Arkiv-Lajme të përditësuara
Fushata në Greqi, Samaras: Izolim, pa planin e shpëtimit
Krerët e dy partive kryesore në Greqi, Demokracia e Re dhe PASOK çelën fushatat për zgjedhjet e 16 qershorit. Kreu i konservatorëve Antonis Samaras ishte mjaft i ashpër që në fjalimin e parë ndërsa deklaroi prerazi se një votë për koalicionin radikal Syriza do të ishte një votë pro përjashtimit të Greqisë nga eurozona drejt varfërisë.
Itali, studentët në protestë
Duan të tregojnë se nuk kanë frikë. Studentët e shkollës “Morvilo Falcone”, në Brindizi të Italisë, një javë pas atentatit që i mori jetën një nxënëse, kanë organizuar për të shtunën një manifestim kombëtar kundër dhunës dhe pro-legalitetit.
Bashkë me ta do të jenë qindra studentë të ardhur nga shkolla të tjera të Brindizit dhe qytete të tjera të Italiasë, që në këto orë po organizojnë autobusët, me qëllim që të jenë në shesh të gjithë së bashku.
Azerbajxhani: Homoseksualët nuk ekzistojnë
E ndërsa në shumë vende luftohet homofobia, e disa të tjera kanë dhënë dritën jeshile për këto komunitete për të lidhur madje edhe martesë ligjore, në Azerbajxhan, kjo kategori “as që ekziston”.
Autoritetet azere, të vendosura në qendër të kritikave edhe nga Parlamenti Europian për shkeljen e të drejtave të njeriut, mohojnë ekzistencën e homoseksualëve.
Britania, plan anti-emigracion
Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe po harton një plan emergjencë për t’i bërë ballë një rritjeje të mundshme të emigracionit nga Greqia nëse euro falimenton.
Sekretarja e Brendshme, Theresa May deklaroi për “Daily Telegraph” se po punohet për të kufizuar emigracionin evropian në rast të një kolapsi financiar.
Ajo tha se po ekzaminohen një sërë tendencash për të verifikuar nëse ka rritje të emigracionit nga vendet me ekonomi të tkurrur.
Greqi, sondazhet: Syriza 28.5 %, në vend të dytë Nea Demokratia
Sondazhet e fundit mbi zgjedhjet e përgjithshme të 17 qershorit në Greqi tregojnë se partia e së majtës radikale Syriza ka një mbështetje në rritje. Ajo renditet e para, sipas këtyre sondazheve, por ndiqen nga afër nga konservatorët e Demokracisë së re që shkurtojnë diferencat duke u renditur në vend të dytë.
Rritet prezenca e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare
Produktet "Made in Albania" kanë rritur praninë e tyre në tregjet ndërkombëtare. Mineralet, energjia, karburantet dhe produktet bujqësore zënë pjesën kryesore të ekporteve për vitin 2012. Zëvendës ministri i Financave Alfred Rrushaj vlerëson rritjen e ekporteve dhe gamën e produkteve, që vendi ynë shet në tregjet e huaja.
Shefja e FMN rrit presionin mbi Greqinë
Shefja e FMN-së, Christine Lagarde u ka bërë thirrje qytetarëve grekë që të paguajnë taksat dhe jo t’u shmangen atyre.
Në një intervistë për gazetën “The Guardian”, zonja Lagarde sugjeron se për Greqinë është koha që të shlyejë detyrimet.
“Për aq kohë sa Athina është e shqetësuar, unë mendoj gjithashtu për gjithë ata njerëz atje që përpiqen t’u shpëtojnë taksave gjatë gjithë kohës. Mendoj se ata njerëz duhet të ndihmojnë njëri-tjetrin në mënyrë kolektive”, deklaroi Lagarde.
Protestë e banorëve të Bradasheshit
Banorët e komunës së Bradasheshit, në Elbasan, kanë protestuar mëngjesin e së shtunës, duke bllokuar punimet që po zhvillohen në autostradë.
Sipas informacioneve të fundit, banorët janë shprehur të pakënaqur me çmimin e shpronësimit të tokës që kanë dhënë për ndërtimin e rrugës.
Madje, disa prej tyre janë konfrontuar fizikisht me kryetarin e komunës, Sabri Sallakun, i cili ka premtuar ngritjen e një komisioni të ri për rivlerësimin e pronave.
top-channel.tv
Kushtet e vështira, pensionistët e Kosovës dalin në protesta
Pensionistët e Kosovës kanë organizuar protesta në shkallë vendi, për të shprehur pakënaqësitë e tyre për gjendjen e kësaj kategorie. Protesta kryesore është mbajtur në Prishtinë, në afërsi të Kuvendit të Kosovës, në të cilën pensionistët tatimpagues, kanë kërkuar që pensionet të arrijnë në 60 për qind të vlerës së pagës mesatare në Kosovë.
Kriza, bursa greke arrin nivelin më të ulët në 22 vjet
Bursa e Athinës u hap në një nivel historik të ulët e indeksi i përgjithshëm ka rënë nën kufirin e 500 pikëve, gjë që tregu nuk e ka parë në më shumë se 20 vjet. Situata e Greqisë vazhdon të shqetësojë tregjet europiane e të shtojë pasiguritë e investitorëve. Sondazhet e fundit e vendosin të majtën radikalë të Syrizës në krye, me 30 për qind të votave, në zgjedhjet e 17 qershorit që konsiderohen si momenti më kritik për qëndrimin e vendit në eurozonë.
