Ambasadori Shkurov: Shqipëria, disa dërgesa me municione në Ukrainë

Postuar në 22 Shkurt, 2024 20:36

Ambasadori i Ukrainës në Shqipëri, Volodymyr Shkurov, ka shpjegon në një intervistë për MCN TV ndihmat që ka dhënë Shqipëria për Ukrainën, nga municionet ushtarake, tek financimet dhe ndihmat humanitare, ndërsa i është përgjigjur edhe pyetjes mbi ndikimin e Rusisë në politikën shqiptare apo afera korruptive.

Z.Shkurov. përshëndetje dhe faleminderit për këtë intervistë. Më 28 shkurt, Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenski viziton për herë të parë Shqipërinë në një Samit dedikuar posaçërisht Ukrainës. Dua t’ju pyes, si ndiheni vetë ju dhe çfarë rëndësie ka kjo për ju por dhe për shqiptarët?

Ju falënderoj për interesin tuaj. Po, është e vërtet që me datën 28 shkurt, do të zhvillohet Samiti i kushtuar Ukrainës. Ky samit zhvillohet në kuadër të kontekstit të Ballkanit Perëndimor, por, praktikisht ka një kontekst më të gjerë dhe do të jenë përfaqësues të Evropës Juglindore. Sigurisht është e rëndësishme për Ukrainën, pasi në këtë mënyrë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Juglindore shprehin mbështetjen e tyre ndaj shtetit tonë. Në këtë format është gjithashtu parashikuar një element bilateral. Dhe ky elementi ka të bëjë me takimet me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Kjo vizitë, është një vizitë e parë e këtij niveli, dhe ajo është shumë e rëndësishme si për Ukrainën ashtu edhe për Shqipërinë, për vendet që janë partner, për vendet që janë miqtë, dhe popujt e të cilëve mbështesin njëri-tjetrin.

Mund t’ju pyes se çfarë axhende do të ketë Zelenski atë ditë në Tiranë, në rast se nuk është konfidenciale?

Siç e dini, (axhenda) e Samititit është aktualisht në përpunim e sipër. Po diskutohen detajet e zhvillimit të tij, si dhe dokumente që do të shqyrtohen. Samiti është një element i veçantë e vizitës. Siç kam thënë përpara, parashikohet edhe formati dypalësh. Ky format bilateral parashikon takime edhe me kryeministrin, edhe me presidentin, edhe ndoshta me kryetaren e Parlamentit. Në varësi të mundësive kronologjike, kohës... Pasi siç e dini, ka çështje të sigurisë, momente organizative... Pra ka një element të Samitit si dhe të takimit bilateral.

Z.Shkurov, kanë kaluar dy vite nga konflikti i nisur në Ukrainë, prej sa kohësh nuk e keni vizituar atdheun tuaj?

Në fakt ndodhi se në Ukrainë kam qenë pak kohë përpara. Ishte një udhëtim pune i shpejtë. Isha nga data 5 deri me 7 shkurt. Në përgjithësi, mund të them se situata disi ishte e qetë, por ditën që po niseshim nga Kievi, filluan bombardime, kam parë vetë dy raketa të cilat po fluturonin mbi Kiev, e di që njëra nga këto qëlloi një pallat banimin, i cili ndodhet afër banesës sime dhe e di që aty kanë humbur jetën 5 veta.

Në krahasim me dy vite më parë, si është intensiteti i luftës aty, ku po luftohet, a kemi një agravim të situatës apo një qetësim?

Po, për pak do të bëhen 2 vjet nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës. Intensiteti i luftimeve vazhdon mbi të gjitha në Ukrainën Lindore dhe në jug. Tani, që po flasim, dje, pardje një qytezë si Avdiivka, ku forcat ukrainase ishin detyruar të largohen pak në pozicione përgatitore, për të ruajtur jetët e ushtareve tanë, por dua të them se intensiteti sot po zhvendoset në qytete. Thuajse për ditë, pala ruse bombardon qytete dhe fshatra të Ukrainës, jo vetëm në Lindjen e Ukrainës, ku po zhvillohen luftime të mirëfillta, por qëllojnë edhe qendrën, Kievin, Karkivin, Odesën, Dniepropetrovkun. Dhe mund të shtoj, se shumë qytete edhe të Ukrainës Perëndimore janë nën sulme me raketa dhe dronë. Këtu është edhe Lvivi dhe Ivano-Frankivsk, por edhe Chernivtsi.

Sa mendoni ju se do të zgjasë kjo luftë mes Ukrainës e Rusisë?

Pyetje e vështirë. Sepse unë jam nga ata njerëz, të cilët nuk besonin në mundësinë e luftës së tillë. Pastaj mendoja se ajo do të përfundonte, sa është nisur, pasi asnjë nga njerëzit e ndërgjegjshëm nuk i ka parë një kuptim në një lufte të tillë. Por realiteti është i tillë, se lufta vazhdon tashmë prej dy vitesh dhe për mua është e vështirë të them, se sot ka ndonjë person që mund të parashikojë kur ajo do të përfundojë. Po e them këtë më shumë keqardhje, se pse ju e kuptoni se lufta është humbje jete, qoftë të ushtarëve' qoftë, fatkeqësisht, edhe të civilëve, fëmijëve, njerëzve të sëmurë, të moshuarve... Dhe sigurisht, do të jepja shumë që lufta të mbaronte në këtë moment.

Për t'u rikthyer tek Shqipëria, sa mbështetje ka ofruar qeveria shqiptare dhe në çfarë termash, pyes ndihmë humanitare apo ushtarakisht?

Për sa i përket ndihmës, duhet të them së Shqipëria vazhdon të jetë partneri ynë besnik. Kjo manifestohet edhe në nivelin e të gjitha organizatave ndërkombëtare me ndikim, mbi të gjitha, kryesimi i shkëlqyer i Shqipërisë prej dy vitesh në Këshillin e Sigurimit të OKB-se, ku kemi marr një mbështetje shumë të madhe. Dua të them, se kur filloi lufta, kemi marrë edhe një mbështetje të konsiderueshme edhe nga populli i Shqipërisë, këtu te ambasada ishte një radhë e madhe me njerëzit që sillnin produkte, që ne më pas ia dërgonim popullit ukrainas. Më pas, kemi patur një llogari speciale, përmes së cilës, shqiptarët mund të kalonin lekët në fondacionin e Zonjës së Parë apo në United24. Pas konferencës së parë të donatorëve në Poloni, Shqipëria ka ndihmuar edhe financiarisht shtetin tonë. Nuk mund të mos përmend edhe ndihmën nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes, ku ishin bërë disa dërgesa me municione nga Shqipëria drejt Ukrainës. Gjithashtu, këtu kanë qëndruar edhe fëmijët ukrainas. Pak kohë më parë, në fund të vitit të kaluar, këtu ishte një grup me fëmijët, prindërit e të cilëve kanë humbur jetën ose ndodhen në robëri dhe kjo është bërë e mundur falë Ministrisë së Punëve të Brendshme të Shqipërisë. Gjithashtu, ishin dy grupe sportistësh të rinj. Ardhja e një grupi ishte mundësuar nga Komiteti Kombëtar Olimpik, kurse e dyta falë Bashkisë së Tiranës. Duke shfrytëzuar këtë rast, dëshiroj edhe një herë të falënderoj përzemërsisht, për hapa të tillë, palën shqiptare.

Z.Shkurov, Rusia akuzohet shpesh se ka ose tenton të ketë ndikim edhe në Shqipëri. Tashmë që ju e keni një vend armik atë, a e keni monitoruar aktivitetin e tyre këtu, a keni informacione nëse ata financojnë parti politike, afera korruptive apo organizata të ndryshme për të influencuar?

Kjo është një pyetje e rëndësishme, në aspektin politik, e kuptoj këtë. Por jemi një ambasadë, e hapur tre vite përpara. Kemi kaq shumë punë, në aspektin e thellimit të marrëdhënieve të mira mes popullit e Shqipërisë dhe Ukrainës, se nuk kemi as kohë, por as dëshirë të vëzhgojmë çfarë bën këtu pala ruse. Nuk kam informacione, nëse pala ruse financon dikë këtu në Shqipëri, pasi unë merrem me çështjen e zhvillimit të marrëdhënieve ukraino-shqiptare. Për mua, është më e rëndësishme, që ky aksi i punës, të marrë rezultatet e duhura, horizonte, në mënyrë që popujt tanë të njohin njëri-tjetrin më mirë, dhe të qëndrojnë pranë njëri-tjetrit, në kohërat e vështira.

Edhe një pyetje të fundit, çfarë do të bëni kur të përfundoni detyrën si ambasador në Shqipëri, a jeni ju gati të riktheheni në atdhe për të luftuar?

Si diplomat, sigurisht e shoh me keqardhje se të gjitha negociatat sot, në fakt po zhvillohen në fushën e betejës. Perceptoj jetën, si diçka të shenjtë, dhe më shqetëson shumë, se në botën moderne, njerëzit vrasin me lehtësi njëri-tjetrin. Por, sigurisht, nëse rrethana do të jetë të tilla, se do të duhet të iki të luftoj, sigurisht do të shkoj. Nuk e di, nëse ju kam përgjigjur pyetjes suaj, por është ajo çfarë mund të them.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.