Bahri Beci: Meshari është shkruar në gegnisht; ndërsa Lukë Matrënga ka shkruar në toskërisht

Postuar në 21 Nëntor, 2012 10:29

Pesë shekuj më parë “ishte bërë ndarja themelore dialektore e shqipes në gegërishte e toskërishte”, thotë Bahri Beci në një shkrim të tijin të publikuar në Mapon e djeshme. Sipas tij, Meshari i Gjon Buzukut i botuar më 1555 është shkruar në gegnisht, ndërsa Lukë Matrënga e ka shkruar në toskërisht librin e tij me titull “E mbsuame e Kreshterë”, të botuar në vitin 1592. Dhe më poshtë, ai ndalet të vërtetojë atë që përgjithësisht besohet e mbështetet, dmth pse gjuha e Mesharit është gegnishtja.

“Shkenca shqiptare nuk i ka dhënë ende përgjigje të sigurt pyetjes se nga ishte Buzuku, [dhe] ne jemi të detyruar të kërkojmë në këtë drejtim duke shpresuar të gjejmë tregues gjuhësorë që në një mënyrë ose në një tjetër ndihmojnë në zgjidhjen e problemit të përkatësisë krahinore të Buzukut”, thotë gjuhëtari Beci, duke rreshtuar më poshtë një seri provash e interpretimesh të natyrës gjuhësore, që provojnë se Gjon Buzuku ish geg (“ka arsye të pranohet, qoftë edhe si hipotezë pune, që Buzuku lindi, u rrit e u formua diku në viset veriperëndimore të Shqipërisë”, thotë Beci, duke kundërshtuar një version të albanologut austriak Norbert Jokl, që origjinën e Buzukut e nxjerr nga Gegëria verilindore) dhe se gjuha e Mesharit është gegnishtja.

Shkrimin që mund ta gjeni të plotë në linkun http://www.mapo.al/2012/11/20/rreth-bazes-dialektore-te-gjuhes-se-mesharit-te-gjon-buzukut/, mbyllet me këtë paragraf: ”Si përfundim, mund të thuhet se prania e h-së nistore në “Mesharin” e Buzukut është shprehje grafike e një dukurie fonetike specifike për të folmet veriperëndimore të shqipes në kushtet e një shkrimi që synonte të paraqiste me besnikëri gjuhën e folur dhe jo ndikim i grafisë latine ose italiane. Kjo përbën, sipas nesh, edhe një provë tjetër në të mirë të përkatësisë dialektore veriperëndimore të gjuhës së Mesharit.”

Re.Pu.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.