Lajme
Ambasada e ShBA: Nuk përfshihemi në hetimin për CEZ
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, kërkoi hetim nga amerikanët për çështjen e CEZ-it, por një ditë më pas ambasada e ShBA në Tiranë e ka hedhur poshtë këtë mundësi. “Policia dhe prokurorët shqiptarë janë të vetmit përgjegjës për të drejtuar hetime në lidhje me çështje që ndikojnë popullin shqiptar dhe institucionet e tij”, tha për Top-Channel, zëdhënësi i kësaj ambasade Ryan Roberts. Ai ka shtuar se në çdo rast, ShBA, mbështesin institucionet ligjzbatuese në vend përmes zyrës së OPDAT.
Ngjela flet për reformën në drejtësi: Ka një marrëveshje të fshehtë politikë-gjyqësor, duhet zhbërë
Në një konferencë të organizuar nga Akademia e Shkencave për reformën në drejtësi ka folur edhe avokat Spartak Ngjela, i cili ka qenë i ashpër në deklaratat e tij. Ai u shpreh se në Shqipëri nuk ka sistem drejtësie. “Pa ligj nuk do shtegtonim dot, ligj kanë dhe kafshët. Ajo që na ndan është principi etik. Kriza jonë është krizë sistemi, ndërsa problem kryesor është dhënia e drejtësisë. Konstatoj me bindje se ne nuk kemi sistem”, tha Ngjela. Avokati foli për një marrëveshje të fshehtë mes politikës e gjyqësorit, të cilën sipas tij, shqiptarët duhet të kenë forcë ta zhbëjnë.
Anomalitë e Tatimeve, Ministria e Financave hyn në polemika me mediat
Ministria e Fiancave ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp lidhur me një lajm një të botuar në disa media të shkruara se “janë gjobitur 90 për qind e tatimpaguesve për shkak të defekteve në sistemin e ri informatik të tatimeve”, duke e quajtur të pavërtetë këtë lajm. Sipas ministrisë së Financave "nuk kemi të bëjmë me gjoba, por me përgjegjësi tatimore që i janë ngarkuar biznesit dhe jo me defekte në sistemin e ri informatik të tatimeve, por me anomali".
Në ankand fotografi të rralla të John Lenon dy ditë para vrasjes
Fotografi të rralla të legjendarit John Lenon, dytë ditë para se ai të binte viktimë sulmit para shtëpisë në Nju Jork do të shiten në ankand nga fotografja Anni Libovic, që i ka pjesë të koleksionit të saj.
çmimi tyre pritet të kalojë disa dhjetra mijëra dollarë. John Lenon është fotografuar së bashku me gruan e tij Ono në studion radiofonike "Hit Factory" në Manhatan. Akandi i fotove pritet të nisë ga 14 mijë dollarë. Bashkë me to do të dalë në shitje e një videoje 3 orë e gjysmë e një koncerti të Beatles në Blackburn të Anglisë.
Nishani i kundërpërgjigjet sfidës së Bushatit, urdhëron ambasadorin në OSBE të vazhdojë punën
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka urdhëruar ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në OSBE, Spiro Koçi, të qëndrojë në detyrë dhe të mos i bindet urdhrave të ministrit. Në këtë mënyrë kreu i shtetit i është përgjigjur sfidës së ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati.“Panorama” publikon shkresën që Nishani i ka dërguar ambasadorit tonë në Vjenë, të cilit i ka saktësuar se ndaj tij nuk ka nisur asnjë procedurë lirimi dhe se vetë Presidenti nuk ka firmosur asnjë dekret për ta liruar nga detyra.
Saimir Tahiri rrëfen për Audin: Makinën e kushërinjve e kam përdorur për të shkuar me pushime, po jo për drogë
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri në emisionin “Top Story” e nisi fjalën e tij duke u ndalur tek operacionet kundër mbjelljes së hashashit. Sipas Tahirit, presioni i policisë ka detyruar zhvendosjen e mbjelljes së bimës narkotike në zonat më të thella të vendit. Ai tha se lufta ndaj fenomenit mbetet ende një sfidë për Policinë e Shtetit. Gjatë emisionit “Top Story” është folur më në gjerësi në lidhje me akuzat e tjera të rënda të ngritura ndaj ministrit të Brendshëm, ndër të tjera edhe përfshirja e drejtpërdrejtë e tij në aktivitete kriminale si trafiku i drogës.
Elvis Mataj, dëshmitari i mbrojtur i CEZ, vëllai i ish-këshilltarit të Berishës
Elvis Mataj, personi që ka statusin e dëshmitarit të mbrojtur në çështjen CEZ faktohet që mund të ketë patur lidhje jo vetëm me LSI-në, por edhe me ish-kryeministrin Berisha. Gazeta “Tema” ka zbuluar se Elvis Mataj është vëllai i Endri Matajt, ish-këshilltar i kryeministrit Berisha nga viti 2009 deri në vitin 2012.
PD, dy nisma ligjore për të devijuar çështjen CEZ
Në mbrëmje Partia Demokratike iu kundërpërgjigj deklarateve të Ilir Metës për një hetim ndërkombëtar të akuzave ndaj aferave në CEZ, duke tentuar ta devijojë çështjen në atë që në fakt nuk është thelbi i problemit.
Partia Demokratike ka të akuzuar publikisht ish-ministrin e saj, Ridvan Bode për ndikimim të paligjshëm në uljen e çmimit të energjisë që KESH do t’i shiste CEZ Shpërndarje, në këmbim të aprovimit nga çekët të një kompanie të sugjeruar nga ish-drejtuesit e ERE-s (Entit Rregullator të Energjisë).
Quhet prokurori dhe vuan nga hemoragjia e dëshmive. Kësaj radhe dëshmia e Elvis Matajt, dëshmitarit të përfolur në skandalin e CEZ
Prokuroria shqiptare provon edhe njëherë se është një institucion aneks i politikës. Njësoj si në çështjen “Doshi” edhe kësaj radhe, kur po përflitet skandali i CEZ, nga ky organ rrjedh dëshmia e Elvis Matajt, ish – dejtues i kompanisë DIA të Kastriot Ismailaj. Dëshmia, dhënë prokurorisë, publikohet nga “Tema” dhe aty nuk duket emri i Ilir Metës. Ka hamendësime etj., por kaq. Del emri i Petrit Ahmetajt, duke hedhur poshtë kështu insinuatat e një dite më parë se Meta ka ndërhyrë te Adriatik Llala për të zhvlerësuar dëshminë e Matajt.