Arkiv-Lajme të përditësuara
Nagasaki kujton 67-vjetorin e sulmeve
Në ditën kur Nagasaki po shënon 67-vjetorin e shpërthimit atomik që çoi në përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, kryetari i këtij qyteti, Tomihisa Taue, i bëri thirrje Japonisë të lirohet nga frika bërthamore,përfshirë frikën ndaj aksidenteve të fuqisë bërthamore.
Taue foli gjatë ceremonisë përkujtimore për 74 mijë viktimat që patën vdekur më 9 gusht 1945, si pasojë e sulmit të Shteteve të Bashkuara.
Kreu i qytetit japonez u zotua për mbështetjen e njerëzve, jeta e të cilëve u prek nga ngjarjet e vitit të fundit në Fukushima.
Greqia duhet të presë deri në tetor për ndihmën 31.5 mld €
Greqia nuk do mundet ta marrë këstin e ardhshëm të ndihmës prej 31.5 mld euro, para muajit tetor.
“Trojka do të rikthehet në Athinë në fillim të shtatorit dhe do të qëndrojë aty gjithë muajin”, thanë burime evropiane për AFP, duke shtuar se vlerësimi i Trojkës për ecurinë e reformave në Greqi, mund të përfundojë në tetor.
“Raporti i Trojkës mbi ecurinë e programit grek do të paraqitet në një takim të ministrave të financave të eurozonës më 8 tetor, që do të thotë se Greqia nuk do të marrë dozen e ndihmës prej 31 miliardë euro para kësaj date”, thonë burimet për AFP.
Sondazh, Obama kryeson zgjedhjet presidenciale
Të paktën tre muaj para zgjedhjeve presidenciale amerikane, Barack Obama qëndron në krye të sondazheve përpara kandidatit republikan, Mitt Romney. Sipas Washington Post/ABC, presidenti aktual demokrat është favorit me 53 për qind të votave, kundrejt 40 për qind për republikanin Mitt Romney. Sondazhi tjetër nga Quinnipiac University/Neë York Times/CBS News favorizon gjithashtu presidentin aktual. Ballkanweb.com
Arsimi i lartë, qeveria miraton 695 kuota më shumë se viti i kaluar
Këshilli i Ministrave miratoi sot kuotat e pranimeve në institucionet publike të arsimit të lartë për studimet e ciklit të parë, me kohë të pjesshme, e të edukimit në distancë, në vitin akademik 2012-2013. Vendimi parashikon që kuotat e pranimeve në këto institucione të jenë 10 045 kuota, duke u rritur me 695 kuota më shumë se viti i kaluar akademik.
Turqi, 2 824 studentë në burg
Një shifër alarmante vjen nga Turqia për sa i përket numrit të studentëve të burgosur. Janë plot 2,824 studentë të universitetit dhe studentët e shkollave të mesme që ndodhen aktualisht në burg.
Shifra u bë publike nga ana e Ministrisë së Drejtësisë në Ankara në përgjigje të një pyetjeje të Social-Demokratëve që ndodhen në opozitë.
Kryesisht të burgosurit e rinj janë akuzuar për terrorizëm dhe të dyshohen për lidhje me organizatat kurde.
Kukësi pa energji
Kompania e shpërndarjes së energjisë “CEZ” njoftoi të martën në mbrëmje se ka ndërprerë shpërndarjen e energjisë në nënstacionin elektrik të Rexhepajt në Kukës.
Nga ky nënstacion varet me energji furnizimi në të gjithë zonën.
Sipas “CEZ”, ndërprerja u bë e detyrueshme pasi stacioni u pushtua sërisht nga një grup njerëzish në shenjë proteste.
Sipas “CEZ”-it, rreth 150 persona të cilëve u janë prerë dritat pasi nuk i paguajnë ato janë hedhur në protest ashtu si disa ditë më parë, në të njëjtin nënstacion.
Italia zhytet në recesion në tremujorin e dytë 2012
Ekonomia italiane është zhytur në recesion në tremujorin e dytë të vitit 2012 me një kontraktim tjetër prej 0,7 për qind të PBB-së në raport me tremujorin e mëparshëm, sipas një vlerësimi të publikuar nga Instituti i Statistikave Istat.
Ky kontraktim korrespondon me parashikimet e ekonomistëve, të cilit kishin parashikuar një ulje me 0,7 për qind, sipas një konsensusi të vendosur nga Dow Jones Newswires.
Juncker: Dalja e Greqisë nga euro, e menaxhueshme
“Një dalje e mundshme e Greqisë nga euro do të ishte e menaxhueshme, por jo e dëshirueshme”, tha në një intervistë për televizionin gjerman WDR, kryetari i Eurogroupit, Jean-Claude Juncker.
Ai theksoi se dalja e Greqisë nga euro do të sjellë rreziqe të mëdha, veçanërisht për njerëzit e zakonshëm në Greqi.
I pyetur nëse e përjashton kategorikisht daljen e Greqisë nga euro, Juncker u përgjigj: "Të paktën deri në fund të vjeshtës, por edhe më vonë gjithashtu".
Japoni, përkujtohet tragjedia e Hiroshimës
Japonia përkujtoi ditën e hënë 67-vjetorin e lëshimit të bombës bërthamore mbi Hiroshimë, në atë që është shndërruar në një homazh të përvitshëm ndaj viktimave japoneze të Luftës së Dytë Botërore.
Me dhjetëra mijëra persona ishin të pranishëm në ceremoni, ndërsa debati dhe ndienjat anti-bërthamore në vend kanë arritur nivelet më të larta në dekada.
Një këmbanë shënoi heshtjen prej një minute në orën 08:15, kur bombarduesi amerikan “Enola Gay” lëshoi bombën që shkatërroi krejtësisht qytetin dhe vrau 140 mijë persona.
Greqia riatdheson 1 600 emigrantë
Policia greke do të deportojë më shumë se 1 600 emigrantë të paligjshëm, pas një aksioni madhor të realizuar në Athinë, gjatë ditëve të fundit.
Më shumë se 6 mijë persona u arrestuan gjatë këtij operacioni, ndonëse shumica u lëshuan.
Ministri i Rendit Publik, Nikos Dendias, mbrojti “fshesën”, duke thënë se “në një kohë vështirësisht të thella ekonomike, Greqia nuk mund t’i lejojë vetes të përballet edhe me një pushtim emigrantësh”.
Ministri e cilësoi çështjen e emigracionit si “një bombë në themelet e shtetit dhe të shoqërisë greke”.
