bota
Singapori vë në funksion parkun më të madh fotovoltaik në ujë
Singapori ka vënë në jetë një projekt të ri për sigurimin e energjisë së pastër. Panele diellore lundruese në një sipërfaqe sa 45 fusha futbolli do të gjenerojnë energji të mjaftueshme për të furnizuar pesë impiantet e trajtimit të ujit në ishull.
Projekti është pjesë e përpjekjeve të Singaporit për të përmbushur objektivin e katërfishimit të prodhimit të energjisë diellore deri në 2025, duke ndikuar pozitivisht në ndryshimin klimatik.
Talibanët paralajmërojnë Turqinë: Çdo qëndrim në Afganistan e quajmë pushtim
Tërheqja e trupave amerikane nga Afganistani po hap gjithnjë e më shumë terren për talibanët. Këta të fundit i druhen shtrirjes së prezencës turke, pas një marrëveshjeje SHBA-Turqi për garantuar sigurinë e aeroportit të Kabulit pas largimit të amerikanëve.
Në Kubë nisin protestat kundër regjimit komunist
Mijëra kubanë janë mbledhur në një protestë të rrallë kundër qeverisë komuniste. Me parullën “Poshtë diktatura”, protestat antiqeveritare nisën në mënyrë krejt spontane në disa qytete, ndërsa vendi po përballet me krizën më të rëndë ekonomike në 30 vitet e fundit.
Qindra marshuan në rrugët e Havanës duke kënduar “Duam liri”, ndërsa prezenca ushtarake shtohej para ndërtesave qeveritare. Policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën dhe arrestoi dhjetë protestues.
Von der Leyen: Masakra në kampin e Fossolit, mëkat në historinë e vendit tim
"Ishte një ushtar gjerman ai, i cili urdhëroi që prindërit dhe gjyshërit tuaj të vriteshin. Ishte një mëkat i madh në historinë e vendit tim".
Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit të BE, iu drejtua në këtë mënyrë pasardhësve të 67 të burgosurve politikë që u vranë 77 vjet më parë nga skuadrat SS në kampin e Fossolit, afër Carpi, në Emilia Romagna, Itali. "Rezistenca e tyre - shtoi ai - ndihmoi në shpëtimin e Italisë dhe të gjithë Evropës. Përfshirë vendin tim, Gjermaninë".
Nis një erë e re në turizmin hapësinor
Dy prej njerëzve më të pasur të botës kanë zgjedhur korrikun si koha ku do të bëjnë realitet një formë të re të turizmit: atë në hapësirë. Richard Branson fluturon sot drejt hapësirës, duke u bërë kështu turisti i parë që del në orbitë me mjetin e vet, Virgin Galactic. I parashikuar për më 20 korrik është udhëtimi i Jeff Bezos, i cili fluturon drejt hapësirës me New Shepard, së bashku me të vëllain.
“Diga” që ndal Deltën
Për të ndaluar përhapjen e variantit Delta duhet që të jenë të vaksinuar 95% e njerëzve. Një panel shkencëtarësh që këshillojnë qeverinë franceze për shëndetin kanë dalë në këtë përfundim, në një kohë kur vendi po përballet sërish me një rritje të rasteve të Covid-19.
Shpenzimet ushtarake, 6.5 fishi i fondit që do të çrrënjoste urinë
Çdo minutë, në botë rrezikojnë vdekjen nga uria 11 persona, pothuajse dyfishi i viktimave të shkaktuara nga Covid 19, i cili vret 7 persona në minutë.
Shifra ka dalë nga një raport i Oxfam, i cili analizon shkaqet dhe dinamikat e rritjes eksponenciale të urisë globale që nga fillimi i pandemisë: 155 milionë njerëz aktualisht preken nga pasiguria ushqimore ose kequshqyerja, ose 20 milionë më shumë se vitin e kaluar.
Twitter "shtrohet" në Indi
Njësia e Twitter Inc. në Indi ka emëruar një zyrtar të përkohshëm, i cili do të mbikëqyrë pajtueshmërinë e shërbimeve të kompanisë me rregulloret e reja të IT që ka hartuar qeveria Modi. Shumë shpejt do të jenë disa zyrtarët që do të merren me këtë çështje në Delhi, raporton "Reuters".
Presidenti i Haitit u ekzekutua nga një skuadër mercenarësh kolumbianë dhe amerikanë
Autoritetet haitiane kanë nxjerrë rezultatet e para të hetimit të sulmit të armatosur në shtëpinë e presidentit të vendit, që përfundoi me ekzekutimin e tij tri ditë më parë. Në sulm kanë marrë pjesë 26 kolumbianë dhe dy amerikanë.
Ministri kolumbian i Mbrojtjes, Diego Molano, tha se gjetjet e para të hetimit tregojnë se kolumbianët e dyshuar për pjesëmarrje në vrasjen e presidentit të Haitit, Jovenel Moise, janë anëtarë në pension të forcave të armatosura të vendit të tij dhe premtoi se do të sigurojë të gjithë ndihmën e nevojshme për autoritetet haitiane.
Një kundërpërgjigje europiane për Rrugën e Mëndafshit
BE po i kundërpërgjigjet me një projekt konkret nismës kineze Belt&Road. Projekti i madh infrastrukturor i Pekinit ka për qëllim të lidhë Azinë me tregjet evropiane, por është parë gjerësisht si një mjet që do t’i sigurojë Kinës ndikim politik ndërkombëtarisht. Këshilli Europian ka një draft konkret konkluzionesh në të cilat kanë arritur qeveritë e BE-së.
