Zyrtarisht, Atdheu ka edhe 4 dëshmorë të tjerë

Postuar në 21 Janar, 2021 13:57

Shqipëria do ta ngrysë sot ditën me 4 dëshmorë më shumë. Qeveria e saj ka vendosur që viktimat e protestës së 21 janarit 2011 t’i shpallë “Dëshmorë të Atdheut”. Titulli implikon një atribut vlerash që njihet në aktin e humbjes së jetës nga njerëz që pretendohet se jo vetëm besojnë në diçka, por me shembullin e tyre udhëheqin moralisht një shoqëri. Pra katër viktimat e 21 janarit janë dëshmorë për mua, ty, ata, fëmijët tanë nesër. Zyrtarisht. Ta theksojmë këtë: Zyrtarisht. Sepse ne jemi një shoqëri që kemi monumente të Nënë Terezës ngado p.sh, por modelin e përhershëm tonin kemi kriminelin. Vrasja këtu është pjesë e një eposi. Kryeministri Rama, ka bërë këtë argumentim për dëshmorizimin e sotshëm:

Tragjedia e 21 janarit dhe në këtë 10 vjetor qeveria e Republikës së Shqipërisë ka vendosur të japë titullin e lartë të dëshmorit të atdheut për të katërt dëshmorët e protestës paqësore të 21 janarit. Sot është dita për reflektim, se si ajo ngjarje tragjike mori katër jetë të pafajshme.

Nëse e shohim në aspektin e parë besoj se sot kemi të gjitha arsyet për tu përulur me mirënjohje të madhe përpara kujtimit të këtyre 4 dëshmorëve.

Humbja e jetës të të cilëve vuri një vijë të kuqe e qartësisht të lexueshme për të gjithë, duke e bërë të pakapërcyeshme forcën e shtetit në raport me lirinë dhe të drejtën për të protestuar

Kryeministri gënjen dhe thotë gjëra që nuk ka tagër t’i thotë. Protesta nuk ka qenë paqësore dhe këtë e dëshmojmë të gjithë ne. Zoti Rama kakaris sot edhe për shkak se paraardhësi i tij nuk pati këllqe të nxirrte një përfundim formal serioz nga komisioni hetimor parlamentar që krijoi, ndërkohë që hetimet janë ato që janë në këtë vend.

Kryeministri bën demagogji sepse ai po shpall dëshmorë të atdheut katër viktima që janë edhe përgjegjësi e tij, e lojës politike që bëri asokohe dhe ndërkohë që shqyrtimi juridik për ta ende nuk ka përfunduar. Formalisht këta janë dëshmorë edhe për ata gardistët që më 21 janar 2011 mbronin me armë godinën e kryeministrisë. Kjo lojë dhe ky treg dëshmorësh ka bërë që gjthë sistemi i vlerave që do të duhet të përfaqësonte një titull i tillë të humbasë. Më tej akoma, akordime të tilla e ndajnë shoqërinë, nuk e orientojnë atë drejt disa vlerave të përbashkëta, sepse që të ndodhë kjo duhet që palët të pajtohen në një narrativë dhe jo të ndërtojnë dy të tilla.

Do kemi edhe emra shkollash me këta dëshmorë, po edhe rrugësh, pse jo ndonjë monument. Në Tiranë mund të ndërtosh gjithçka e sërish të pranohet. Një kryeqytet i shpikur, njësoj si Shqipëria që është një shtet i sajuar.

Megjithatë çdokush ka detyrim që së paku në shtëpinë e tij, te fëmijët të sqarojë për aq sa di dhe mbi premise morale, gënjeshtrën dhe shëmtinë e kësaj politike. T’u thotë fëmijëve të vet se asgjë që mësohet në shkollat tona, asgjë që përcillet në media, nuk ka lidhje me të vërtetën, me moralin dhe dinjitetin. Të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë nga kjo flamë që nuk ka të mbaruar në këtë vend. Nga ky kancer hipokrizie që duhet thënë se ka një të mirë: e ka zhbërë kohezionin e shoqërisë shqiptare. E cila sot është më e ndarë se kurrë më parë jo për shkak diversionesh nga poliagjentët dhe fqinjët armiqësorë, por nga mosbesimi në narrativën zyrtare. E cila i flet vetes, është monument i një kohe që u imagjinua dhe e një rendi post-osman ku ishte kaq e lehtë të ndërtoheshin armiq dhe shpikeshin pasqyrat e virtyteve kombëtare. Një rend që ushqeu dhe mbarështoi një elitë të tillë servësh provincialë të cilëve u stonon Dinjiteti. Edhe ai që formalisht ta jep paraja që e kanë vjedhur me thasë.

s.zaimi

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

Me 20.12.2018 shoku Edi ka miratuar ne Parlament Ligjin Nr. 109/2018 "PËR STATUSIN E DËSHMORIT TË ATDHEUT" duke shfuqizuar Ligjin Nr. 8607, datë 27.4.2000 "STATUSI I DËSHMORIT TË ATDHEUT". Ne ligjin e ri shtohet si rastesisht ne Nenin 5 (Kriteret për shpalljen ose njohjen e statusit “Dëshmor i atdheut),germa ll
Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet statusi, si të tillë:
ll) shtetasit shqiptarë të vrarë gjatë tubimeve paqësore dhe pa armë për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, si dhe ata që kanë humbur jetën në krye të detyrës në mbrojtje të procesit zgjedhor, pas datës 8 dhjetor 1990;
CDO GJE ESHTE E MIRELLOGARITUR.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.