ChatGPT, lehtësia e një akuze që po penalizon në komunitetin shkencor

Postuar në 13 Shkurt, 2024 18:49
Lizzie Wolkovich*

 

Më kanë akuzuar për mashtrim shkencor. Jo manipulim të të dhënave - askush nuk më akuzoi se kam fabrikuar apo se kam gënjyer për të dhënat ose rezultatet. Ky, supozoj, është një lehtësim sepse laboratori im, i cili studion se si ndryshimi global riformëson komunitetet ekologjike, punon shumë për të garantuar që të dhënat të jenë transparente dhe të aksesueshme për të gjithë dhe që puna jonë të jetë e riprodhueshme. Në vend të kësaj, unë jam akuzuar për mashtrim në shkrimin e studimit shkencor: duke e “shitur” si timin shkrimin e prodhuar nga inteligjenca artificiale (AI).

Kjo dhemb, sepse – si shumë të tjerë – e shoh shkrimin e një studimi si një proces disi të dhimbshëm. Lexoj libra që të udhëzojnë të shkruash – si për t'u ngushëlluar nga fakti sesa shumë këta libra theksojnë se të shkruarit në përgjithësi është një proces i ngadaltë dhe i vështirë, edhe për të gjetur mënyra për t'u përmirësuar.

Strategjia ime aktuale përfshin dëshirën për të shkruar dhe hedhjen në letër të disa skicave përpara draftit të parë, gjë që pasohet me shkrimin dhe shumë rishikime të tij. Unë gjithmonë ua sugjeroj këtë qasje studentëve të mi, megjithëse e di që nuk është e lehtë, sepse mendoj se është e rëndësishme që shkencëtarët të përpiqen të komunikojnë mirë.

Imagjinoni sa u habita kur lexova komentet lidhur në letrën në të cilën deklarohej se punimi im ishte vepër e ChatGPT. Një recensues shkruante se ishte punimi ishte "qartësisht ChatGPT" dhe redaktori kryesor pajtohej në mënyrë të paqartë, se ekipi e kishte cilësuar "të pazakontë stilin e të shkruarit". Surpriza ishte vetëm një emocion që përjetova; Ndjeva njëkohësisht tronditje, shqetësim dhe një vërshim konfuzioni dhe alarmi. Duke pasur parasysh sa shumë punë kam bërë për ta shkruar, ishte një goditje të akuzoheshe si një chatbot - veçanërisht pa asnjë provë.

Në realitet, asnjë fjalë e dorëshkrimit tim nuk ishte shkruar duke përdorur ChatGPT. Menjëherë nisa të mendoja si mund ta provoja këtë. Për shkak se unë shkruaj në skedarë me tekst të thjeshtë (duke përdorur opsionin LaTeX) dhe gjurmoj tekstin duke përdorur sistemin e kontrollit të versionit Git, mund të rindërtoj kronologjinë e ndryshimit të tekstit në GitHub (me mesazhe në të djathtë, mes të cilave edhe "më në fund duke shkruar!" dhe "25 minuta të tjera nga progresi i shkrimit!” që nuk e kisha menduar kurrë se do të duhej t’ia tregoja dikujt). Njëkohësisht, mund të përpiqem të krahasoj stilin e të shkruarit të studimeve të mia para ChatGPT me studimin për të cilin akuzohem.

Mendova se mbase mund të pyesja vetë ChatGPT nëse mendon se e ka shkruar studimin tim. Por më pas kuptova se do të harxhoja kotë kohë duke u përpjekur të provoja se nuk jam një chatbot – gjë që dukej se do të ishte një rezultat i keq për situatën e krijuar. Ajo që vërtet doja të bëja ishte të merrja topin dhe të ikja e zemëruar nga fusha e lojës. Si guxojnë?

Por së pari, vendosa të marr disa opinione nga studiuesit që e kanë studiuar manipulimin e të dhënave, bashkëautorët në studim dhe kolegë të tjerë. Shumica u pajtuan me alarmin tim. Dikush e shprehu atë më përmbledhtazi: "Të gjitha kritikat shkencore janë të pranueshme, por kjo është një çështje tjetër."

Kriza ekzistenciale

Këto kritika kapën diçka në thelb të prishur në lidhje me procesin e rishikimit nga kolegët dhe - më e rëndësishmja për mua - se si AI mund ta korruptonte shkencën pa u lodhur fare.

Njerëzit ia kanë frikën inteligjencës artificiale se ajo mund të marrë kontrollin artificiale mbi njerëzimin, i druhen potencialit të saj për të shtuar dezinformimin dhe shqetësohen sesi ajo mund të ndihmojë për të përjetësuar njëanshmëri dhe pabarazi tinëzare. Disa po përpiqen të marrin masa mbrojtëse për ta parandaluar këtë. Por njëkohësisht, komunitetet po përpiqen edhe të krijojnë AI që ndihmon aty ku duhet, duke përfshirë këtu edhe ndihmën në shkrimin e studimeve.

Por, siç më ka mësuar përvoja, ChatGPT e ka korruptuar të gjithë procesin, thjesht përmes pranisë së tij ekzistenciale në botë

Mua më mërziti fakti që më ngatërruan me një chatbot dhe u tmerrova që recensentët dhe redaktorët nuk ishin të befasuar nga ideja se dikush kishte paraqitur tekst të krijuar nga AI.

​Një pjesë e madhe e shkencës është ndërtuar mbi besimin tek etika dhe integriteti i kolegëve tanë. Në masën më të madhe, ne besojmë se të tjerët nuk i fabrikojnë të dhënat e tyre dhe besoj se njerëzit (ende)nuk i shkruajnë studimet e tyre duke përdorur modele të mëdha gjuhësore, pa treguar për to. Unë nuk do të akuzoja njeri për mashtrim me të dhënat ose manipulim statistikor pa pasur prova, por një recensues me sa duket nuk e pati problem këtë kur më akuzoi.

Ndoshta atyre as u ka kaluar në mendje që kjo ishte një akuzë e ashpër dhe redaktori nuk e mendoi gjatë kur i përcolli dhe u bëri jehonë komenteve të tyre - por ata më kishin akuzuar në mënyrë efektive se kisha gënjyer, duke e paraqitur qëllimisht tekstin e krijuar nga AI si tekstin tim.

Gjithashtu, ata ishin të bindur në vetvete se mund ta shquanin shkrimin tim si ai i një mjeti të AI - por megjithatë nuk mundën ta provonin këtë.

Ne duhet të jemi në gjendje ta largojmë mashtrimin dhe sjelljen e keqe nga shkenca. Për mendimin tim, kostot për njerëzit që akuzohen për mashtrimin më të dhënat janë shumë të larta dhe pasojat për kryerjen e mashtrimit janë shumë të vogla. Por unë shqetësohem për një botë në të cilën një recensues mund të ngrejë rastësisht një akuzë për mashtrim, ndërsa redaktorët dhe botuesi i revistës thjesht i shkojnë pas në procesin e rishikimit dhe bëjnë thirrje për korrigjimin e studimit.

Kjo të lë të kuptosh se jo vetëm që recensentët dhe redaktorët nuk kanë besim në integritetin shkencor të autorëve që finalizojnë një studim, por edhe se etika është e negociueshme. Një botë e tillë ia bën të lehtë ChatGPT-së që të korruptojë pa u lodhur fare - përveç nëse i rrisim standardet tona.

Komunitetet shkencore mund ta nisin me shkëmbim opinionesh gjatë takimeve dhe konferencave të tyre me qëllim arritjen e standardeve më të qarta, mbi atë se kur dhe si mund të përdoret AI në procesin e shkrimit të një studimi dhe se si duhet pranuar kjo ndihmë.

Standarde të tilla mund t’i ndihmojnë redaktorët të zhvillojnë procese më të mira për trajtimin e akuzave për tekstin e krijuar nga AI, në rastin optimal në një mënyrë më pak demoralizuese për autorët.

Sa më takon mua, tani planifikoj të përdor Git dhe GitHub për të gjitha shkrimet e mia që nga dita e parë, dhe të dokumentoj ndryshimet që bëj çdo ditë. Nuk është një sistem i hekurt, por më ka dhënë pak qetësi - për të mos përmendur, një formë gjurmimi që tregon qartë një dorëshkrim të shkruar ngadalë dhe me mundim, dhe mbi të gjitha pa ChatGPT.

*Profesore e asociuar në University of British Columbia 

Botuar në Nature

Përkthimi: ResPublica

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.