Xhemijeti si pararendëse e LDK-së së Rugovës

Postuar në 02 Shkurt, 2020 20:05
Nexhmedin Spahiu

 

Viteve të ‘90-ta një diplomat amerikan në Tiranë, më pat pyetur: A nuk është politika e Ibrahim Rugovës vazhdimësi e politikës së Ferat Dragës?.

Në atë kohë shumë pak nga ne kanë ditur se kush ka qenë Ferat Draga dhe kush ka qenë organizata “Xhemijet”. Në atë kohë e kam ditur që vëllai i madh i Feratit, Hajdini, moshatar Isa Boletinit, i lindur në vitin 1864, ka qenë pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, ku është shpallur pavarësia e Shqipërisë dhe ai e ka përfaqësuar Mitrovicën dhe Sanxhakun e Novi Pazarit. Kjo në historiografinë tonë nuk është përmendur.

Kur për herë të parë pata shkuar në Durrës në vitin 1991, aty te Ura e Dajlanit, te mbikalimi-nënkalimi që ndan hyrjen në Durrës dhe në plazh të Durrësit, një i persekutuar politik, një intelektual më pat thënë: “Këtu në këtë vend ku po bisedojmë unë e ti, në vitin 1914 është vrarë Hajdin Draga, një bashkatëdhetar i yti nga Mitrovica, bashkë me kolonelin Tomson, në mbrojtje të shtetit shqiptar, në mbrojtje të Princ Vidit nga bandat rebele të Haxhi Qamilit”.

Vëllai tjetër, Nexhipi është ditur atëherë që ai e ka themeluar dhe udhëhequr organizatën “Xhemijet” në vitin 1919, pikërisht 100 vite më parë edhe që ka vdekur në vitin 1921 në Vjenë, ku është varrosur nga bashkatdhetarët tanë atje me një ceremoni madhështore. Nexhip Draga ka lindur në vitin 1869 dhe ka qenë shok shkolle me Mustafa Kemal Ataturkun.

Për Ferat Dragën është ditur që ka qenë deputet në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene dhe se ka qenë edhe i dënuar. Ai ka lindur në vitin 1880 dhe ka vdekur në vitin 1944. Këto, pak a shumë, kanë qenë të dhënat  biografike që janë përmendur nëpër tekste aty-këtu, por çfarë burri ka qenë Ferat Draga, çfarë politike ka udhëhequr Ferat Draga, kjo që na intereson më shumë neve në shkencat politike, për këtë nuk është ditur ose është folur në terma negativë.

Dhe, derisa unë po mendoja t’ia ktheja përgjigjen diplomatit amerikan për atë se a është apo s’është politika e Ibrahim Rugovës vazhdimësi e politikës së Ferat Dragës, diplomati amerikan ndërhyri duke thënë: “Ti po e kritikon Ibrahim Rugovën, por ne amerikanët e përkrahim politikën e tij”. Unë i thashë: “Rugova, për mendimin tim, nuk po bënë më të mirën e mundshme për Kosovën, edhe pse në vija strategjike është mirë”. Ai m’u përgjigj: “Kjo është kërkesë e tepërt.”, duke vazhduar: “Më të mirën për popullin e vet e ka bërë veç Ferat Draga ose të paktën kështu ka raportuar ambasadori ynë në Beograd në vitet e 20-ta për Ferat Dragën për të cilin ka thënë se është politikani më i zhdërvjelltë në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene”.

Natyrisht, kjo m’i ndezi të gjitha llambat në kokën time, sepse ta bësh më të mirën e mundshme, të cilësohesh nga ambasadori amerikan i kohës që po bën më të mirën e mundshme për popullin tënd, ndërkohë që përkrahja amerikane atëherë ka ekzistuar për shqiptarët dhe për Shqipërinë, por jo në veçanti për Kosovën, është shumë, madje të thuash që është politikani më i zhdërvjelltë në Mbretërinë Serbe-Kroate-Sllovene, në një konkurrencë tepër të madhe me politikanë tepër të shquar, siç ishte lideri slloven Anton Koroshec, siç ishte lideri kroat Stjepan Radiq, siç ishte lideri boshnjak Mehmet Spaho e, mbi të gjitha, siç ishte një politikan i kalibrit europian, kryeministri Nikolla Pashiq, të krahasohesh me të gjithë këta dhe të dalë se ka qenë më i zhdërvjellëti, ky ishte një vlerësim tepër-tepër i lartë.

Prej këtij momenti unë jam thelluar në studime dhe ajo që më tepër më ka ndihmuar që ta kuptoj se cila ka qenë politika e Ferat Dragës e sa i rëndësishëm ka qenë ai për Kosovën, për t’i vërtetuar plotësisht fjalët e ambasadorit amerikan të kohës, u binda nga literature serbe. Aty shihet se Ferat Draga është konsideruar armiku numër një i Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene dhe pengesa kryesore për shfarosjen e shqiptarëve, sanxhakasve dhe muslimanëve bullgarë dhe turqve nga Maqedonia. Kjo, madje, ka qenë pengesë shumë më e madhe sesa lëvizja kaçake. Të gjitha këto të dhëna janë intriguese për studiuesit dhe sidomos studentët e rinj, që do të lexojnë në këtë drejtim. Në këtë shkrim po përmend disa gjëra vetëm sa për të animuar me rastin e 100-vjetorit të organizatës “Xhemijet”. Pra, cila ka qenë politika e “Xhemijetit” edhe politika e Ferat Dragës? Ajo ka qenë politika e sigurimit të mbijetesës. Ky do të ishte definicioni më i shkurtër.

Po marr një shembull. Viteve të ‘90-ta, kur një diplomat austriak e ka pyetur presidentin Rugova se çka do të thuash se cili është suksesi i politikës sate, çka do t’u tregosh brezave të rinj, ai është përgjigjur:  “Po ne jemi këtu, po mbijetojmë”, d.m.th vetë fakti që ne jemi akoma këtu, vetë fakti që ne akoma nuk e kemi braktisur Kosovën është një sukses, është një politikë madhore. Tash imagjinojeni kohën ndërmjet dy luftërave botërore, kur periudha ka qenë shumë më e vështirë sesa në kohën e Millosheviqit, kur rreziku për shfarosje ka qenë akoma më i madh.

Gjithsesi ne duhet të njoftohemi me të gjitha të bëmat e organizatës “Xhemijet” dhe të këtyre personaliteteve  për ta kuptuar se sa nëpër fije peri ka kaluar shpëtimi i popullit tonë, shpëtimi i Sanxhakut, i Kosovës e i Maqedonisë falë zhdërvjelltësisë, sakrificës dhe guximit të burrave, ndër të cilët më të spikaturit ishin Nexhip Draga e Ferat Draga dhe Aqif Blyta. Pikërisht këta tre burra janë më meritorët për këtë që ne ende ekzistojmë në këto troje.

Çfarë bëri “Xhemijeti” për mbijetesën?

Ferat Draga bashkëpunoi me Stjepan Radiqin, liderin kroat, bashkëpunoi me partinë gjermane të Vojvodinës (atëherë, ndërmjet dy luftërave botërore, gjermanët ishin shumicë e popullatës në Vojvodinë). Draga bëri aleancë herë me radikalët e Nikolla Pashiqit e herë me demokratët vetëm e vetëm që ta zbuste edhe mënjanonte atë që i kanosej popullit të këtyre trevave. Organizata “Xhemijet” jo pa një ideal të qartë, jo pa një qëllim, jo pa një objektiv, ishte një organizatë që nuk e përfshinte vetëm Kosovën, por edhe Sanxhakun dhe Maqedoninë. (Maqedonia  deri në prag të Luftës së Dytë Botërore ishte e banuar me shumicë myslimane). Shqiptarët, sanxhakasit, turqit dhe bullgarët muslimanë në Maqedoni mbijetuan në saje të sakrificës dhe gjenialitetit të këtyre burrave. Është intrigues fakti që Ferat Draga selinë e “Xhemijetit” e zhvendosi nga Shkupi në Mitrovicë, kjo si një qendër nevralgjike gjeostrategjike për kohën. Ai bashkëpunoi edhe me kaçakët. Ferat Draga ishte i lidhur me Komitetin për Mbrojtjen Kombëtare të Kosovës me seli në Shkodër, me Hasan Prishtinën, Bajram Currin e me Azem Bejtën. Madje, vëllai i vogël i Ferat Dragës, Shefqet Draga (1899-1937) ishte po ashtu kaçak dhe bashkëluftëtar i Bajram Currit. Përmes aktivitetit të kaçakëve Ferat Draga e orientonte gjithë aktivitetin që t’i eliminonte zullumqarët më të mëdhenj të popullit tonë. Për dallim prej Ibrahim Rugovës, që bëri vetëm rezistencë pasive, rezistenca që e organizoi “Xhemijeti” ishte  një rezistencë e gjithanshme, shumëdimensionale.

Prof. Jusuf Osmani dhe mulla Asllan Murati kanë botuar një libër për Ferat Dragën dhe aty mund ta gjeni fjalimin e Ferat Dragës në Parlamentin e Mbretërisë SKS, që është një fjalim shembullor, një fjalim meritor, shembull dhe mësim për studentët e shkencave politike, mësim për deputetët tanë. Do të ishte mirë që dikush nga aktorët tanë të njohur ta bëjë atë monodramë dhe ta shfaqë edhe në Parlamentin e Kosovës, që të mësohen deputetët se si duhet të mbahet një fjalim në Parlament nga çdo aspekt, nga aspekti patriotik, aspekti retorik, estetik, në çdo dimension. Të gjithë  ata që e kanë lexuar e dinë që ky fjalim ka qenë brilant. Hiç më i dobët nuk ka qenë as fjalimi i Aqif Blytës, që e pason fjalimin e Ferat Dragës në vitin 1923 në Parlamentin e Mbretërisë Serbe-Kroate-Sllovene dhe që ishte meritor që Sanxhaku të jetë në një përfaqësim politik me Kosovën e Maqedoninë dhe jo me Bosnjën. Bosnja kishte një organizim të veçantë përmes të ashtuquajturës Organizata Muslimane Jugosllave, që kryesohej nga Mehmet Spaho, por politikanët nga Kosova, Sanxhaku e Maqedonia ishin të bashkuar në një organizatë të vetme, në organizatën “Xhemijet”.

Është me rëndësi ta përmend atë çfarë e thotë për “Xhemijetin” dhe për Ferat Dragën në gazetën “Politika” të vitit 1923 babai i sociologjisë serbe, Sreten Vukosavljeviq. Ai thotë: “Mos mendoni se kjo është një organizatë fetare, absolutisht jo. Kur kanë qenë në rend dite në parlamentin tonë çështjet fetare, ata nuk e kanë parë këtë si prioritet. Këta janë thjeshtë një organizatë nacionaliste. Madje, “Xhemijetin” e udhëheqin nacionalistët më të mëdhenj që kanë pasur shqiptarët, ata që e kanë organizuar kongresin e Dibrës më 1909, ku në mënyrën më të qartë janë formuluar kërkesat e tyre për pavarësinë, për Shqipërinë prej Adriatikut deri në Seres e në Shtip dhe rreziku i shtetit tonë vjen pikërisht nga kjo organizatë”.

Ky vizion i sociologut serb me të vërtetë duket shumë domethënës. Kur shteti serb e pa që s’po e qesin kurrqysh në krye me “Xhemijetin”, vendosën që në mënyrë të dhunshme ta shkatërrojnë atë. Ata e burgosën Ferat Dragën me 20 vjet burg e Aqif Blytën me 100 vjet burg etj. për ta shkatërruar organizatën “Xhemijet”. Ky akt i shtetit serb doli të jetë shkatërrimtar për të.

Pas kësaj vijoi vrasja e Stjepan Radiqit në Parlamentin e Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene në vitin 1928 e pastaj, më vonë, si rezultat hakmarrës, erdhi edhe edhe vrasja e mbretit Aleksandar Karagjorgjeviq në Marsej të Francës në vitin 1934. Kështu vijmë deri te Lufta e Dytë Botërore, ku ky shtet shkatërrohet përfundimisht. Deri këtu Ferat Draga e kryen misionin e tij si politikan. Para se te vijmë te Lufta e Dytë Botërore Ferat Dragës ia kishin vrarë të birin, që i kishte përfunduar studimet e mjekësisë në Beograd. Kjo sigurisht që ishte thyerje e madhe për Ferat Dragën

Por, Aqif Blyta do të vazhdojë të jetë i pathyeshëm edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ai e organizoi mbrojtjen e Novi Pazarit nga shfarosja në vitin 1941, duke ftuar në ndihmë Shaban Polluzhën dhe rreth 4.000 luftëtarët e tij, në mesin e të cilëve ishte edhe gjyshi im, ku edhe u plagos. Këta luftëtarë e mbrojtën Novi Pazarin nga shfarosja. Kjo ishte hera e parë gjatë zhvillimeve të Luftës së Dytë Botërore që në një vend të bashkëpunonin çetnikët dhe partizanët mes vete për një qëllim të vetëm – që të merret Novi Pazari dhe të shkatërrohet, të shfaroset.

Kur bisedojmë me diplomatë të huaj në Kosovë edhe me studiues të huaj edhe kur i shohin sjelljet e popullit tonë të pakuptueshme, sjelljet e klasës sonë politike etj., vërejmë se ata shpesh nuk e kanë të qartë një gjë – se populli ynë vetëm brenda shekullit XX është ballafaquar katër herë me tentim shfarosjeje, gjatë dhe pas Luftës I Ballkanike, ndërmjet dy luftërave botërore, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore edhe, e katërta, në kohën e Millosheviqit. Në të gjitha këto raste populli ynë shpëtoi për një fije të flokut.

Të gjitha ata që i kanë lexuar kujtimet e Marti Ahtisaarit e shohin se sa delikat ka qenë procesi i çlirimit të Kosovës, sa ka shkuar nëpër fije të perit gjithë ai proces në suaza ndërkombëtare për të shpëtuar një popull nga gjenocidi. Nëse për atë që prej kohës së ardhjes së Millosheviqit në pushtet e derisa erdhi te koha e luftës për çlirimin e Kosovës e quajmë meritor Ibrahim Rugovën, nëse gjatë Luftës së Dytë Botërore edhe menjëherë pas kësaj lufte meritor për shpëtimin e popullit tonë nga gjenocidi konsiderohet Shaban Polluzha, ndërmjet dy luftërave botërore edhe pas Luftës së Parë Ballkanike meritor për shpëtimin tonë janë pikërisht këta tre burra: Nexhip Draga, Ferat Draga e Aqif Blyta.

Lavdia e përjetshme u qoftë këtyre burrave. Shpallja “heronj të kombit” të këtyre burrave e nderon shtetin e Kosovës dhe do të ishte hapi më emancipues për Kosovën, për Presidentin dhe për klasën politike në drejtim të heqjes së pluhurit të historisë ndaj një etape shumë të rëndësishme të ekzistencës sonë dhe vlerësimi meritor për burrat të cilët më së shumti e meritojnë atë.

Burimi: Shenja.tv

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.