Mbi Prometeikën në Letërsinë shqipe

Postuar në 23 Prill, 2016 11:43
Dr. Skënder Karriqi

Studiuesja franceze Ėlise Radix, në punimin me titull Njeriu-Promete, fitimtar i shek XIX, bën fjalë për një frymë të përgjithshme të këtij shekulli, frymë të cilën ajo e përcakton si prometeiane dhe që, sipas saj, zbulohet përmes një serie imazhesh romantike me vlera simbolike dhe, mbi të gjitha, përmes një shfaqjeje të përsëritshme, edhe pse të maskuar, të titanit Promete. Çelësi për të kuptuar këtë seri imazhesh, sipas saj, është vizioni i shkëmbit, i shënjuar fillimisht si shkëmbi i Kaukazit, përndryshe vendi i dënimit, i refuzimit, i revoltës, i izolimit, i dhimbjes dhe soditjes tragjike. Në këtë kuptim ky vizion do të jetë një ndër shenjat tipologjike të formës dhe përmbajtjes së produktit letrar romantik. Përgjatë përvojës krijuese romantike këtë vizion do ta gjejmë të reflektuar në imazhet e malit, majës, çukës, kreshtës, timbës, bregut, kodrës, si të prejardhura nga imazhi i një shkëmbi romantik, përndryshe vizioni i Kaukazit, malit ku vuajti dënimin heroi mitologjik, Prometeu. Jo në pak raste këtë vizion-imazh, shënjues tipologjik, do ta gjejmë edhe të nënkuptuar qartësisht nëpërmjet kuptimeve ndajfoljore si: poshtë, lart, tutje, përtej, tej, etj.

Letërsia e Rilindjes Kombëtare Shqiptare si dhe ajo e Pavarësisë, janë mrekullisht të integruara në këtë frymë (të shek XIX), e cilësuar nga studiuesja franceze si prometeiane. Në fakt, tek asnjë nga autorët e këtyre dy periudhave letrare shqiptare nuk rimerret Prometeu dhe miti i tij në kuptimin e një heroi apo subjekti letrar, me qëllimin për të parabolizuar ide të Rilindjes Kombëtare apo të Pavarësisë. Gjithashtu, Prometeu nuk përmendet si hero frymëzues apo modelues, ndërkohë që formimi kulturor dhe letrar i autorëve të të dyja periudhave, dëshmon njohjen e antikitetit klasik dhe kohëve të mëvonshme kulturore-letrare, Europiane e më gjerë.

Nga ana tjetër, gjithsesi, në letërkëmbime apo biseda, siç është rasti i themeluesit arbëresh Jeronim de Rada, Prometeu përmendet në mënyrë metaforike, për të shënjuar me figurën e tij gjithë aktivitetin letrar, madje gjithë jetën e vet, duke u vetidentifikuar kështu me atë, titanin Promete. Në një moment të atillë dëshpërimi, kur njeriu për këtë shkak nuk i respekton më tabutë, ai ndër të tjera, i shkruan Kontit De Gubernatis: Përpjekjet për ta bërë të njohur Shqipërinë duke e lidhur me Italinë, i shoh të më shkërmoqen në duar. Pamundësia është mbështjellja që i hëngri zemrën Prometeut, por nuk më ka përkulur. Nga këto fjalë shkruar mikut të tij, duket qartë se De Rada e ndiente veten Promete në ndërmarrjen madhore për ringjalljen e kombit Shqiptar. Në raste të tjera në krijimtarinë e tij, p.sh në poemën Odiseu, do të gjejmë hijen e Prometeut tabu, të eufemizuar si perëndia që nxori në dritë njeriun. Do të shohim gjithashtu që ai, ngjashëm me Gëten, tek Parime estetike bën fjalë për figurën e krijuesit që gjen brenda vetes pishtarin me të cilin do t’u ndriçojë brezave udhën e lirisë për të arritur tek etnia e humbur. Madje, ndjesinë e pishtarit brenda vetes, De Rada do ta teorizojë në nivelin e parimit estetik: Kjo ndjesi, sipas tij, duhet ta dallojë cilësisht veprën letrare. Tek krijimtaria letrare e këtij themeluesi e ka zanafillën edhe heroi i sublimuar në hapësira dhe distanca majamalesh, kodrash, çukash, brigjesh e timbash, veçori romantike kjo, të cilën studiuesja franceze e sheh të lidhur gjenetikisht me serinë e imazheve të Prometeut (edhe pse i maskuar), mbërthyer në shkëmbin (malin) e Kaukazit. Në fund të fundit, me De Radën zanafillon imazhi i projektit ideal të Shqipërisë së pavarur, shoqëruar me imazhin dritësor të yjeve dhe të ditës së bardhë. Ky projekt s’kishte si të mos ishte i lidhur me iluminizmin romantik, që i jep kuptim atij, e bën të perceptueshëm dhe të përjetueshëm, ngjashëm me projektet ideale të romantikëve europianë e veçanërisht të preromantikut Gëte

Me botimin e poemës Bagëti e Bujqësi, Naim Frashëri, në mënyrë qartësisht poetike, vjen si hero lirik, i sublimuar edhe ky në lartësi majamalesh, në marrëdhënie me distanca hapësinore, prej nga zë fill poetizimi i atdheut. Ky imazh epror i heroit lirik naimjan është guri i themelit të poetikës së kryepoetit të Rilindjes; ai shndërrohet në një dominante poetike që motivon të gjitha idetë dhe artin e tij poetik. Është imazhi prometeik me të cilin vetëpoetizohet poeti i Atdheut. Në poetikën e Naimit, ideja dhe disponimi prometeik vijnë, veç të tjerash, edhe me metaforën e qiririt, që vetesakrifikohet për ndriçimin dhe vllazërimin e njeriut, e me tej, me metaforën e fyellit, si parabolë e heroit të pakuptuar, që vuan për njerëzit, por akoma më shumë vuan të qënit i pakuptuar prej tyre.

Në imazhin prometeik që mediton në distanca majamalesh ( në malin e Tomorrit) duke sjellë perceptimin poetik të fshatit…/me kish’ e me varre/ Rrotull ca shtëpi/ të vogela fare, (shenjë kjo e distancës hapësinore romantike në raport me objektin poetik), vjen edhe Andon Zako Çajupi, me vëllimin poetik Baba Tomorri. Gjithsesi, fokusi romantik nuk e pengon heroin lirik që, nga kjo distancë majëmali të meditojë për gjendjen e mjeruar të gruas shqiptare dhe të stigmatizojë ashtu siç dinte ai, moralin maskilitetin, që legjitimonte atë gjendje tragjike.

Kjo shenjë romantike e malit, por edhe shenjë klasike e poetikës shqipe, me poemthin Liria të Mjedës do të vijë e atillë, sa mund të vlerësohet e denjë për fondin e albanizmës. Me imazhin e heroit prometeik të izoluar, Mjeda e tejkalon shërbëtorin e Zotit dhe, duke rimarrë formulën hyrëse të tipit Këndo hyjni mëninë e Akil Pelidit, i drejtohet simbolit totemik, shqipes (shqipeve), për të mësuar të ardhmen e lirisë së shqiptarëve. Më pas, teksti modelohet në mënyrë të atillë që eklipson dialogun e shqipes (shqipeve) me poetin. Në mënyrë të nënkuptuar thelbi i këtij dialogu është informacion mbi lirinë e Atdheut dhe të ardhmen e tij. Marrëdhënia e poetit me shqipen (shqipet), s’është gjë tjetër, veçse një marrëdhënie komunikimi, ku në instancë të fundit shqipja është dhënëse, ndërsa poeti është marrës dhe përhapës i informacionit, që vjen së larti; jo nga Muza antike, as nga Zoti unik, por nga totemi i shqiptarëve, shqipja (shqipet), që e ka (kanë) këtë mundësi falë topikës dominuese në lartësi dhe hapësirë. Në këtë mënyrë, ashtu si paraardhësit e tij në majamalesh dhe në marrëdhënie me distanca lartësish dhe hapësirash (romantike), autori legjitimon veten si vetë prometeike, si trumbetar i lirisë: hero prometeik që zgjon politikisht popullin dhe e drejton zemërimin e tij për kah liria.

Në poezinë e Nolit, prometeikja vjen në imazhin e çlirimtarit, por dhe heroit të pakuptuar, nëpërmjet poetizimit episodik të subjektit biblik mbi jetën e Moisiut dhe Jezu Krishtit, përkatësisht në poezitë: Moisiu në mal, Krishti me kamçikun, Marshi i Krishtit Marshi i Kryqësimit dheKryqësimi. Në poezinë Moisiu në mal, heroi biblik, Moisiu, udhëheqësi i hebrenjve për në Tokën e Premtuar, sa më lart i ngjitet malit të Sinait, aq më shumë sublimohet dhe çlirohet nga të qënit njeri i thjeshtë; aq më shumë e ndien veten hero të sublimuar në majëmali, që sheh dhe përjeton prej andej nga shihte dhe përjetonte vetë Zoti. Ndërsa në poezinë Anës lumenjve, heroi prometeik nolian vjen në imazhin e të syrgjynosurit, ( parabolë për vetveten) si figurë mesianake, që paralajmëron lëvizjen e gjerë politiko-sociale e cila do të sjellë lirinë e vërtetë. Në këtë poezi, konfirmohet në një regjistër të admirueshëm poetik veta prometeike autoriale. Sipas modelit titanik janë paraqitur edhe figura nga antikiteti grek dhe historia e Shqipërisë ( periudha e viteve 20-të, kur vetë poeti ishte protagonist në skenën politike shqiptare). Kështu, në imazhin heroik të lajmëtarit të fitores, që do të thotë lirisë, vjen Maratonomaku, i detajuar në përmasa titanike nëpërmjet hiperbolës: Gryka si gjyryk të çfryn / Prej vullkani flag e tym /. Po në përmasa të tilla titanike, duke shtuar edhe përmasën sociale, metaforizohen e detajohen edhe bashkëluftëtarët e poetit, si Bajram Curri: Dif dragoj i Dragobisë, / Trim tribun i Vegjëlisë. …/ Legjendar Ante po rritesh- /, apo Luigj Gurakuqi: Ky Vigan Liberator./

Konica, ndër të paktët që në esenë Jeta dhe librat sjell në vëmendjen e lexuesve figurën e Prometeut dhe vlerëson tragjedinë e Eskilit, në Katër përralla nga Zullulandi, vjen me historinë prometeike të Plugut, ( edhe këtu parabolë për vetveten) i cili, pas përpjekjeve të mundimshme për të zgjuar ndërgjegjen politiko-sociale të fisit të tij, Zulluve, përndiqet nga turma e paditur, që udhëhiqet nga demagogu injorant Deni Sepa Llupa dhe detyrohet të ngujohet në shpellë, duke përkuar në këtë mënyrë ( ngjashëm si tek Noli) me mesianizmin social që kemi parë në variante europiane. Ndërsa heroi prometeik i Koliqit, edhe pse vjen nga Perëndimi me ideale të qarta dhe i vendosur t’i përkushtohet qytetërimit të mjedisit social konservator, nga ku ka origjinën, nuk arrin ta tejkalojë Hijen e maleve, duke mbetur thjesht një shembull argumentues i teorisë psikanalitike mbi rrënjët e moralit zakonor në subkoshiencë. Përveçse te Koliqi gjejmë imazhin e heroit lirik që mediton në majëmalesh, ngjashëm me modelin prometeik, në Pasqyrat e Narcizit, distanca perspektive romantike (që tek De Rada, Naimi, Mjeda e Çajupi dhe vetë Koliqi në disa tregime, përftohej në distancë majëmalesh), vjen ngjashëm edhe me modelin e Narcizit. Kështu sipërfaqja e pellgut të çuterit ( kroit), pusit, liqenit, apo siperfaqja e një pasqyre të vjetër shkodrane, imazhohet si hapësira e informacionit mbi të cilin mediton heroi lirik, për të arritur tek rrënjët e tij etnike. Edhe pse tek Migjeni vihet re predispozita prometeike e heroit lirik të angazhuar në lidhje me probleme të mprehta sociale, përgjithësisht ai nuk e tejkalon pesimizmin, duke mbetur figura e vetës poetike të pafuqishme përballë Malit që hesht dhe qeshet me të. Ai nuk arrin të shfaqet në përmasa titanike për ta tejkaluar këtë Mal, nuk e tejkalon dot dhomën e erret dhe në vend që të gjejë brenda vetes pishtarin për t’u bërë dritë të tjerëve, kërkon dritë për vete. Ndoshta qe sëmundja që e pengoi këtë zë poetik të fuqishëm, denoncues, të arrijë përmasat prometeike. Nga ana tjetër, sensi realist mund ta ketë penguar atë t’i referohet modelit romantik të heroit lirik, i konceptuar poetikisht ngjashëm me modelet mitologjike titanike.

Lasgush Poradeci e ndërton parabolën prometeike sipas modelit natyror dhe të Gjeniut. I pari Mishërohet poetikisht në poezinë Vdekja e Nositit., nëpërmjet së cilës vetëflijimi poetizohet si rregull tragjik i vazhdimësisë së brezave. Ndërsa i dyti sendërtohet në poezinë Gjeniu i anijes, ku spikat akti vetëflijues i Gjeniut për të hapur rrugë të pashkelura të filozofisë së triumfit mbi vështirësitë e jetës :Se po lë vazhdën e ndritur- / Q’e hapa me shpirtin fatos:- / Fistoni gazmor ku pat shkitur / Valim-i anijes q’u sos . / . Miqtë e poetit në kujtimet e tyre, na bëjnë me dije se ai kishte qejf, madje e ndiente të nevojshme që, herë pas here të ngjitej në kodren përkarshi qytetit, aty ku ishin rrënojat e kalasë, dhe të sodiste liqenin. Ky fakt biografik është domethënës në lidhje me poetikën e tij. Në fakt, për nga përmbajtja dhe mesazhet ai ishte shumë larg poetëve europianë të liqenit (lekistëve). Nga ana tjetër, i ngjashëm me ta, intuitivisht ai kërkonte të plotësonte (dhe plotësonte) kushtin romantik të hapësirës. Dhe këtë hapësirë ai e gjen në sipërfaqen e liqenit, të kundruar në një lartësi majëkodre, prej nga meditonte, ngjashëm me modelin prometeik europian, të shfaqur në serinë e imazheve për të cilat bën fjalë Radiks, siç e kemi thënë në fillim të këtij shkrimi. Nga ky vështrim i shkurtër, përgjatë dy periudhave të letërsisë shqipe, Rilindjes dhe Pavarësisë, konstatohet prania e prometeikes si strukturë karakterizuese, e cila dëshmohet qartë nëpërmjet vetës së parëtopikës së sublimimit të heroit lirik në maja malesh, kodrash, bregoresh, timbash etj., metaforës, dhe alegorisë, duke reflektuar një sens të qartë parabolik. Është pikërisht prania konstante e kësaj strukture, me të cilën lidhet fryma prometeike që karakterizon letërsinë e këtyre dy periudhave letrare, në pikëpamje të formës dhe të përmbajtjes, si një letërsi e angazhuar për ringjalljen e idesë kombëtare ( Rilindja) dhe emancipimin e shoqërisë shqiptare ( Pavarësia).

Bërthama e këtij angazhimi letrar është autori, i cili, përveçse transfigurohet brenda subjektit epik apo lirik më së shpeshti nëpërmjet vetës së parë, edhe kur shprehet në vetën e tretë, e realizon këtë transfigurim nëpërmjet rastit autobiografik, si raport i vetës autoriale me masën, shoqërinë, në një moment të caktuar historik. Pikërisht nga ky raport angazhues përftohet figura e autorit hero, misionar, për të ndriçuar e hapur perspektiva të reja kombëtare e sociale.

"Mapo"

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.