Të shpëtojmë BE-në nga emigrantët!

Postuar në 17 Mars, 2024 15:25

Bashkimi Europian ka një plan të qartë për të penguar mbërritjen e mijëra emigrantëve çdo ditë në brigjet e Mesdheut. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka gati një marrëveshje me vlerë 7.4 miliardë euro me Egjiptin. Marrëveshja e dakorduar edhe me liderë të tjerë të BE-së synon frenimin e migrimit të parregullt nga vendi i Afrikës së Veriut.

Ndërsa zgjedhjet europiane afrohen, Von der Leyen dhe liderët e vendeve të BE-së po përpiqen të ndihmojnë vendet përmes të cilave mbërrijnë emigrantët të rrisin ekonomitë e tyre.

Marrëveshje të tilla janë kritikuar shpesh nga grupet e avokimit, të cilat thonë se atyre u mungojnë masat mbrojtëse për të drejtat e njeriut, ekspozimi i migrantëve në kushte brutale në kampe dhe vënia e parave në duart e autokratëve si presidenti tunizian, Keis Saied.

Pas një rritjeje të migracionit vitet e fundit, e ashtuquajtura "strategji e jashtme" e bllokut - e fokusuar në pagesën e vendeve të treta ka fituar mbështetje të gjerë nga qeveritë në bllokun 27-anëtarësh.

Marrëveshje e kësaj natyre, por pa ombrellën e BE-së, është edhe ajo e nënshkruar në fund të vitit të kaluar në Romë mes kryeministrit Rama dhe kryeministres italiane, Giorgia Meloni.

Pas nënshkrimit të marrëveshjeve të ngjashme me Turqinë, Tunizinë, Mauritaninë dhe tani Egjiptin, BE-ja pritet të nënshkruajë një marrëveshje tjetër me Marokun, raporton Politico.eu.

Von der Leyen, e cila kërkon një mandat tjetër pesëvjeçar si kreu i ekzekutivit të BE-së, ka qenë në ballë të ndihmës ekonomike të Evropës për vendet fqinje, së bashku me kryeministren tejet konservatore të Italisë, Giorgia Meloni.

Paratë e BE-së për Egjiptin do të disbursohen në këste midis 2024 dhe 2027 dhe do të ndahen në grante dhe kredi. Një grant prej rreth 200 milionë euro është caktuar për migracionin, ndërsa fondet e tjera janë të orientuara drejt investimeve, projekteve dypalëshe dhe ndihmës makro-financiare.

Fondet do të ndihmojnë për të mbështetur forcat e sigurisë së Egjiptit dhe për të forcuar ekonominë e tij, e cila është goditur nga inflacioni në rritje dhe papunësia. Sulmet me raketa nga rebelët Houthi në Jemen kundër anijeve tregtare kanë ndërprerë gjithashtu tregtinë përmes Detit të Kuq, duke dëmtuar më tej tregtinë në Egjipt.

Marrëveshja BE-Egjipt përkon me një rritje të migrimit të parregullt në bllokun e vendeve të pasura. Pas një qetësie në vitin 2022, BE u përball me një rritje të emigrantëve që mbërrinin përmes Detit Mesdhe gjatë vitit 2023 dhe shifrat vijojnë të rriten edhe në 2024.

Paralelisht, BE-ja ka rritur burimet për agjencinë kufitare Frontex, e cila tani numëron më shumë se 10 000 agjentë nën flamurin e saj.

Megjithatë, përpjekja për të frenuar migracionin ka treguar mospërputhje midis qasjes së bllokut ndaj refugjatëve nga Ukraina dhe atyre që vijnë nga më larg.

Kritikët argumentojnë gjithashtu se Brukseli po shpenzon shuma të mëdha për liderët autokratë të cilët mund t’i keqpërdorin ato, me pak monitorim për sa i përket respektimit të të drejtave të njeriut. Tetorin e kaluar, Tunizia refuzoi hyrjen për një grup ligjvënësish të BE-së që kërkonin të kontrollonin se si po zbatohej marrëveshja BE-Tunizi.

Grupet e të drejtave të njeriut argumentojnë se marrëveshja me Tunizinë thjesht i ka ridrejtuar migrantët drejt Libisë fqinje, një vend i shkatërruar nga lufta i njohur përër skllavërinë moderne, trafikantët e qenieve njerëzore dhe keqtrajtimin e migrantëve.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.