Mes Fulgencio Batistës dhe Nestor Lakobës

Postuar në 26 Mars, 2024 15:19
Skerdilajd Zaimi

 

Kryeministri Edi Rama ka folur sot në Konferencën Kombëtare për Arsimin Profesional gjatë së cilës shpërndau direktiva për biznesin, por edhe e analizoi situatën ekonomike në vend nga një optikë optimiste.

Ne nuk kemi mungesë njerëzish, por mungesë kualifikimi të njerëzve, Nuk kemi mungesë të rinjsh që mund të përfshihen dhe mund të kenë rrugë të sigurtë në këtë industri, por mungesë të rinjsh që të këtë aftësitë për të cilat ai vend ka nevojë. Nis nevoja për një strukturë të re mes industrisë, mora turizmin si shembull dhe aktorëve në sektorin publik që nga qeveria, bashkitë, shkollat profesionale.

Është koha për ne që ta ftojmë sipërmarrjen në një arsyetim mbi nevojë për bashkërendimin e forcave, investimit të përbashkët me kushte të qartë, me përfitim reciprok, për ne që të punësojmë me paga dinjitoze sa më shumë forca pune dhe sipërmarrjen që të ketë në dispozicion forca pune që i paguan me paga dinjitoze.

Ka një listë renditje të të ardhurave dhe pagave mesatare në vendin tonë, Mali i Zi është në vendin e parë më diferencë të ndjeshme me vendet e tjera që ka ardhur duke u ngushtuar por nuk është barazuar. Nëse pyesni veten si dhe pse? Mali i Zi nuk prodhon municion, raketa e kompjuterë, por është vendi pionier i transformimit të turizmit.

Shqipëria ka mundësi të synojë jo vetëm vendin e parë në krahasim me vendet e rajonit në fund të kësaj dekade, por edhe rritje të të ardhurave e pagave…Nëse kjo nuk ndodh atëherë të gjitha të tjera do të shumëzoheshin me diçka afër zeros. Është cilësia e shërbimit që i bën vizitorët të kthehen

ka thënë ndër të tjera ai.

Kështu z. Rama ka artikuluar me fjali të tjera atë që tha dikur në një fjali më të thjeshtë dhe të goditur: Punë ka, s’ka profesionistë.

Dhe duke thënë këtë, me përqendrimin te turizmi z. Rama e ka bërë termin ‘arsim profesional’ një eufemizëm për kanalizimin e fuqisë punëtore dhe kualifikimit në shërbim të një industrie të vetme: Turizmit.

Kamarierë, menaxherë, kuzhinierë e kështu me radhë, janë oferta më e mirë që ekonomia shqiptare mund të japë për të rinjtë. Çka na dëshmon se modeli ekonomik i këtij vendi u orientua te shërbimet, ndërkohë që e vetmja industri “prodhuese” është ndërtimi.

Në aspektin strikt social dhe ekonomik mund të tingëllojë si një ndërhyrje e menduar mirë. Dhe praktike. Në aspektin politik dhe të ekonomisë politike, sugjerimi i z. Rama ka në vetvete elementë të një amnistie që zyrtarizon Shqipërinë e Kastratit, Dulakut dhe Manes. Që pasi akaparuan prona dhe investuan në projekte të turizmit, mbi një fushë të minuar të pronës, sot presin që rinia shqiptare të nisë të shërbejë. Me dëshirë madje dhe e mirëpaguar. Historia e turizmit shqiptar është padyshim një histori suksesi në imazh dhe marketing, por ajo përfaqëson edhe episodin më tragjik të vjedhjes së pronës dhe manipulimit të arkivës dokumentare të këtij vendi. Është një industri që qarkullon miliarda duke legalizuar një elitë që vodhi dhe grabiti. Këtë besoj biem të gjithë dakord. Mjafton të shohim se çfarë po bëhet me ligjin për Zonat e Mbrojtura për të intuitizuar se batërdia e radhës është duke marrë jetë, padyshim e paketuar nën propagandën e të drejtës së shqiptarëve për të investuar në zonat e tyre.

Edhe brenda logjikës së z. Rama megjithatë ka probleme të mëdha. Pak muaj më parë, Spanja, një superfuqi e turizmit, hapte thirrje për punonjës të huaj në këtë sektor, për shkak të mungesës së fuqisë punëtore. Kështu që migrimi i forcës së kualifikuar nuk mund të shmanget kaq kollaj, sidomos kur Shqipëria nuk arrin dot të rregullojë detyrimet e punëdhënësve dhe as të imponojë rregullat apo standardet që do ta bënin sektorin të preferuar.

Nga ana tjetër strukturimi në mënyrë gati ekskluzive mbi turizmin, deformon në mënyrë afatgjatë kapitalizimin e aftësive njerëzore në drejtime të tjera, duke krijuar eventualisht një ekonomi me një portofol dhe pa diversitet, çka konsiderohet si deficit strategjik që çon në prapambetje endemike shoqërore. Edhe Qipro përveç turizmit ka bankat, Luksemburgu përveç bankave ka patur edhe çelikun, e tani edhe është rezidencë tatimore e kompanive të mëdha të teknologjisë; Zvicra përveç bankave ka mikromekanikën dhe farmaceutikën.

Nuk ka ekonomi të suksesshme, të tillë edhe për njerëzit, që të ketë vetëm një drejtim. Është mjerim dhe padije, në mos keqdashje ekonomia monokulturë të cilën nget përherë z. Rama, duke nisur që nga koombëtarizimi i Hashashit, te kombëtarizimi i industrisë informale në ndërtim, te koncesionet dhe tani te turizmi. Letrat dhe kontratat janë mbyllur për 30 vitet e ardhshme.

Ja pra, kapitalizmi u bë. Ejani të punoni, pse ikni shqiptarë të dashur?! Kështu duket sikur na thotë z. Rama, në sfond të të cilit rrinë dulakët, kastratët e manet apo lekat.

Ikja masive e njerëzve nuk lidhet detyrimisht me një varfëri të papërballueshme, por me shndërrimin e vendit në një lloj Kube të Fulgencio Batistës, apo një lloj Abkhazie të Nestor Lakobës, ku patjetër turizmi, edhe ai i luksit ishte i strukturuar mirë, por në atë ekonomi shoqëria aderon si konsumatore dhe punëtor. Për ta kuptuar: do të pranonte z. Rama që djali i tij të bënte një shkollë profesionale për turizmin? Po fëmijët e ministrave që predikojnë Maldivet e Europës? Sigurisht që jo. Jo vetëm për ambiciet, por edhe për faktin se këta janë pronarët e resorteve apo fshatarve turistikë, ku presupozohet të punëojnë fëmijët tanë më vonë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.