Mbrojtje e pakushtëzuar për ministrin e Brendshëm

Postuar në 29 Korrik, 2016 12:37

Dy ditë më parë bëri disi përshtje një lajm për pjesëmarrjen e kryeministrit në një aktivitet të Ministrisë së Brendshme për masat e reja menaxhuese në polici. Një aktivtet që ndoshta e ka të panevojshme prezencën e kryeministrit, i cili jo vetëm që ishte aty, por foli dhe cilësoi se tollonat elektronikë për karburantin e makinave të policisë, përbën një revolucion.
Mirëpo sot, Edi Rama ka qënë sërish në një aktivtet të dorës së dytë, e që fare mirë mund t’i lihet ministrit të Brendshëm: ai ka marrë pjesë në inaugurimin e komisariatit të ri të Policisë Rrugore, e cila sot i është nënshtruar edhe një serie lëvizjesh në personelin drejtues.

Me këtë rast, pra atë të prerjes së shiritit, kryeministri ka shpallur një lloj mbrojtjeje të pakushtëzuar për ministrin e Brendshëm, Sajmir Tahiri. “Respekt për skuadrën e ministrit të Brendshëm dhe drejtuesit e policisë, që të çliruar nga kthetrat e politikës të lidhur me krimin që i mbante në një trysni të përditshme dhe ua kishte bërë ferr punën e tyre sot, janë në krye të detyrës dhe çojnë përpara një projekt madhështor të vënies së policisë tërësisht në shërbim të qytetarëve. Kjo punë ka në krye ministrin e Brendshëm dhe sa herë më jepet rasti e përsëris se puna e tij meriton çdo lëvdatë, pasi jo më kot meriton dhe gjylen e përditshme të baltës së SHQUP. Kompliment që vjen nga ata që jo vetëm shtet nuk njohin, por as nuk dinë të bëjnë dhe prandaj mbushin topat e baltës dhe gjuajnë nga policia e shtetit që është modeli për t’u ndjekur nga të gjithë”, tha Rama.

Është një mesazh për LSI-në në fakt, kreu i së cilës ka kohë që thuhet se është në fërkime të forta me kryeministrin për çështjen e ministrit të Brendshëm. Ndaj Sajmir Tahirit ka një kallëzim nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, ai u vu në siklet dhe nuk dinte si të mbrohej gjatë çështjes së pajisjes përgjuese, njësoj sikurse nuk arriti dot të menaxhonte veten kur u vu para faktit të shkarkimit të drejtorit të Policisë, Haki Çako. Të gjitha probleme të mbyllura tashmë, qoftë me ndihmën e madhe të kryeministrit, që preferon të konsiderojë baltë çdo akuzë, qoftë edhe me negociimin e opozitës, e cila nuk ka ndjekur asnjë çështje deri në fund.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.