Odisea 2026/Ta rikthejmë heroin nga Perëndimi në Mesdhe, ku ka vatrën familjare

Postuar në 01 Gusht, 2026 12:29
Ilir Sinanaj

 

Ka një arsye se përse veprat e Homerit dhe legjendat e personazheve të këtyre veprave i kanë rezistuar kohës dhe kanë ardhur në ditët tona edhe pas mijëra vjetësh. Arsyeja për këtë është se ato kapin më së miri mendësinë e popujve nga ato e kanë origjinën, dhe jo vetëm, pasi mund të thuhet se ato kapin mendësinë themelore të vetë qënies njerëzore.

Një nga këto legjenda është edhe ajo e Odiseut. Ajo që është në themel të këtij personazhi është rëndësia e vatrës familjare, pra shtëpia dhe vendlindja, e cila është e lidhur pashmangshmërisht me familjen, që janë gruaja, fëmija, mamaja dhe babai. Dhe është pikërisht kjo gjë është guri themeltar i personazhit të Odiseut dhe për rrjedhojë të gjitha ngjarjet e tjera janë në funksion të kësaj. Ardhja në vatrën familjare të tij, është edhe pika më e lartë, që me fjalë të tjera është arritja e qetësisë për Odiseun.

Kështu nëse do të kemi krijime artistike kinematografike bazuar mbi personazhin e Odiseut, këto që thamë më lart duhet të jenë baza mbi të cilën krijimi artistik ndërtohet. Në të kundërtën nuk kemi më historinë e Odiseut, siç është ruajtur për mijëra vjet ndër popujt e Mesdheut, kryesisht atij lindor, që e kanë të skalitur në qenësinë e tyre, por kemi të bëjmë me diçka tjetër.

Këtu qëndron edhe çështja me filmin më të fundit hollivudian me titullin “Odisea”, i vitit 2026. Për të hyrë drejt e në temë ky film ka formën e Odiseut por në përmbajtje anon më shumë në steriotipet e mëndësive, të ndërtuara në shekullin XXI, pra të ditëve tona. Kështu në vend që në thelb të ketë qetësinë që Odiseu gjen tek arrin në vatrën familjare, duke u përballur me vetëdije të plotë dhe me dëshirën e tij për të arritur atë që dëshiron më shumë, Odiseu i filmit është në një gjendje të mjerueshme, duke mbajtur mbi vete pengjet e të tjerëve si edhe duke u druajtur në vendimmarrje. Këto janë trillime artistike që nuk përputhen me atë që njihet si historia e Odiseut.

Gjithashtu në film ngrihet edhe çështja e rrënimit të qytetërimit pas shkatërrimit të Trojës. Përsëri ky është një trillim, që anon më shumë në anën e qesharakes. Baza e qytetërimit është vatra familjare, pasi familja është qeliza themelore e shoqërisë. Prandaj në një histori si e Odisesë nuk mund të flitet për fundin e qytetërimt, kur sipas Homerit personazhi i mbyll bëmat e tij duke mbrojtur vatrën familjare dhe duke u bashkuar me familjen e tij. Ky është një koncept themelor, që ndoshta duke parë gjendjen aktuale në botë mund të jetë disi i vështirë për t’u përtypur apo kuptuar, përfshirë edhe në vende të cilësuara si të qytetëruara.

Në filmin Odiseu, personazhi duket se ndien keqardhje dhe dhimbje për dinakërinë e përdorur për të pushtuar Trojën nëpërmjet Kalit të Drunjtë dhe e vuan shkatërrimin e saj. Në fakt nëse do të lexojmë Homerin dhe legjenda të tjera të lashtësisë që lidhen me Trojën arrijmë në përfundimin se Troja duhej shkatërruar për të ruajtur qytetërimin. Kjo për faktin se kur Paris, i biri i mbretit të Trojës, Priamit, grabiti Helenën, gruan e mbretit të Spartës, Menelaut, ai goditi kryesisht institucionin e familjes! Madje në veprën e Iliadës jepet një mundësi për të mbyllur luftën, nëse dorëzohej Helena, por kjo gjë nuk u pranua nga trojanët.

Për rrjedhojë Odiseu me zgjuarsinë e tij jo vetë arriti të mbyllte luftën, por edhe bëri të mundur ndëshkimin e një vendi që kishte cënuar themelet e qytetërimit, pra familjen. Nga ana tjetër personazhi i Odiseut është interesant në veprat e Homerit si edhe në legjenda të tjera të lashtësisë mesdhetare, pasi ai me zgjuarsinë e tij jep zgjidhje për çështje të ndryshme që kanë rëndësi jetike. Duhet theksuar këtu se personazhi i Odisesë qëndron shume më lart se shumë personazhe të tjera, pasi ai gjithçka që bën e bën për të mirën e familjes së vet. Madje duhet shtuar se në disa legjenda, Odiseu u bë si i çmendutr vetëm për të shmangur luftën e Trojës dhe për të qëndruar pranë familjes së tij. Por dredhia e tij u zbulua dhe duhej t’i bashkohej lidhjes së akejve kundër Trojës, pasi ishte zotuar për një gjë të tillë në rast lufte. Gjithashtu duhet shtuar se këtë gjë nuk e bëri për frikë ndaj dikujt, por thjesht sepse ishte zotuar se do ta bënte.

Në filmin “Odisea”, të vitit 2026, personazhi na del si dikush që i përulet me frikë dhe nderim Agamemnonit, kreut të lidhjes së Akejve që luftuan kundër Trojës. Ky është një trillim i madh artistik nëse do të bazoheshim në veprat e Homerit, pasi në to ka raste kur personazhet kryesore përfshirë Odisenë, jo vetëm që nuk i përulen, por edhe nxehen hapur kundër tij. Kjo sespe Agamemnoni ishte një i Parë ndër të Parë.

Në filmin “Odisea”, të vitit 2026, fundi lë shumë për të dëshiruar. Jo vetëm që pjesa kur gruaja e Odisesë, Penelopa, e sprovon atë për punën e shtratit të tyre, i cili nuk mund të lëvizet se është ndërtuar mbi një trung të rrënjosur ulliri, por çuditërisht ai së bashku me të shoqen largohen drejt perëndimit me anije. Ky fund, për sa thamë më lart nuk ka kuptim për një histori me titullin “Odisea”. Ky fund të krijon një ndjenjë ngërçi dhe hedh poshtë gjithçka që ka të bëjë me thelbin e legjendës së Odiseut. Në rastin më të mirë është qesharak, ndërsa në rastin më të keq është një goditje ndaj vatrës familjare dhe për rrjedhojë vetë qytetërimit. Në fund të fundit lind pyetja: pse u rropat aq gjatë për t’u kthyer në shtëpi, pas betajash të pafudme, vetëm e vetëm për të ikur nga vendlindja?! Ciladoqoftë aryeja e dhënë në film, nuk përputhet fare me thelbin e personazhit!

Filmi pra ka formën e legjendave të Odisesë, por thelbin e dickaje tjetër. Sigurisht çdokush mund të bëjë film siç ka dëshirë. Por nuk mund të merret një histori apo legjendë që ka një thelb të qartë dhe ta ndyshosh atë. Është pak a shumë sikur të shkosh në një ëmbëtore për të blerë një shishe bozë dhe brenda të ketë uthull. Edhe uthulla ka vlerat e veta, por nuk mund të shitet si bozë. Prandaj do të ishte më e ndershme nëse filmi titullohej: “Odisea, vuajtjet e një veterani të luftës së Trojës”.

Por ky film e ka një të mirë. Na nxit të thellohemi në veprat homerike si edhe nxit ata që bëjnë pjesë në popujt e mesdheut, që mbart mendësinë e këtyre veprave, të përpiqen ta zbërthejnë thelbin e personazhit të Odiseut. Le ta sjelli Odeseun në shtëpinë e tij në Mesdhe për t’i treguar botës thelbin e qytetërimit: familjen!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.