Fuga 2.0/Në PD duhet leje për të folur

Postuar në 08 Janar, 2021 14:55

Një koleg i një televizioni më thoshte se kishte kërkuar intervistë me dy përfaqësues të Partisë Demokratike. Fjala është për Partinë Demokratike në Shqipëri. Dhe përgjigja që kishte marrë nga të zgjedhurit e popullit, apo që supozohet se do jenë të tillë nesër ishte: Dakord, por duhet të marr leje nga Elona. Ose nga Desada.

Kush janë Elona dhe Desada? Ku ta dish! PD-ja e sotme është bunker në llojin e vet. Tani, këto dy zonja, apo zonjusha, ndoshta nuk kanë dhënë ndonjë kërkesë/urdhër të tillë. Ndoshta ata dy politikanët e partisë e kanë nxjerrë si sebep dhe në keqbesim emrin e dy personave në fjalë, për të thënë 'jo' duke thënë 'po' për intervistën(nuk kemi informacion që të jenë pseudonime).

Mirëpo ky disiplinim në daljet publike nuk është se nuk duket te PD-ja. Është po ai disiplinim që kemi parë vite më parë sapo në Partinë Socialiste hyri Edi Rama dhe pas tij manari i pi-arit, Endri Fuga. Kush ka qenë gazetar në atë kohë e di shumë mirë se duhet të merrte leje te ky mendimtar i rrallë i kohëve të reja që jepte leje dhe anullonte leje, si puna e kujdestarit te filmi “Lulëkuqe mbi mure” që rrinte roje e shihte ça bënte kalamaja.

Është një praktikë që reflekton atë çfarë do të jetë nesër PD-ja në pushtet, sepse ne e kemi përvojën për ta kuptuar se ky imitim i modelit Edi Rama e bën kancerin politik të parikuperushëm veçse me asgjësimin e klasës politike si të tillë.

Ka një dozë të madhe hipokrizie në këtë lloj përshfaqjeje: z. Basha e propagandojnë si njeri të ri, larg bajrakatarizmit të Berishës që do hapte partinë. Nuk po duket gjëkundi ky tipar, ndërkohë që po harrohet përherë e më shumë, madje as quhet më si premisë, fakti se partitë janë formacione vullnetare. Por kur vallë në këtë vend gjeti ndonjëherë strehë e mira dhe e bukura që të bënte budallallëkun e vet me Lulzim Bashën?  

s.zaimi

Comments

Submitted by Milan77 (not verified) on

Vetem nqs jeton jashte nuk e ditke se kush eshte Elona dhe Desada sa mendon qe mund te jene edhe pseduonime...ose e di dhe nuk ke dashur t’u biesh ne qafe se e ke patur me shume mendjen tek Fuga dhe tek Rama:):)
Nderkohe qe nuk mendoj se duhet te beni lajme te tipit me tha njeri qe ia kishte thene nje tjeter...nqs doni te jeni media serioze ua lini portaleve te tjera kete lloj formulimi lajmesh...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.