Kuba i kërkon ndihmë OKB-së

Postuar në 02 Mars, 2024 14:25

Në Kubë, mungesa e ushqimeve bazë e ka detyruar qeverinë t’i kërkojë ndihmë OKB-së. Qeveria e Havanës ka pranuar për herë të parë se i mungon mielli i grurit për të garantuar furnizimin e shportës së subvencionuar deri në fund të muajit dhe ka kërkuar ndihmë "urgjente" nga Programi Botëror i Ushqimit për të garantuar shpërndarjen e të paktën një litër qumësht në muaj për të gjithë fëmijët nën 7 vjeç.

Ndërsa OKB-ja flet për krizë të thellë humanitare, në vend çmimi i benzinës është rritur me 500% brenda dy ditësh, ka mungesë të energjisë elektrike dhe në disa raste edhe të bukës, ndërkohë makinat e vjetra, të mbajtura me kujdes obsesiv, vazhdojnë të qarkullojnë nëpër rrugë për kënaqësinë e turistëve të huaj.

Kuba po përpiqet të rikuperohet nga recesioni, në të cilin hyri tre vjet më parë nga shtrëngimi i mëtejshëm i sanksioneve të SHBA-së dhe pandemia. Në fund të vitit 2023, qeveria njoftoi një paketë masash ekonomike, të cilat e futën vendin në një spirale inflacioniste dhe pakënaqësi publike, që çoi në shkarkimin e ministrit të Ekonomisë.

Kuba importon 80% të produkteve që konsumon dhe vitet e fundit ka nënshkruar marrëveshje të reja me vendet aleate, si Rusia, për të garantuar furnizimin me miell. Por furnizimet janë të pakta dhe nga pesë mullinj në ishull vetëm një ka mbetur në funksion, në Cienfuegos, i cili prodhon vetëm 250 ton miell në ditë, në një kohë kur duhet dyfishi i kësaj sasie.

Çmimi i benzinës është rritur, çmimi i ujit, energjisë elektrike dhe transportit gjithashtu. Numri i kubanëve që përpiqen të emigrojnë po rritet dhe protestat nuk mund të përjashtohen.

Vendi ynë po përjeton periudhën më të vështirë të viteve të fundit”, pranon historiani Ernesto Limia, nënkryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Uneac dhe një revolucionar i bindur. Në një intervistë për Corriere, ai drejton gishtin nga SHBA, "armiqtë e kombit kuban", si dhe flet për një sfidë të re kulturore dhe ideologjike: përpjekjen për të bërë të mundur që "sipërmarrësi privat i vogël dhe i mesëm në ishull, i cili sot ka para dhe një shtet social ndryshe nga sektorët popullorë, të vijojë të besojë në projektin kombëtar, në një shoqëri solidariteti”.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.