bota
Kina përplaset me SHBA-në në hapësirë
Gara SHBA-Kinë është zhvendosur prej kohësh edhe në hapësirë. Por një incident i fundit i ka acaruar marrëdhëniet edhe në këtë pikë. Pekini e akuzoi sot SHBA-në për sjellje të papërgjegjshme dhe të rrezikshme në hapësirë për shkak të dy “takimeve të afërta” mes stacionit hapësinor kinez dhe satelitëve të kompanisë Starlink të miliarderit amerikan, themeluesit të Tesla, Elon Musk.
Turqia vetofrohet si ndërmjetëse në krizën e Bosnjës
Turqia është ofruar të bëjë rolin e ndërmjetëses në krizën e Bosnjës. Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka zhvilluar një vizitë në Sarajevë, ku u takua me liderin serb të Bosnjës, Milorad Dodik, presidencën boshnjake dhe zyrtarë të tjerë, sipas ministrisë së tij.
“Ne e shohim Bosnjën dhe Hercegovinën në tërësi. Ne kemi bërë gjithçka mundemi për unitetin dhe stabilitetin e tij dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë”, tha Akar për transmetuesin CNN Turk pas bisedimeve të tij.
Si do t’i priste feja alienët?
Si do të reagonin komunitete të ndryshme fetare përpara zbulimit të jetës aliene? NASA e ka parashikuar një gjë të tillë, përmes një programi të quajtur “Ndikimet shoqërore të astrobiologjisë”. Një grup në të cilin u mblodhën 24 teologë në Qendrën për Kërkim Teologjik në Princeton analizoi një skenar të tillë në vitin 2016.
Si do ta ndryshonte një zbulim i tillë perceptimin e njerëzve për Zotin? Si do të ndikonte p.sh. në historinë biblike të krijimit? A do të duhej që fetë të ndryshojnë doktrinën e tyre?
Afrika e Jugut kërkon çelësin e qelisë së Mandelës
Afrika e Jugut po përpiqet të pengojë nxjerrjen në ankand të çelësit të qelisë ku vuajti për shumë vite Nelson Mandela. Çelësi i qelisë së burgut Robben Island në Cape Town pritet të dalë në ankand më 28 janar në Nju-Jork, si pjesë e një grupi relikesh të Mandelës.
Shumica e objekteve që dalin në ankand janë siguruar nga anëtarët e familjes së Mandelës për të mbledhur fonde për një muze dhe kopsht, që është planifikuar të ndërtohet rreth varrit të tij. Ndërsa çelësi po shitet nga ish-roja e burgut, i cili u bë miku i Mandelës.
Ekonomia e botës vlen 100 trilionë dollarë
Prodhimi ekonomik në botë do t’i kalojë 100 trilionë dollarë për herë të parë vitin e ardhshëm. Kjo do t’ia ngadalësojë Kinës shpejtësinë me të cilën po përpiqet t’i kalojë SHBA-të për t’i marrë fronin e ekonomisë më të madhe të botës.
Kompania britanike e konsulencës, Cebr, parashikon se Kina do të bëhet ekonomia më e madhe e botës në vitin 2030, dy vjet më vonë se sa ishte parashikuar në raportin e tabelës së Ligës Ekonomike Botërore të vitit të kaluar.
Ndotësit më të mëdhenj të planetit
Pesë janë vendet që gjenerojnë 60% të ndotjes globale. Sipas shifrave të vitit 2019, vetëm Kina prodhon ndotje sa katër të tjerat të marra së bashku. Për më tepër sasia e CO2 që prodhon ajo sa vjen e rritet.
Në mënyrë të veçantë, janë pesë kompanitë më të mëdha të industrisë kineze që lëshojnë në atmosferë sasitë më të mëdha të dioksidit të karbonit. China Baoëu, prodhuesi më i madh i çelikut në botë, çliron CO2 sa i gjithë Pakistani.
“Zbutja” e Rusisë, tërhiqen 10 mijë trupa nga kufiri me Ukrainën
Rusia njoftoi tërheqjen e më shumë se 10 000 trupave të vendosura në zonën kufitare me Ukrainën. Moska tha se kjo tërheqje shënon përfundimin e stërvitjeve ushtarake pranë Ukrainës, në një kohë që Perëndimi prej kohësh ka hedhur hipotezën se ajo ishte pjesë e një plani për të pushtuar ish-fqinjin e saj sovjetik.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se stërvitjet për forcat e Qarkut Ushtarak Jugor u zhvilluan në një mori rajonesh jugore duke përfshirë Rostovin, Krasnodarin dhe Krimenë, të cilat Moska ia mori Ukrainës në vitin 2014.
Ndahet nga jeta ish-presidenti grek, Karolos Papulias
Ish-presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papulias, ka ndërruar jetë të dielën. Papulias ka qenë president i Greqisë për dy mandate rresht, nga 2005 deri në 2015.
Një anëtar i hershëm i PASOK-ut, Papulias ka mbajtur edhe detyra ministrore përgjatë karrierës së tij të gjatë politike, kryesisht në Ministrinë e Jashtme dhe atë të Mbrojtjes. Ai ka përfaqësuar Janinën në parlamentin grek për 26 vjet.
Kaczyński: Gjermanët duan ta kthejnë BE-në në Rajhun e Katërt
Zëvendëskryeministri polak, Jarosław Kaczyński, akuzon qeverinë e re gjermane se dëshiron ta kthejë BE-në në "Rajhun e Katërt". Kaczyński nuk është i pari nga radhët e Partisë Ligj dhe Drejtësi (PiS), që përdor këtë frazë për të përshkruar synimet e qeverisë së re të koalicionit të qendrës së majtë të Berlinit ndaj Evropës.
Tri herë mbi Hubble, lëshohet sateliti James Webb (VIDEO)
Teleskopi James Webb, një projekt me vlerë 10 miliardë dollarë, është lëshuar nga Toka. Ai u transportua drejt qiellit me një raketë Ariane nga porti Kourou në Guajanën franceze.
Webb e ka marrë emrin nga një prej arkitektëve të uljeve të misionit Apollo në Hënë. Teleskopi është i dyti pas të famshmit Hubble.
Megjithatë, falë punës së inxhinierëve që punojnë me agjencitë hapësinore të SHBA-ve, Evropës dhe Kanadasë, Webb është 100 herë më i fuqishëm.
