njeriut. Këto ZM janë vendbanimi për shumë lloje bimore dhe shtazore që do ta kishin të vështirë të mbijetonin në mjediset jashtë tyre për shkak të ndërhyrjes së njeriut.



Në përmbushje të këtyre kërkesave, që burojnë dhe nga Ligji Themeltar dhe aktet e tjera në vend dhe ato ndërkombëtare, ashtu si në gjithë vendet e tjera të botës së qytetëruar, edhe Shqipëria ka miratuar një sistem të mirë dhe të larmishëm me rreth 800 zona të mbrojtura të kategorive të ndryshme sipas IUCN-së, me sipërfaqe prej mbi 460 mijë ha ose rreth 16% e gjithë territorit të vendit. Ky sistem përfshin 15 Parqe Kombëtare (Kategoria II sipas IUCN) me mbi 200 mijë ha, si PK i Dajtit (i zgjeruar), Divjakë-Karavastasë, Butrintit, Tomorrit, Prespës, Valbonës; Thethit, Lurës etj. Çdo ndërhyrje e njeriut brenda këtyre zonave është e papranueshme dhe bie ndesh me aktet ligjore kombëtare dhe standardet ndërkombëtare.



Por nga sa më sipër, ZM-të në Shqipëri nuk janë me të vërtetë të mbrojtura, si dhe shumë zona të tjera të brishta të natyrës dhe biodiversitetit shqiptar. Krijimi i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura është një nismë e mirë e Qeverisë, bashkë edhe me përpjekje të tjera për mbrojtjen e pyjeve dhe të kafshëve të egra etj. Por mendoj se vizioni për ZM-të duhet të jetë më i qartë dhe më bashkëkohor nga ana e gjithë stukturave shtetërore dhe atyre private, sidomos nga të gjithë ata që marrin vendime apo janë direkt përdorues të vlerave natyrore dhe biologjike. Duhet të gjithë këta të mbështetin mbrojtjen e integritetit (virgjërisë) së ZM-ve, në mënyrë që ato të përmbushin dhe ruajnë në vazhdimësi vlerat e tyre për të cilat janë shpallur.



*Profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, Universiteti i Tiranës

"Shekulli"

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.