Rehabilitimi mediatik i Damir Fazlliç e bën Bashën më të besueshëm se rivalët e tij

Postuar në 11 Mars, 2018 16:33

Kush është Lulzim Basha? D.m.th çfarë njeriu është, sa kapacitet ka, në çfarë beson, çfarë idesh përbëjnë formimin e tij? 
Ja disa pyetje që normalisht bëhen për një politikan që mëton të marrë pushtetin. Fjala publike nuk mjafton, pasi politikanët gënjejnë, ata ndjekin rrymën. Një shembull: ata që besuan se Edi Rama është i majtë, tashmë ndoshta janë bindur për të kundërtën. 

Për ta njohur kreun e opozitës, nuk mjafton as analiza. Por shqiptarët janë me fat në këtë drejtim. Dikur moster Buzqëqeshjen e zbërthente si figurë inati dhe mëria për karrierën e shpejtë dhe qyl. Sot në ndihmë kanë ardhur ata që kanë humbur. Astrit Patozi na rrëfen për kunatin dhe paradhomën e z. Basha. Znj. Topalli këmbëgul se ai është i paaftë, z. Imami se Bashës i interesojnë vetëm paratë, z. Rama na thotë se “Basha është çun i mirë”, ndërkohë që altoparlantët mediatikë nuk thonë realisht ndonjë gjë me vlerë. 

Edhe presidenti i Republikës, ky i tanishmi ka kontributin e  vet në këtë drejtim. Sipas tij, z. Basha gënjen edhe për orën. Me siguri z. Basha gënjen edhe kur orën e vjedhin. 
Por për disa media, nga ato që përvëlohen për të vërtetën edhe pse me gjasë janë koniunkturalisht jashtë kazanit kjo nuk mjafton. 
Për të na treguar se kush është Basha u thirr në ndihmë Damir Fazlliç. Ky na tregon se Basha është një hiç, një tutkun politik, një budalla. Puna është se në fillim z. Fazlliç duhet të na sqarojë se çfarë është ai vetë dhe kush ështtë. Sepse ne realisht nuk e dimë. Ndoshta mediat që e intervistojnë e dinë dhe nuk e thonë. Për të është folur e shkruajtur shumë, është thënë nga po këto media se ai është nëna e të keqes, se ai ka qenë lidhja serbe e Berishës, se ai madje ka futur hundët edhe në mbledhjet top – secret të atij që vazhdon quhet si Këshilli i Sigurisë Kombëtare.  

Thirrja dhe dëshira e tij për të folur është sa problematike për të ashtuquajturat media, aq edhe shantazh për z. Basha të cilit po i drejtohet dikush”që di ca gjëra”. Dhe informacioni është pushtet. Z. Fazlliç nuk ngjan nga ata që ka mall për Shqipërinë dhe për median e saj. Ai është njeri i biznesit. Dhe një i tillë nuk flet pa interesa. Nëse interesat e z. Basha i kanë lexuar të gjithë, nuk mund të thuhet  e njëjta për ato z. Fazlliç, sidomos në Tiranën e sotme. Ndaj ky orkestrim mediatiko-politik kundër kreut të PD-së është shumë më malinj sesa çdo dobësi dhe gabim i z. Basha. I cili duhet ta themi: në ndryshim nga shumë “koka” të politikës ka gabime, por ende jo faje. E ca më keq krime. E mes këtyre fajeve hyn edhe ky rehabilitimi nga media i Damir Fazlliç që është ulur e ngritur në Shqipëri si flamur utilitar patriotizmi. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.