Europës i duhet një ekip Openheimer-i për inteligjencën artificiale

Postuar në 07 Mars, 2024 18:48

Parlamenti Europian po përpiqet të fusë inteligjencën artificiale brenda një kornize të re ligjore. Akti i Inteligjencës Artificiale është rregullorja që synon të rregullojë mënyrën si do të funksionojë inteligjenca artificiale në Europë. Dragoş Tudorache, anëtari liberal rumun i Parlamentit Evropian që bashkëdrejtoi hartimin e rregullores, i tha POLITICO se Komisionit do t’i duhet të bashkëpunojë me të gjithë “gurutë e mundshëm të AI”.

Zyra e re që do të ngrihet në kuadër të këtij ligji, sipas eurodeputetit rumun, duhet të punësojë punëtorët e teknologjisë, akademikët dhe futuristët që "e njohin biznesin e inteligjencës artificiale nga brenda" dhe jo të mbetet në dorë të eurokratëve. Ligjvënësi rumun solli si shembull J. Robert Oppenheimer, fizikanin që mblodhi një ekip ekspertësh për të ndërtuar bombën atomike të Shteteve të Bashkuara gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Suksesi i ligjit në fjalë varet shumë nga aftësia që do të ketë Brukseli për t’i thithur këto talente. Ligji është i pari në botë që vendos rregulla dhe kufizime të gjera për teknologjinë në lulëzim. Është hapi tjetër i madh për BE-në që të pretendojë rolin e policit botëror në teknologji. 

Zyra e AI u krijua më 21 shkurt si një nënseksion i njësisë dixhitale të Komisionit DG CONNECT. Aktualisht, asaj i mungojnë dy njësi politikash: A1, e cila merret me inovacionin e AI dhe robotikës, dhe A2, përgjegjëse për politikën e AI.

Pas miratimit të Aktit të AI, zyra e re fo të jetë plotësisht funksionale. Në të do të punojnë 98 persona, 18 prej të cilëve do të vijnë nga njësi të tjera të Komisionit dhe 80 do të punësohen nga jashtë, ose si kontraktorë me afat të caktuar ose si ekspertë kombëtarë të dërguar nga vendet e BE-së. Ekspertët kombëtarë mund të marrin një pjesë të pagave të tyre nga qeveritë vendase.

Sipas një dokumenti të brendshëm të Komisionit të cilit i referohet POLITICO, Zyra e AI planifikon të rekrutojë 30 punonjës të jashtëm deri në fund të vitit 2024.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.