Dy standarde: Polici dhe burg për qytetarët, amnisti për institucionet që nuk paguajnë

Postuar në 11 Janar, 2018 11:42

Revista “Monitor” raporton sot mbi një dokument të OSHEE-së për arkëtimet gjatë vitit 2017. Sipas materialit, operatori pranon se familjarët dhe biznesi janë më të rregulltit në pagesën e energjisë elektrike dhe më keq paraqiten institucionet shtetërore.

“Gjatë vitit 2017, rritja e ndjeshme e arkëtimeve krahasuar me 9M 2016, ka ardhur si rezultat i ndërgjegjësimit të kategorisë familjare dhe privat në pagesa si dhe rritjes së arkëtimit të faturave brenda 0-90 ditëve. Norma e arkëtimit 0-90 ditë të faturave korrente gjatë 9M të vitit 2017 arriti në 90% kundrejt 86% në fund të 9M 2016 dhe 83 .5% në fund të 9M 2015.

Ky përmirësim i ndjeshëm i arkëtimit të faturave brenda 0-90 ditëve reflektohet në 2 kategoritë kryesore Familjar dhe Privat, ndërkaq kategoritë buxhetore/jo buxhetore vazhdojnë ende në performancë jo të mirë të pagesave”, citon “Monitor” dokumentin.

Pra OSHEE-ja pranon se bilancin pozitiv të punës së vet ia njeh sjelljes së përmirësuar të qytetarëve dhe biznesit. Institucionet që presupozohet se janë aty për të rregulluar punë vazhdojnë me sjelljen e vjetër të akumulimit të borxheve.

Ky moment ka shumë rëndësi sepse rikonfirmon edhe njëherë se qytetari shikohet si i njerkës në një vend ku ligjin e bëjnë parazitët. Kur z. Rama vite më parë nisi aksionin policor për energjinë, fali 90 milionë euro borxh të institucioneve shtetërore, një dhuratë kjo për shqiptarët pas rishtetëzimit me humbje të OSHEE-së.

Sot kjo e fundit ka nisur një tjetër fushatë kërcënimesh për adresarin. Deklaroni adresën ose do ndërpresim energjinë. Kjo është motoja e OSHEE-së në rrjete sociale, në e-mail, material të shtypura etj.. Dhe në fakt adresën e institucioneve e ka, por nuk u mbledh do paratë, të cilat sigurisht që do t’ia grabisë qytetarëve. Sepse një sjellje e tillë me dy standarde, vetëm grabitje mund të quhet.

Shqipëria e social-progresitëve shqiptarë ka bërë të vetën parimin se të sigurta janë vdekja dhe taksat. Me ndryshimin se këtij shteti, apo kësaj qeverie duket se nuk i intereson nëse paguhen të gjitha apo jo, por mjafton të jesh në regjistra si debitor, të kesh një njollë. Pasi amnistitë e përdyvitshme, si shfaqje e karagjollzëkut administrativ, provojnë pikërisht këtë skemë menaxhimi që nuk di dhe nuk do të zgjidhë raportin mes detyrimeve dhe shërbimit. Sepse në mes kemi institucionet që mund të bëjnë çdo gjë dhe të vazhdojnë përpara si pa të keq.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.