Integrimi në BE, ashtu si anëtarësimi në NATO, është dhuratë, jo arritje

Një gjë është e sigurtë: Në Bruksel ka një vullnet të mirë e të plotë për ta përshpejtuar procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Një numër vendesh të këtij klubi kanë ditë që lobojnë për ne me një pasion e dashamirësi që të mbetet në mendje. Përfaqësuesit e këtyre vendeve nuk kanë lënë gjë pa bërë për të kandisur disa vende të tjera që kanë mbrojtur tezën – e nëse duam të jemi objektivë, duhet të biem dakord se është një tezë që s’ka të sharë – se Shqipëria nuk është ende gati për ta marrë statusin e vendit kandidat. Madje, ky dyshim i këtyre vendeve është në bona fides po aq sa është dhe presioni miqësor i ushtruar mbi to nga vendet që dyshimet, ndonëse i kanë, nuk i kanë shprehur.
E gjithë kjo histori tregon se anëtarësimi i Shqipërisë në BE, përpara se të jetë një aspiratë e shqiptarëve, është një axhendë e vetë BE-së. Pavarësisht nga dyshimet e kritikat që ekzistojnë në Bruksel është e qartë se atje janë të prirur të mbyllin njërin sy në këtë proces, në të cilin Shqipëria bën veçse hapa breshke. Dhe kështu, me hir me pahir, më shumë me pahir se me hir, Shqipëria do të bëhet pjesë e BE-së. Ashtu siç u bë dhe pjesë e NATOS-s. Edhe bufi e di që ne nuk e meritonim të ishim pjesë e Aleancës Euro-atlantike (aleanca më e madhe ushtarake në historinë e njerëzimti), por kjo gjë u bë e mundur ngaqë anëtarësimi në NATO, përpara se të ish një ambicje e jona, ish një interes e një projekt i Aleancës.
E njëjta gjë mund të thuhet teksa jemi duke pritur lajme nga Brukseli mbi fatin e kërkesës sonë për statusin (ky shënim është bërë përpara se këto lajme të vinin). Po njësoj pra, edhe bufi e di që ne nuk e kemi hak të na jepet ky status; dhe nuk e kemi hak prej kësaj klase politike, që e ka zhytur vendin në korrupsion, që ka bërë plaçkë me pasurinë publike, që ka trukuar rezultatet e zgjedhjeve, që ka prodhuar fenomenin ‘Lazarat’, që edhe ka vrarë në bulevard për të mbajtur pushtetin, etj. Prandaj, kurdo që të na jepet statusi i vendit kandidat për në BE, është mirë që kjo klasë politike të tregojë përunjësi. Festat, harbimet, e mburravecëritë mund të na i kursejë (ju kujtohet harbimi i çmendur që u bë pas anëtarësimit në NATO?)
Dita
Add new comment