Puna, Zyrat e Punës dhe një praktikë që prodhon statistika të rreme

Postuar në 08 Maj, 2016 16:06

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, prej disa ditësh tashmë,  ka nisur një fushatë të vetën në profilin në Facebook, për punësimin. Me disa video promocionale, kryeministri sjell shembuj të njerezve që kanë gjetur punë përmes Zyrave të Punës, duke sugjeruar se në të gjithë vendin ka 31 mijë vende pune. Bashkë me logon “Punë ka, kërkohen profesionistë”, kjo minifushatë synon të sqarojë dhe të ulë peshën negative të perceptimit se në Shqipëri nuk ka fare punë.

Duke marrë parasysh faktin se përgjithësisht iniciativat e qeverisë shihen me një sy nihilist, përpjekja e Ramës nuk ka asgjë të keqe. Edhe sepse promovon Zyrat e Punës, por edhe sepse kërkon të korrigjojë një mendim që absolutizon papunësinë, e që nuk ka sesi të jetë i vërtetë.

Mirëpo me Zyrat e Punës, që shërbejnë këtu si stacione ndërmjetësimi për gjetje pune ka jo pak probleme. Dhe këto burojnë më shumë nga kaosi ligjor më tepër sesa nga mosfunksionimi. Një kaos që po tjetërson objekin e këtyre instituconeve.

Burime për “ResPublica” thanë se në këto institucione ka prej kohësh një dyndje njerëzish që kërkojnë vërtetimin që i deklaron ata si “Punë kërkues të papunë”. Pra njerëz që kanë regjistruar kërkesën për punë pranë Zyrës së Punës, por që ende nuk e kanë gjetur një të tillë. Zyrat e Punës kanë detyrimin ligjor që ta lëshojnë këtë vërtetim, një muaj pas regjistrimit të kërkesës, një periudhë kohore që presupozohet se mjafton për përpunimin e ofertave në raport me kualifikimin e personit të interesuar. Mirëpo ajo që ndodh në realitet është se një shumicë njerëzish e kanë bërë të vetën këtë procedurë pasi me statusin e “Punëkërkuesit të papunë”, përfitojnë librezën shëndetësore për ilaçet e rimbursueshme, sikurse edhe lehtësi si “shtresa në nevojë” për shërbime si pagesa e energjisë elektrike, apo përfitimi i Ndihmës Sociale.

Në tërësi shifra që krijon kjo ngarkesë është e tillë që e dëmton buxhetin e shtetit, tjetërson qëllimin e Zyrave të Punës dhe sidomos kontribuon në legalizimin e statistikave të rreme të punësimit. Të njëjta burime thanë se në momentin që numri i Punë Kërkuesve të Papunë rritet në një hark 3 mujor, dhënia e vërtetimeve shtrëngohet, ose zvarritet, në mënyrë që të dhënat “negative” të ulen në statistikën e përgjithshme. Dhe e anasjellta. Gjithnjë me një kategori njerëzish që janë lakmuesi i statistikave të pasakta, falë edhe këtij sistemi parazitar që nuk kontribuon më për asgjë të mirë.

Eliminimi i kësaj praktike do të ndihmonte shumë edhe kryeministrin, i cili përpiqet me të vetën të thotë se ka 31 mijë vende pune në Shqipëri dhe 8 mijë në Tiranë. Mund të jetë e ëvërtetë kjo dhe nuk ka pse ta vëmë në dyshim. Por që ky tregues të dalë në vend të parë, do të ishte e udhës që të pastrohej ngarkesa inflacionare e kategorisë së mësipërme, në mënyrë që në në fund të një periudhe vjetore, Zyrat e Punës të kenë një statistikë të përpunimit të KËRKESAVE REALE PËR PUNË. Kjo me siguri do të jepte besueshmërinë e munguar te to, por edhe do t’i jepte shtetit një rol ndërmjetësues të vërtetë. Përndryshe, parrullat “Punë ka, kërkohen profesionistë” do të vijojnë të mbeten autorionizuese, pasi realiteti i shpjeguar më sipër na konfirmon se “Punë ka, por ka edhe ustallarë që marrin lekë pa punuar”.  

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.