Shënim: Pse nuk e firmosa Peticionin

Postuar në 01 Prill, 2013 17:32

Një mik më ftoi t’i bashkoj firmën time një peticioni që po qarkullon në mediat, kundër rishikimit të historisë së shqiptarëve nga autoritetet akademike në Kosovë, nën trysninë e autoriteteve shtetërore të Turqisë. Peticioni dhe firmëtarët e deritashëm gjenden këtu: http://www.shekulli.com.al/web/p.php?id=19628&kat=87

Kërkesën e refuzova; për arsye parimore, sepse jam kundër grupimit ose tufëzimit të intelektualëve, që veç homogjenizon mendimin në emër kauzash që kinse e përjashtojnë diversitetin dhe pluralizmin; por edhe ngaqë kam përshtypjen se ky presion që u bëhet historianëve të Kosovës, nga qindra pesha relativisht “të rënda” të mendimit bashkëkohor shqiptar, është njëlloj kundërprodhues sa edhe presioni nga cilido burim tjetër, përfshi këtu edhe vetë autoritetet shtetërore të Turqisë.

Më duhet të pranoj edhe se nuk njoh, në hollësitë e duhura, si trajtohet historia e shqiptarëve nën Perandorinë Osmane në tekstet e Kosovës dhe si mendohet që të rishikohet ky trajtim; por kam bindjen se kjo histori nuk mund të shkruhet ende mbi platformën e Rilindjes sonë Kombëtare, e cila synonte para së gjithash shkëputjen e shqiptarëve nga Perandoria Osmane (as mund të ilustrohen dhe të promovohen peticione të tilla me pikturën që ka përdorur Shekulli, të cilën për një moment e kujtova për gay porn).  Njëlloj kam bindjen edhe se pluralizmi në historiografi nuk ka të bëjë me dallimin midis së vërtetës dhe së pavërtetës; dhe se në një shoqëri dhe kulturë moderne nuk mund të ketë një qëndrim unik dhe etikisht të shëndetshëm, ndaj ngjarjeve historike, madhore dhe më pak madhore. Prandaj e refuzova kërkesën dhe mendova t’i ndaj këto arsye me ju; jo se refuzimi im përfaqëson ndonjë ngjarje me rëndësi publike, por sepse disa nga arsyet besoj meritojnë të diskutohen më gjerë. Ardian Vehbiu

http://xhaxhai.wordpress.com/2013/03/27/riprodhimi-i-elitave/

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.