Një president peng i drejtësisë

Postuar në 07 Tetor, 2017 12:26
Diana Ndrenika

Pasi katër protestues u vranë në mes te bulevardit qendror të Tiranës në 21 Janar të vitit 2011, pasi u helmuan me zarinë deri në gjymtim e u plagosën disa dhjetëra të tjerë, Edi Rama dhe Ilir Meta në 1 Prill të viti 2013 nëshkruan së toku pa asnjë pendesë shpirtërore, pa asnjë skrupull njerëzor apo politik, një marrëveshje afatgjatë për bashkim e bashkëqeverisje. Socialistët e thjeshtë, njerëzit e ndershëm e idealistë u zunë besë edhe kësaj here!!!

Një marrëveshje që do i ribënte bashkë dy fraksionet më të mëdha të së majtës dhe do realizonte aspiratën për ardhjen në pushtet të Partisë Socialiste që ishte prej vitesh në opozitë. Në emër të kësaj kësaj marrëveshjeje socialistët e thjeshtë shkelën mbi gjakun e katër të vrarëve në mes tyre, shkelën mbi parimet e tyre dhe i dhanë dorën edhe njëherë Ilir Metës, kundër të cilit kishin dalë për të protestuar në bulevard të thirrur nga udhëheqësi i tyre Edi Rama. Po jo vetëm për t’iu bindur verbërisht atij, por për t’u ngritur krye fuqishëm kundër kleptokracisë, kundër korrupsionit shtetëror, për të kërkuar dorëheqjen e zëvendës kryeministrit Ilir Meta që e kishin parë disa ditë më parë në një përgjim të regjistruar video kasete të transmetur në një televizion kombëtar, duke ndërmjetësuar  një mitmarrjeje prej disa miljonëeurosh nga ministri i tij i Energjetikës Dritan Prifti; me të cilin deri atëherë njerëzit kishin dëgjuar të bënte afera shumëmiljonëshe në prokurimet e drejtpërdrejta të energjisë. Duke kërkuar dorëheqjen e tij ata në të vërtetë protestonin kundër papunësisë, kundër varfërisë, kundër mjerimit që i kishte mbuluar aq i ndryshëm nga vezullimi i praruar i luksit marramendës që rrethonte qeveritarët. 
Një protestë ku do përplaseshin dy botë krejt të ndryshme, dy skaje ekstreme të të njëjtit popull, lumpen proletariati dhe  të privilegjuarit e begatuar pa shkak, jo në sajë të punës a mundit, por vetëm në sajë të qëndrimit të tejzgjatur në kolltukët e pushtetit ku vijnë prej votës së popullit.
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me ekspertët e tij e gjykoi kasetën të montuar dhe për pasojë Ilir Metën të pafajshëm, duke shokuar e zhgënjyer shqiptarët dhe duke ua dëmtuar thellësisht besimin te drejtësia e vendit të tyre. 

Mbasi  bashkëqeverisën së bashku për katër vjet, Edi Rama i dha votat e Partisë së tij për ta zgjedhur President të vendit kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, sot Presidenti i Republikës.  “I paanshëm”  nga politika dhe “i pakapur” nga drejtësia, ai do të jetë garant i Kushtetutës dhe do të drejtojë Këshillin e Lartë të Drejtësisë për pesë vitet e ardhshme ndërkohë që ka komanduar të shoqen për të drejtuar Partinë e tij.
Sot në vend, lidhjet nepotike dhe korruptive janë më të forta se kurrë .  Dekriminalizimi është vetëm një fjalë në letër. Në parlament gjen përfaqësues tëpopullit  si  Tomë Doshi etj.,etj.,etj.,etj….. !
Me këtë pamje që ofron politika a mund të besojnë shqiptarët te  procesi i vetingut dhe reforma nëdrejtësi ? A e ka Zoti President të drejtën morale për ta drejtuar këtë proces?    Në bulevardin Dëshmorët e Kombit në vendin ku u vranë katër protestues sot nuk ka asnjë përmendore për t’i rikujtuar. Ndërkohë, në kullën aty pranë, të gjitha pikat që shërbenin si vendgrumbullim për protestuesit kanë ndryshuar destinacion, janë transformuar e u është mbyllur fushëpamja mbi bulevard në përpjekje për të shuar kujtesën  emocionale të shqiptarëve, për t’i bërë ata të harrojnë se çfarë  ndodhi në sheshin përpara kryeministrisë atë 21 janar. Për ta vrarë njëherë e përgjithmonë shpirtin e revoltës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.