Problemi afatgjatë dhe afatshkurtër i ekonomisë sonë

Postuar në 27 Nëntor, 2015 12:40

1-Problemi afatgjatë

Në periudhën 1999-2009, treni ekonomik shqiptar eci me një shpejtësi të admirueshme (rritja mesatare, 6% në vit). Kjo, falë lokomotivës sektor i ndërtimit, që u rrit gjatë asaj periudhe mesatarisht 18% në vit. Lokomotiva tërhoqi fuqishëm vagonët e ekonomisë, si bizneset e lidhura drejtpërdrejt me ndërtimin (të inerteve, paisjeve të ndërtimit, hidraulike, elektrike, mekanike etj.), ashtu dhe bizneset e lidhura tërthorazi, si ato të mobiljeve, paisjeve elektroshtëpiake, mirëmbajtjes, etj. Dhe këto efekte të drejtëpërdrejta e të tërthorta u shpërndanë në të gjithë ekonominë, sepse u shtua konsumi në dyqanet e lagjeve, në butika, në bare, restorante, etj, etj.

Karburanti financiar që furnizoi trenin ekonomik gjatë asaj periudhe përbëhej nga dy pjesë kryesore: 1- Paratë nga emigracioni, të cilat kapën shumën 13 miliardë dollarë gjatë periudhës 1999-2009 dhe 2-Borxhi publik, i cili u rrit me 5 miliardë dollarë  gjatë asaj periudhe.

Por duke filluar nga 2010-ta, karburanti financiar për lokomotivën ndërtim filloi të pakësohej, ndërkohë që edhe kërkesa për produktin e këtij sektori ra. Për rrjedhojë, në vitin 2011, sipas Censusit të banesave, 1/3 e njësive të banimit në Shqipëri ishin të pabanuara. Ndërsa kompanitë imobiliare filluan të raportojnë për oferta të shumta për shitje/qera të dyqaneve e bar-restoranteve, të cilat nuk kërkoheshin nga tregu. Nga ana tjetër, edhe qeveria vazhdoi të ndërtonte duke mos shlyer një pjesë të detyrimeve që kishte ndaj sipërmarrësve që ndërtonin për të.

Dhe jo më kot, në 6 vitet e fundit, ekonomia shqiptare është ngadalsuar shumë në krahasim me dekadën e mëparshme (rritja mesatare 2% në vit). Gjë që e ka bërë të domosdoshëm një ristrukturim të saj drejt fuqizimit të sektorëve prodhues dhe të turizmit, të cilat kërkojnë investime afatgjata, jo aq frytdhënëse në kohë të shpejtë (ndryshe nga investmet në periudhën 1999-2009, që e shlyenin veten brenda 1-2 vjetëve).

Për këtë arsye, rikthimi tek rritja ekonomike 6% në vit do të dojë shumë kohë, sepse investimet afatgjata kërkojnë një terren të qendrueshëm, politik, juridik, financiar, arsimor, etj. Si rrjedhim, rritje galopante të punësimit, siç premtojnë partitë shqiptare në çdo fushatë elektorale (parlamentare e lokale), nuk mund të pritet të paktën deri në mbarim të kësaj dekade (Në industri duhen investuar mesatarisht 20 mijë dollarë për çdo vend të ri pune – pra për 100 mijë vende të reja pune, duhen investuar 2 milardë dollarë për fabrika, makineri e pajisje).

2-Problemi afatshkurtër

Duke parë nevojën për një ristrukturim të ekonomisë sonë, FMN-ja ka marrë përsipër të ndihmojë qeverinë shqiptare për të stabilizuar financat e shtetit shqiptar (Siç u përmëned më sipër, stabiliteti financiar është një nga kushtet për thithjen e investimeve afatgjata).  Për këtë, FMN-ja i ka akorduar një kredi të butë qeverisë shqiptare, me kusht që të shlyejë detyrimet e prapambetura të qeverisë së mëparshme dhe që t’i rrisë të ardhurat me ritëm më të shpejtë se shpenzimet – me objektivin që, duke filluar nga 2019-ta, të mos merret më borxh i ri publik.

Ndërkohë që kushtin e parë qeveria shqiptare e ka plotësuar, plotësimi i kushtit të dytë është vënë në dyshim, sidomos pas heqjes/uljes së propozuar të taksave për biznesin e vogël. Jo më kot, përfaqsuesi i FMN-së në Tiranë deklaroi se kjo masë e qeverisë mund të nxisë evazionin në të gjithë sistemin fiskal, jo vetëm tek bizneset e vogla. (Bizneset e vogla nuk ndikojnë shumë në të ardhurat buxhetore, por ato përbëjnë 100 mijë vrima nga mund të rrjedhin mallrat pa faturë që mund të prodhojnë/importojnë bizneset e mëdha).

Qeveria ka garantuar se nuk do të lejojë që bizneset e vogla të furnizohen pa faturë tatimore e të shesin pa  kupon fiskal, pavarsisht lehtësimt tatimor që iu bë atyre. Por një dështim i saj në këtë betejë në muajt në vazhdim do të rrezikonte realizimin e të ardhurave të dakordësuara me FMN-në. Gjë që mund të sjellë tërheqjen e menjëhershme të kësaj të fundit nga programi i ndihmës financiare për shtetin shqiptar.

Dashtë Zoti që kjo mos të ndodhë, sepse një prishje e marrëveshjes më FMN-në do të ishte një sinjal shumë negativ si për kreditorët institucionalë (Banka Botërore, BERZH, BRE, etj. etj.), ashtu edhe për investitorët privatë. Dhe ekonomia shqiptare ka nevojë urgjente për paratë e të dyja palëve…

 

E.Zaloshnja

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.