Prangosja e bijve të tre ministrave turq. Dyshohet përplasje mes Erdoanit dhe Fetullah Gylenit

Postuar në 17 Dhjetor, 2013 12:41

Policia turke ka arrestuar djemtë e tre ministrave në kuadër të një hetimi për dhënie dhe marrje ryshfeti, me qëllim manipulimin e tenderave publikë në shifra miliarda dollarësh. Lajmin e bëjnë të ditur mediat turke, sipas të cilave bëhet fjalë për fëmijët e ministrit të Brendshëm, atij të Ekonomisë dhe atij të Ambjentit e Planifikimit Urban, përkatësisht Muamer Gyler, Zafer Xhagllajan dhe Erdoan Bajraktar. Policia ka kryer një seri bastisjesh në Stamboll dhe në tërësi ka arrestuar 18 persona, saktësojnë burimet. Zyrat qendrore në Ankara të bankës shtetërore Halkbank janë kontrolluar gjithashtu. Një zyrtar i bankës thuhet se është arrestuar, bashkë me disa biznesmenë shumë të njohur. Aksionet e Halkbank ranë me 5 për qind në bursë kur lajmi u publikua në media, por më vonë janë rritur me rreth 2 për qind. Ndërkohë, vetë policia turke nuk ka bërë asnjë koment për lajmin. Por janë analistët turq ata që kanë komentuar, e që sipas BBC-së e lidhin këtë ngjarje me një përplasje brenda qeverisë mbi çështjen e mbylljes së shkollave përgatitore private në Turqi. Nga ky vendim dëmtohet lideri fetar Fetullah Gylen. Ai gëzon në vend mbështetje të krahasueshme me kryeministrin, e po ashtu në disa qarqe të pushtetit dhe biznesit.

a.k    

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.