Gomë dhe laps për historinë: "Pavarësia filloi me katolikët dhe arbëreshët". Sa larg do shkojë ky revan?

Postuar në 27 Shtator, 2015 17:08

Tashmë nuk është më risi. Linja katolike në arsim dhe histori, po përvijon një politikë rishkrimi dhe parashtrimi faktesh që nuk kanë sesi të nxirren jashtë kontesktit të axhendave politike. Përveç dhunimit në edukim që u bëhet fëmijëve shqiptarë, teksa imazhe të një prag-shentoreje katolike si “Nënë Tereza” u shërbehen edhe në tesktin e matematikës, mbivlerësimit të rolit të klerit katolik, edhe kështu shumë i vlerësuar, denoncimit nëntekstual të myslimanizmit dhe ortodoksisë si bacile që mbajnë gjallë valencën me armiq të Shqipërisë, shpërthimi me tritol i Kishës së Dhërmiut dhe tani, “zbulimi” i të dhënave të reja dokumentare për kryengritjet e mëdha të Pavarësisë, po sillen drejt një qëllimi: Pavarësia, për pasojë Rilindja, janë produkte jo vetëm të frymëzuara nga njerëz të ndikuar nga ide perëndimore, por edhe që për besim fetar ishin më afër “oksidentales”. Ja se çfarë thotë Drejtori i Arkivës, Gjetë Ndoji për gazetën “Panorama”: “Në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Malit të Zi kemi marrë disa dokumente shumë të rëndë- sishme mbi historinë e Shqipërisë, nga mesi i shekullit XIX, deri në vitin 1912. Ato na rrëfejnë për fillesat e lëvizjeve për pavarësinë shqiptare, të cilat na çojnë në vitin 1862 dhe jo në fillim të shekullit XX. Prijësi i Mirditës, Bib Doda, dhe personalitete të tjera, si Zef Jubani, Pashko Vasa, në bashkëpunim me arbëreshët e jugut dhe abatin e Mirditës, Gaspër Krasniqi, nisën një kryengritje, e cila, pavarësisht se dështoi, ishte fillimi i kryengritjeve për pavarësi”. Shton “Panorama”: “Sipas tij, fatkeqësisht historianët tanë nuk kanë shkruar për të. Në këto dokumente gjenden të dhëna mbi lëvizjen e viteve 1876-1877, të udhëhequra nga i biri i Bib Dodës, Preng Bib Doda, i cili vijonte pak a shumë mbi të njëjtin program, në bashkëpunim me të tjera figura të shquara të historisë shqiptare. Në këtë periudhë gjejmë tentativën për të bashkëpunuar edhe me Malin e Zi, që ndodhej në të njëjtën situatë si edhe Shqipëria. Në këto dokumente shohim një qëndrim jokorrekt ndaj marrëveshjes nga ana e Knjaz Nikollës. Aty ngre krye bashkëpunimi me Rusinë dhe kjo e fundit me Perandorinë Osmane, çka çoi në sabotimin e lëvizjes”, shton Ndoj”.  Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë. Jo vetëm sepse përpjekje të tilla, nëse do të kishin realisht peshë, do të ishin pasqyruar, qoftë edhe duke u parë me syrin kritik, por sepse ka të paktën një monografi, me autor Qamil Gexha, i cili trajton pikërsht këto marrëdhënie. Por Ndoji shton këtu më tutje:  “Në dokumentet që ne kemi marrë, dalin qartë pazaret që Perandoria Osmane bëri në Kongresin e Berlinit. Pazare, prej të cilave perandoria u përpoq të fitonte, duke pasur parasysh se pas Malit të Zi fshiheshin interesat e Rusisë dhe nuk është e vërtetë se ata kanë luftuar për mbrojtjen e këtyre territoreve. E vërteta është se shqiptarët kanë qenë të vetëm në këtë përpjekje. Shohim si u implementuan vendimet e Kongresit të Berlinit, qëndrimin e Fuqive të Mëdha, rolin e klerit katolik etj.”. Po cilat qenkan këto pazare të Perandorisë Osmane, që nuk na qenkan sqaruar. Perandoria Osmane edhe në regjimin e Enver Hoxhës, është trajtuar si më e zeza nga të zezat, pa përfillur madje as një sens realizmi dhe objektiviteti që kërkohet në kësi rastesh. Sa për teza si këto të Ndojit, le të kujtojmë se kryengritjet janë çështje numrash në fund. Kështu që le ta admirojmë edhe këtë skeç me historishkrimin.  

 

http://www.panorama.com.al/dalin-ne-drite-pazaret-e-perandorise-osmane-n...

 

 

Comments

Submitted by Nikollë Loka (not verified) on

Përpjekjet arbëreshe për krijimin e Piemontit Shqiptar
Nikollë Loka
Jehona e revolucionit italian u ndje dhe në qarqet arberëshe, te cilat mendonin të organizonin dhe në Shqipëri një kryengritje, duke filluar nga një zonë e lirë dhe pastaj kryengritja të përhapej në treva të tjera deri sa të përfshinte të gjithë vendin. Atdhetarët arbëreshë menduan se dhe Shqipëria mund ta kishte Piemontin e vet, ku do të formohej bërthama e shtetit shqiptar. Ata kishin zgjedhur si bërthamë të këtij shteti Mirditen, duke patur parasyshë disa faktorë: Ishte një krahinë e vetëqeverisur, ku ideja e lirisë kishte mbijetuar gjatë gjithë periudhës së pushtimit; mirditasit e kishin të formuar ndjenjën e identitetit dhe e dallonin veten lehtësisht nga pushtuesit; kishin gjendje shumë të keqe ekonomike; nuk ishin të kënaqur me statusin që kishin në Perandori dhe nën shembullin e Principatës së vogël të Malit të Zi kërkonin të shkëputeshin prej Perandorisë. Si katolikë ata ishin aleate të natyrshëm të shteteve europiane dhe, në çdo rast të volitshëm nuk do të hezitonin të luftonin. Rol në Mirditë kishte kleri katolik, i cili ishte shumë armiqësor ndaj autoriteteve osmane dhe kishte punuar për t'i përgatitur mirditasit për luftë dhe për ta ndërkombëtarizuar çështjen e Mirditës.
Në lidhje me Mirditën ishin të interesuar Jeronim De Rada dhe Elena Gjika që merrnin informacione përmes letrave që shkëmbenin me atdhetarë shqiptarë. Gjatë periudhës së përgatitjes së kryengritjes së Mirditës janë shkëmbyer shumë letra në mes të De Radës, Elena Gjikës, De Martinos, Pashko Vasës, Zef Jubanit, Bibë Dodës, etj. Me këtë rast ndër arbëreshët u krijua një komitet i përbërë nga njerëz me ndikim për grumbullimin e armëve dhe të hollave. Vetë Zef Jubani, Pashko Vasa, Gaspër Krasniqi dhe Pal Dodmasej u angazhuan drejtpërdrejt me kryengritjen. (AQSH, F.24. D.54/2, fl.181-182).
Grupi i intelektualëve që përbënin trurin e kryengritjes, nëpërmjet Pashko Vasës u lidhën me Xhuzepe Garibaldin për t’i kërkuar ndihmë në vullnetarë dhe armë për luftë. Sipas mendimit të grupit shkodran, Kapidani i Mirditës, Bibë Doda, duhej të ngrinte i pari flamurin e kryengritjes dhe të shpallte një principatë autonome ose të pavarur, rreth të cilës, sipas modelit italian do të bashkoheshin dhe krahinat e tjera. Meqenëse nuk erdhën ndihmat e premtuara nga Italia, Bibë Doda kërkoi që kryengritja të ndërpritej, por mirditasit qenë të padurueshëm dhe në kundërshtim me traditën e tyre, pranuan që në vend të Kapidanit t’u printe Abati Gaspër Krasniqi.
Kryengritja u shtyp, por pati rëndësi të madhe sepse për herë të parë pati një projekt kombëtar për një principatë autonome ose të pavarur, si bërthama fillestare e një shteti shqiptar, ide që do të përcillej ndër vite, deri në shpalljen e pavarësisë.
Edhe kryengritja e Mirditës së viteve 1876-1877 u gatua në mjedisin arbëresh. Grupi i intelektualëve shkodranë me në krye Zef Jubanin, duke përfituar nga interesimi i qeverisë italiane të atyre viteve për lëvizjet antiosmane në Ballkan, nëpërmjet Komitetit Italo-Shqiptar të Kozencës, u bëri thirrje arbëreshëve të Italisë së Jugut që të ndihmonin moralisht dhe materialisht vëllezërit shqiptarë që ishin ngritur për të drejtat e tyre kombëtare. Rolin kryesor në kryengritje e mori përsipër Prend Doçi, meqenëse Prengë Bibë Doda, që ishte Kreu, ishte shumë i ri. (Francesko Fabricatore, Il contributo arbëresh alla questione albano-balcanica, Grafica Pollino Castrovillari, 2009, f.16)
Zgjedhja e Mirditës si krahina e parë ku do të shpërthente kryengritja mbështetej në po ata faktorë që kemi përmendur kur kemi folur për kryengritjen e vitit 1862. Zhvillimin e kryengritjes e ndoqën me interesim të mëdh Elena Gjika dhe intelektualë arbëreshë. Kjo del qartë në librin me letërkëmbime të Elena Gjikës, në pjesën ku jepet korespondenca e saj me De Radën dhe Zef Jubanin. (AQSH, F.24, Dosja 54/1, fl.212-215)
Kryengritja e Mirditës së vitit 1876-1877 mundi ta mbronte autonominë e Mirdiëts dhe ta ndërkombëtarizonte çështen e saj, por jo të arrinte ato objektiva për të cilat u nis. Megjithatë projekti vazhdoi disa vjet më vonë.
Në vitin 1910 në Itali fillon një lëvizje arbëreshe për çlirimin e Shqipërisë dhe krijohet legjioni garibaldin Pro-Albania. (AQSH, F.77., Dosja 22, fl.1) Ndërsa Riccioti Garibaldi po bashkërendonte veprimet e ekspeditës shqipatre nga shtëpia e tij në Romë, Terenc Toçi nga Milano krijoi lidhje me disa atdhetarë shqiptarë në Shkodër në janar të vitit 1911.
Afrimi i Ricciotti Garibaldi-t me arbëreshët e krijoi momentin e duhur për ta projektuar kryengritjen shqiptare që duhet të fillonte në Mirditë. Për kryengritjen e re ishte punuar prej një kohe të gjatë. Ishin grumbulluar fonde në mes të arbëreshëve në Itali dhe në emigracion; ishin krijuar qendra rekrutimi të vullnetarëve dhe duket se faktori arbëresh ishte i gatshëm të vinte dhe të luftonte. Radhën e kishte faktori shqiptar, që vazhdonte të ishte i përçarë; luftohej në krahina të veçanta, pa program të qartë kombëtar dhe pa udhëheqje të përgjithshme kombëtare. Nga ana e tyre, arbëreshët do të sillnin në Shqipëri përvojën e organizimit të garibaldinëve, disa mijëra forca të stërvitura mirë, që do të përbënin bërthamën e forcave kryengritëse, armë, veshje dhe ushqime. Dhe në kohën kur Consiglio Albanese që udhëhiqej nga Garibaldi po mendonte për zbarkimin në Shqipëri, Terenc Toçi, një arbëresh që kishte vite në shërbim të çështjes shqiptare, pa qenë pjesëtar i këtij Këshilli dhe pa u takuar me Garibaldin, por me informacione të qarta për misionin e tij, i drejtohet Gjeneralit dhe e njofton se do të shkonte në Shqipëri për të mundësuar zbarkimin e garibaldinëve dhe organizimin e kryengritjes së përgjithshme. Dhe pasi mori udhëzime nga Garibaldi, duke mos qenë formalisht i varur prej tij, Toçi erdhi në Shqipëri dhe iu vu punës për organizimin e kryengritjes.
Por në shekullin e fundit të sundimit osman, në historiografinë zyrtare shqiptare nuk na jepen ngjarje historike që dëshmojnë përpjekjet e popullit tonë për pavarësi, kur dihet se një rrymë e lëvizjes kombëtare shqiptare ishte shprehur që herët, të paktën që nga mesi i shekullit XIX për pavarësinë e vendit nga Perandoria Osmane. Ishte periudha kur në skenën historike lindën shtetet ballkanike, armiqësorë ndaj shqiptarëve, të cilët ishin të detyruar të zgjidhnin të keqen më të vogël. Në këto kushte, shumë intelektualë atdhetarë e shihnin Perandorinë Osmane si mjet për të frenuar lakmitë shoviniste të fqinjëve. Por kishte një rrymë atdhetare radikale që mendonte se shqiptarët duhet të paraqiteshin para botës si komb me shtetin e tyre dhe të përballeshin me fqinjët si të tillë. Në këtë grup bënin pjesë intelektualët arbëreshë dhe disa qarqe atdhetare brenda vendit. Përpjekja e parë shumëvjeçare e tyre u kurorëzua me Kuvendin e Fanit të 26 prillit 1911. Ishte hera e parë në historinë e Shqipërisë që krerët përfaqësues të disa krahinave të Shqipërisë së Veriut mblidhen në Kuvend dhe vendosin në emër të njerëzve që përfaqësojnë që ta deklarojnë “Shqipninë të lirë dhe të mosvarme”, dhe se “do të luftonin deri në pikën e fundit të gjakut derisa edhe ushtari i fundit pushtues të largohet nga Shqipnia”. (AQSH, F.77, D.29, fl.37-39)
Pas pesëqind vjet robërie,në Fanë të Mirditës u ngrit solemnisht flamuri kombëtar dhe u vendos që ai flamur t’u printe të gjithë shqiptarëve në luftë kundër pushtuesve osmanë. Me Kuvendin, Fani bëhej qendër e rëndësishme e nacionalizmit shqiptar. Vetë Terenc Toçi flet me respekt të veçantë për vendin e mbajtjes së Kuvendit. “Në Fanë, në zemër të Shqipërisë”, – siç shkruante Terenc Toçi, u shpalos pas një kuvendi krerësh flamuri i Skënderbeut”. Dihet se flamuri kombëtar publikisht është valëvitur në Deçiç të Malësisë së Madhe më 6 prill të vitit 1911 dhe në Kuvendin Ndërkrahinor të krerëve në Fanë të Mirditës, më 26 prill të vitit 1911, me një diferencë prej njëzet ditësh nga njëri-tjetri. Ngjarjet në Deçiç të Malësisë së Madhe dhe Bisakë të Mirditës patën një lidhje logjike midis tyre, ndonëse për shkak të rrethanave të krijuara, Terenc Toçi nuk e bëri publike aleancën me krerët e Malësisë së Madhe.
Kuvendi i Fanit ishte një akt historik në vazhdën e përpjekjeve të shqiptarëve për liri dhe pavarësi kombëtare, që u zhvillua me devizën: “Shqipëria e shqiptarëve”, në bazë të të cilit ishte thirrja për vëllazërim të shqiptarëve pa dallim feje dhe krahine. Edhe pse nuk mundi të mbijetojë si fakt madhor historik, ai i parapriu Kuvendit Kombëtar të Vlorës të datës 28 Nëntor 1912. Nuk njihet në historinë e shqiptarëve para atij Kuvendi, për pesëqind vjet rresht, që të jetë bërë një mbledhje, madje as edhe një mbledhje e thjeshtë, ku të jetë artikuluar ideja e pavarësisë kombëtare. Nuk ka një datë tjetër para 26 prillit të vitit 1911, që flamuri të jetë ngritur solemnisht, në një kuvend krerësh, pas një betimi për luftë deri në vdekje, për të realizuar “Shqypninë e shqyptarëve”, siç ndodhi në Fanë të Mirditës, prandaj krejt natyrshëm, Kuvendi i Fanit mund të konsiderohet si një ngjarje e rëndësishme historike, që shënoi një etapë të re në vetëdijësimin kombëtar të shqiptarëve në procesin e çlirimit të tyre nga zgjedha osmane.
Ky Kuvend nuk është një ngjarje rastësore e krijuar nga njerëz rastësorë. Ai u mbajt në një krahinë që kishte luftuar edhe dyqind vjet pas pushtimit të Shqipërisë nga osmanët, madje edhe pas pesëqind vjetësh nuk ishte shkelur kurrë nga pushtuesit.
Pjesëmarrësit në Kuvendin Ndërkrahinor të 26 prillit ishin krerët dhe bajraktarët e Mirditës, Shalës, Shoshit, Berishës, Thaçit, Thethit, Mërturit, Nikajve, Toplanës, intelektualë shkodranë dhe disa arbëreshë me në krye Terenc Toçin. Në mbështetje të tyre ishin krerë të njohur të malësive shqiptare si Isa Boletini i Mitrovicës, Sulejman Agë Batusha i Malësisë së Gjakovës, Osman Agë Berisha i Berishës, Beqir Halili i Krasniqes, Halit Brahimi i Gashit, Dedë Gjo Luli i Hotit, Zenel Shabani i Kastratit, Isuf Doda i Lurës e të tjerë.(AQSH, F.77, D.29, fl.87)
Ishte llogaritur që po të vinin ndihmat garibaldine në armë, fishekë dhe të holla, ushtria e Qeverisë së Përkohshme në fazat fillestare të veprimeve luftarake të arrinte në 60 mijë vetë, ndërkohë që drejtuesit e Qeverisë së Përkohshme kishin hyrë në lidhje me krerë të Shqipërisë së Jugut, duke marrë premtimin që kryengritja të shpërthente edhe atje. Pra vendi ndodhej në prag të kryengritjes së përgjithshme.
Dështimi i kësaj sipërmarrje kurajoze shqiptare ka lidhje me përplasjen e interesave midis dy fuqive të mëdha: Austro-Hungarisë dhe Italisë. Ndërkohë që këto dy shtete kishin nënshkruar një marrëveshje sipas së cilës asnjëra prej tyre nuk do të ndërhynte në çështjen shqiptare, në të vërtetë secila punonte për interesin e vet. Austro-Hungaria, përmes protektoratit të kultit, bënte presion për ruajtjen e gjendjes ekzistuese, ndërsa Italia shfrytëzonte ndjenjat atdhetare të arbëreshëve për të nxitur shqiptarët të ngriheshin dhe të kërkonin ndihmën e Italisë.
Misioni i Terenc Toçit pati ndikim në ngjarjet e mëvonshme, pasi i tregoi klasës së atëhershme politike se kishte ardhur koha e një strategjie të përgjithshme kombëtare. Pavarësisht nga pengesat e shumta, duhet thënë se ai ia arriti synimit të tij: institucionalizimit të lëvizjes kombëtare shqiptare me një programin politik të qartë. I ndërgjegjshëm për vështirësitë, vetë Toçi nuk u zhgënjye nga situata në terren dhe ishte i vendosur për të ecur përpara. Ai, vite më vonë, e përmend me nostalgji dhe respekt atë periudhë, por si njeri realist nuk i mbivlerëson ngjarjet ku vetë ishte protagonist.
Por as modestia normale prej atdhetari të formuar e treguar nga Terenc Toçi dhe as persekutimi që iu bë pjesëmarrësve shqiptarë të atyre ngjarjeve, nuk duhen parë si dobësi dhe të shërbejnë si argument se më 26 dhe 27 prill të vitit 1911 në Shqipëri nuk kishte ndodhur asgjë. Pavarësimi i kombeve, kushdo qofshin ato, nuk mund të jetë thjesht një akt që lind nga hiçi. Njëzetetetë Nëntori i vitit 1912 vjen pas një procesi të gjatë historik dhe ishte kurorëzimi përfundimtar i të gjitha përpjekjeve të shqiptarëve, të cilat duhet të vlerësohen. Futja e flamujve shqiptarë në vend, mbajtja e tyre nga atdhetarë dhe ngritja solemne e tyre në Deçiç të Malësisë së Madhe më 6 prill 1911, si dhe shpallja e Pavarësisë në një kuvend ndërkrahinor krerësh dhe krijimi i një Qeverie të Përkohshme tregojnë se lëvizja kombëtare shqiptare kishte hyrë në fazën e vetëdijësimit të plotë për pavarësimin e vendit. Ajo vetëdije e natyrshme e krerëve të malësive të vetëqeverisura shqiptare, në kushtet e reja historike, u përvetësua edhe nga krerë të tjerë, që e panë Pavarësinë si mjetin e vetëm të shpëtimit të kombit prej lakmive shoviniste fqinje.
Ngjarjet e Fanit dhe të Kimzës në të vërtetë nuk kishin kaluar pa lënë gjurmë në opinionin publik. Donat Kurti pati shkruar, një artikull me titull: “Flamuri që u ngrit në Kimëz në vitin 1911”, që u botua në revistën “Hylli i Dritës”, Nr. 11, viti 1937. Po kështu kemi shkrimin “Qeverija e Përteshme e Shkipjerisë, Gims 27.4.1911”, botuar në revistën “Leka” në vitin 1937. Po kjo revistë e përmend këtë ngjarje historike në shkrimin tjetër “Flamuri në Deçiç”., Leka Nr.6, qershuer 1937. Mbi këto ngjarje ndalet gjithashtu Justin Rrota në artikullin “Si e bombarduen malazezët Shkodrën”. Madje për ngjarjet historike të 26 dhe 27 prillit 1911, patën shkruar gazetat kryesore të Europës dhe Amerikës, falë edhe bashkëpunimit të vetë Terenc Toçit me shtypin dhe njohjes personale që kishte me disa drejtues gazetash të rëndësishme në Europë e Amerikë. Edhe pas viteve nëntëdhjetë, natyrisht, u fol edhe për këto ngjarje, më tepër duke i përmendur si fakte historike. Kështu Eqerem Bej Vlora, duke shkruar për historinë e flamurit shqiptar, jep edhe misionin e Terenc Toçit, shpalljen e “Pavarësisë” në Fanë dhe krijimin e Qeverisë së Përkohshme të Kimzës. Më shumë në vlerat e këtyre ngjarjeve është ndalur studiuesi Mark Mesuli në librin “Një kullë në histori”. Po kështu, historiani i njohur Ramiz Abdyli, Rektor i Universitetit të Tetovës, në studimin dyvëllimësh me titull “Lëvizja Kombëtare Shqiptare 1911-1912, libri i dytë”, botuar në vitin 2004, i jep kësaj ngjarje vendin e merituar, duke e trajtuar si nënçështje më vete. Ndërsa libri “Kuvendi i Fanit dhe pamundësia e Piemontit Shqiptar” i bën një trajtim më të hollësishëm këtyre ngjarjeve mbi bazën e materialeve arkivore shqiptare dhe të dhënave të studiuesve arbëreshë.
Pati përpjekje që këto ngjarje të përkujtohen. Në vitin 2006, për herë të parë pas nëntëdhjetë e pesë vjetësh, autoritetet lokale të Rrethit të Pukës organizuan një veprimtari jubilare. Përpjekjet e prof. dr. Aurel Plasarit për t’i dhënë dimension kombëtar këtyre ngjarjeve, me rastin e 100-vjetorit të tyre, nuk e dhanë rezultatin e dëshiruar për shkak të keqkuptimeve dhe debateve të pakuptueshme të vetë intelektualëve të këtyre trevave, dhe jo vetëm atyre, në lidhje me synimet e vërteta të Toçit dhe për rëndësinë e Kuvendit të Fanit dhe Qeverisë së Kimzës. Vetë Akademia e Shkencave, nëpërmes Institutit të Historisë e ka kaluar në gjysmë heshtje këtë ngjarje. Madje në veprimtarinë kushtuar 95-vjetorit, ky institucion pati dërguar një studiuese në Kimëz, e cila e konsideroi Kuvendin e Fanit dhe Qeverinë e Kimzës si “ngjarje lokale, që i bëjnë nder trevës dhe që ndihmuan në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare në ato zona”, duke u kujdesur për të mos u dhënë atyre ngjarjeve asnjë dimension kombëtar.
Siç duket, si para njëqind e sa vjetësh, kur ideja e pavarësisë u gatua në mjedisin arbëresh, edhe tani, përkujtimi me dinjitet i atyre ngjarjeve që i paraprinë Kuvendit të Vlorës vjen si nismë e atij mjedisi. Dhe ndryshe nga studiuesit shqiptarë të ndikuar thellësisht nga politika e ditës, arbëreshi Fabbricatore nuk heshti para fakteve historike, duke na e dhënë ndihmesën e madhe të Terenc Toçit dhe të krerëve shqiptarë të Mirditës dhe Malësisë në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë përmes një libri, ashtu siç njihej ajo në dokumentet arbëreshe. Hulumtimi nëpër dokumente në Arkivin e Shtetit në Tiranë ka nxjerrë në dritë veprimtarinë atdhetare të arbëreshit Terenc Toçi, krerëve të Malësive shqiptare dhe disa prej krerëve të nacionalizmit shqiptar që e mbështetën Qeverinë e Përkohshme, ndër ta Isa Boletini, Dedë Gjo Luli, Mehmet Shpendi, Sulejman Agë Batusha, e të tjerë.
Ja pra pse studimi dhe publikimi i ngjarjeve të Mirditës në vitin 1911, sidomos Kuvendit të Fanit dhe Mbledhjes së Kimzës ka rëndësi për t’u dhënë atyre pjesëmarrësve, vetë trevave të Malësisë dhe arbëreshëve të Italisë atë vlerësim që meritojnë. Përkujtimi me dinjitet i këtyre ngjarjeve të mëdha historike i bën nder vitit jubilar të 100-vjetorit dhe tregon se pavarësia shqiptare ishte kontribut i shumë brezave, shumë krahinave dhe shumë atdhetarëve. Njëzetetetë Nëntori historik është kurorëzimi përfundimtar i këtyre përpjekjeve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.